Viktima, gjobë biznesmenit para vrasjes tek ish-Blloku

Vendi ku ndodhi vrasja në Tiranë
Hetimet për vrasjen e Nadien Zenelit tek ish-Blloku në Tiranë tri ditë më parë, janë drejtuar te problemet apo hesapet personale më tepër sesa te aktiviteti i biznesit.Ndonëse viktima thuhet se ka pasur lidhje me galeritë mbitokësore të kromit në minierat e Tërnovës në Bulqizë, policia nuk ka në duar prova të forta që ta lidhin ngjarjen me këtë aktivitet. Nga ana tjetër, burimet nga policia kanë thënë mbrëmë se Nadien Zeneli ka qenë i dyshuar për plagosje; konkretisht, ditët e fundit, para se ai të vritej, dyshohet se ka kryer gjobëvënie ndaj një biznesmeni. Për të dyja këto ngjarje, shkak janë bërë galeritë e kromit në Tërnovë të komunës Zerqan të Bulqizës. Sipas burimeve nga grupi hetimor, viktima Nadien Zeneli ka shkaktuar disa incidente në Bulqizë për shkak të pronësisë që ai e pretendonte gjithmonë, edhe pse nuk kishte asnjë dokument zyrtar për ta vërtetuar. Veç kanosjes me armë të disa personave rreth një vit më parë në Bulqizë, si dhe kërcënimit të punonjësve në galeri që të largoheshin nga puna, vetëm pak ditë para se të vritej, policia ka zbuluar edhe dy incidente të tjera.
INCIDENTET PER KROMIN
Nadien Zeneli, sipas grupit hetimor, ka qenë një prej të dyshuarve për plagosjen e shoferit të një firme të licencuar, me veprimtari në një galeri kromi në Tërnovë të Bulqizës. Shoferi 36-vjeçar, Zenel Grrica, mbeti i plagosur rëndë më 12 gusht të vitit 2010 në një atentat nga persona të identifikuar teksa lëvizte me një mjet tip fuoristradë. Ngjarja u cilësua nga policia lokale si një tentativë vrasjeje, motivi i së cilës ishte pikërisht prona ku ndodhen galeritë e kromit. Veç kësaj, viktima rezulton të jetë përfshirë edhe në gjobëvënie ndaj biznesmenëve që janë pajisur me licencë për të zhvilluar punime në minierat e kromit. Një rast i tillë rezulton të ketë ndodhur vetëm dy ditë para se të ekzekutohej në mes të Bllokut 32-vjeçari Nadien Zeneli. Sipas burimeve nga Policia mësohet se Zeneli kishte kërcënuar me jetë një biznesmen, të cilit i kishte kërkuar 50 mijë euro, në mënyrë që ta lejonte në vazhdimin e aktivitetit të tij. Policia nuk e bën të ditur emrin e biznesmenit, pasi ky i fundit nuk ka preferuar të bëjë kallëzim penal për mesazhin që i ka mbërritur në telefon nga Zeneli.
AUTORI I VRASJES
Kamerat e sigurisë që u sekuestruan mbrëmjen e së hënës nga policia menjëherë pas vrasjes së Nadien Zenelit dhe plagosjes së dy kushërinjve të tij, që ishin të vendosura në disa aktivitete pranë lokalit ku ndodhi ngjarja, nuk e kanë fokusuar autorin e ngjarjes. Nga verifikimi i kamerave ka rezultuar që ato nuk kanë qenë të pozicionuara në drejtim të lokalit ku ndodhi ngjarja dhe në këtë mënyrë, edhe identifikimi i autorit ka dështuar. Dëshmitarë të tjerë që janë marrë në pyetje gjatë ditës së djeshme kanë shpjeguar se kanë parë një person që lëvizte më këmbë dhe mbante në dorë një pistoletë. Sipas dëshmitarëve, autori i dyshuar ka lëvizur nga lokali ku mbeti i vrarë Zeneli në drejtim të rrugës Ismail Qemali dhe më pas drejt urës së Lanës pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Pranë semaforit tek ura ai rezulton të ketë hipur në një taksi, që sipas dëshmitarëve, nuk ishte e verdhë dhe nga veprimet e autorit nuk dukej që kishte njohje me drejtuesin e saj, pasi i ka ngritur dorën rastësisht dhe më pas ka hipur në makinë.
Nadien Zeneli, dhëndër te fisi Haka në Krujë

Nadien Zeneli, i vrarë te ish-Blloku
TIRANE – Emri i Nadien Zenelit, shtetasit të vrarë pak ditë më parë në Tiranë, përmendet në dosjen penale të vrasjes së efektivit të Policisë së Krujës, Arben Keqi, në vitin 1999, në Fushë-Krujë. Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe vendimit të Gjykatës në fjalë, Nadien Zeneli rezulton të jetë kushëriri i një personi me dijeni për vrasjen e efektivave të Policisë së Fushë-Krujës, Arben Keqi më 27 gusht 1999 dhe Durim Kasmi më 6 tetor 1999. Sipas Prokurorisë, viktimat Arben Keqi dhe Durim Kasmi, për shkak të detyrës gjatë aktivitetit të tyre të përditshëm, kanë pasur mosmarrëveshje me familjen Haka në fshatin Zezë të komunës Nikël të rrethit Krujë. Në vitin 1999, në Tiranë është vrarë me armë zjarri shtetasi Enver Haka. Në lidhje me këtë vrasje, familja Haka krijon dyshime që vrasjen e Enver Hakës ta ketë organizuar viktima Arben Keqi. Për këtë, vëllai i viktimës Enver Haka, shtetasi Shkëlqim Haka (aktualisht i vrarë), organizon vrasjen e shtetasve Arben Keqi dhe Durim Kasmi. Për këtë qëllim, shtetasi Shkëlqim Haka thërret në banesën e tij në fshatin Zezë të komunës Nikël, shtetasin Shefqet Seferi, nga fshati Zgërdhesh i rrethit Krujë, me të cilin kishin lidhje familjare, dhe të pandehurin Sokol Halilaj nga fshati Gjorm i rrethit Vlorë. Lidhjen e të pandehurit Sokol Halilaj me shtetasin Shkëlqim Haka e bëjnë shtetasit Bledar Zeneli dhe Kastriot (Kamber) Tafa, të dy me origjinë nga rrethi i Dibrës, por që banonin në Fushë-Krujë, ndërkohë që shtetasi Bledar Zeneli ishte dhëndri i Ramazan Hakës (vëllait të Shkëlqim dhe Enver Hakës). Shtetasi Kastriot (Kamber) Tafa njihej me të pandehurin Sokol Halilaj pasi kishin qenë emigrantë në Itali dhe kishin qëndruar bashkë atje. Gjatë takimit, Shkëlqim Haka i kërkon të pandehurit Sokol Halilaj që të vriste shtetasin Arben Keqi, pasi ai nuk njihej në qytetin e Krujës dhe mund të lëvizte lirshëm, ndërsa do të ndihmohej nga Shefqet Seferi, pasi ky i fundit njihte vendin dhe personin që do të vritej. Dy ditë pas këtij takimi, polici Arben Keqi është vrarë në qendër të Fushë-Krujës. Pas vrasjes së shtetasit Arben Keqi, shtetasi Kamber (Kastriot) Tafa ka shëtitur nëpër qytetin e Krujës me autoveturën e shtetasit të vrarë Enver Haka, të përdorur prej tij përpara vrasjes. Shtetasi Kamber rezulton të ketë pasur lidhje shoqërore me të pandehurit Sokol Halilaj e Dritan (Gramoz) Rexhepaj, për shkak të emigracionit të përbashkët në Itali rreth viteve 1998-1999. Po ashtu, shtetasi Kamber (Kastriot) Tafa njihej si kushëri i shtetasit Nadien (Bledar) Zeneli, dhëndër i familjes Haka, thuhet në vendimin e Gjykatës.
ETLEVA DELIA