Viktimat e dhunës së policisë në Turqi

Ndërsa shumica e vendeve të botës kanë një numër telefoni për të kontaktuar policinë në raste emergjente, një linjë telefonike emergjente është krijuar në Stamboll për viktimat e dhunës së policisë. Bashkimi Evropian ka përshëndetur qeverinë turke për marrjen e masave për parandalimin e torturës nga policia, por ndërkohë po shtohen shqetësimet se këto reforma nuk po zbatohen si duhet.
Avokati Taylan Tanay po i përgjigjet një thirrjeje telefonike rreth dhunës policore në qytet. Nisma e quajtur "Ndihmë nga Policia" ofron shërbim ligjor falas për viktimat e dhunës policore. Në raste emergjente, një avokat shkon menjëherë në vendin e ngjarjes. Zoti Tanay thotë se linja e posaçme telefonike u hap nga Shoqata e Avokatëve Përparimtarë në përgjigje të një sërë incidentesh të dhunës policore që shkaktuan bujë në Stamboll.
“Avokatët në Turqi janë në dijeni të dhunës që përforin forcat e rendit. Ata kanë qënë gjithnjë në dijeni të abuzimeve në burgje dhe në rajonet e policisë, por tani janë shtuar sulmet kundër njerëzve nëpër rrugë”.
Kjo regjistrim është bërë me telefon celular qershorin e kaluar. Policët janë duke rrahur një burrë në sytë e familjes së tij në një mënyrë tepër të rëndë. Ky incident që hedh dritë mbi dhunën policore, u bë shkak për hapjen e linjës telefonike emergjente.
Avokati Tanay thotë se gjithnjë e më shumë njerëzit po raportojnë për dhunën policore.“Njerzit po regjistrojnë me telefon celular akte dhune dhe dëshimtarët janë gati të flasin hapur. Bashkë me njoftimin e rasteve të dhunës nga media, viktimat dhe dëshmitarët mund të raportojnë me sukses aktet e policisë”shtoi ai.
Kryeministri Recep Tayyip Erdogan i ka hedhur poshtë akuzat rreth dhunës policore në rritje si "propagandë". Ai thekson vlerësimin që ka marrë qeveria turke nga Bashkimi Evropian për politikën e saj të mos tolerancës ndaj torturës si dhe për zbatimin e reformave, përfshirë vendosjen e kamerave në rajonet e policisë, si pjesë e përpjekjeve për të siguruar anëtarësi në BE. Por ndërsa anëtarësimi i Turqisë në BE është lënë mënjanë, analistët thonë se akuzat për shtimin e dhunës policore mund të jenë një tregues i mungesës së përparimit në këtë fushë.
Thirrjet në numrin e posaçëm kanë qënë të shpeshta që prej hapjes së tij muajin e kaluar. 80 telefonata u bënë gjatë javës së parë dhe 4 prej tyre u konsideruan emergjente.