Viktimat e regjimit hoxhist, qeveria ngre Task Force për zbulimin e trupave

Vetëm pak ditë pas gjetjes së disa trupave në rrëzë të Malit të Dajtit, të ekzekutuar nga regjimi komunist i shekullit të kaluar, qeveria angazhohet institucionalisht për ngritjen e një grupi të posaçëm pune, për zbulimin e të tjerë varreve masive në pjesë të ndryshme të territorit shqiptar. Mendohet se ndodhen dhjetëra e qindra trupa të varrosur në zona malore, kryesisht jashtë qendrave të banuara, të cilët janë ekzekutuar barbarisht. Në mbledhjen e sotme të qeverisë, Berisha informoi mediat mbi këtë vendim të rëndësishëm, i cili pritet të miratohet javën e ardhshme. Kreu i qeverisë theksoi se Taske Forca do të merret me kërkimin dhe gjetjen e trupave të burrave dhe grave, intelektualëve dhe punonjësve, qytetarëve të këtij vendi që u ekzekutuan barbarisht nga regjimi hoxhist, vetëm sepse besonin te fjala e lirë, te Zoti, tek vendi i tyre, pra në vlera sa hyjnore aq edhe njerëzore. Kësisoj, shefi i ekzekutivit, kërkoi që Ministria e Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë të përgatisin vendimin që përcakton procedurat e ngritjes së kësaj Taske Force dhe ta sjellin atë në qeveri. Tre ditë më parë (7 shkurt), në afërsi të komunës Linzë, pranë malit të Dajtit (Tiranë), u zbulua një varr masiv ku u gjetën eshtrat e 19 personave, të cilët janë janë viktima të krimeve të diktaturës komuniste....