Topalli: Jemi në afatet e fundit të skadencës së mandateve- tryeza, vendimtare për rikthimin e opozitës në parlament

Në një kohë kur kanë mbetur edhe pak ditë nga nisja e tryezës së dialogut ndërmjet pozitës dhe opozitës, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli i apelon deputetëve të PS që të ndërpresin bojkotin dhe t’i rikthehen parlamentit. Pas një takimi të zhvilluar me homologun e saj të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, u shpreh se më nismën e fundit të Presidentit Topi, bëhet edhe më i mundshëm marrja e vendimit për thyerjen e bojkotit, pasi veç kësaj, tryeza përkon edhe me afrimin e afatit të djegies së mandateve të deputetëve socialistë. “Kam 6 muaj që pres që të ndalet bojkoti. Nëse kjo ndodh para tryezës, gjatë tryezës apo pas tryezës, e rëndësishme është që të ndalet bojkoti dhe të hyjmë në normalitetin e jetës parlamentare dhe politike. Unë jam optimiste. Jemi në afatet e fundit të skadencës së mandatit të çdonjërit prej deputetëve, që ende nuk kanë ardhur për të bërë betimin dhe nuk janë paraqitur në parlament. Unë jam e sigurt se bojkoti do të marrë fund si mjeti më i papërshtatshëm, më pak evropian”- u shpreh kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Siç edhe është konfirmuar afërsisht një muaj më parë, në letrën për deputetët socialistë, kryeparlamentarja vëren edhe njëherë, se seanca e fundit para mbarimit të mandatit është më 4 mars. Dhe e mbështetur nga homologu i Malit të Zi, ku edhe atje ka patur para pak kohësh një bojkot të parlamentit, kryetarja e kuvendit përsëriti ftesën për deputetët socialistë, duke bërë përgjegjës për bojkotin kreun e socialistëve, Edi Rama. “Përsëris ftesën për çdo deputet, emër për emër, ndërgjegjes së tyre shoqërore dhe politike, ejani në parlament, keni vendin tuaj, keni hapësirën tuaj, bëni detyrën për të cilën ju ka votuar populli. Jam e sigurt se bojkotit po i vjen fundi. Bojkoti ka vetëm një emër dhe emri është i zotit Rama”, deklaroi më tej, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli....