E Diel, 1 Nëntor 2026

Viktor Gjika, artisti që zgjodhi kohën

Autori i Lajmit: red.
Kinematografia i ka dhënë dje lamtumirën “e radhës” në art. Homazhe në nder të regjisorit dhe Artistit të Popullit, Viktor Gjika në Muzeun Kombëtar të Tiranës. Të pranishëm për t i dhënë lamtumirën e fundit njeriut që me krijimtarinë e tij i dha hov artit shqiptar ishin jo vetëm miq e familjarë, artdashës e emra të njohur të kinemasë, por dhe figura të larta shtetërore.
Mes tyre, Presidenti i vendit, Bamir Topi, Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama etj. Viktor Gjika e ka shkruar kapitullin e tij në historinë e filmit shqiptar, me daltën e një artisti që gdhend thellë në gur, për të gjitha kohërat. Nëse do të kërkonim një tipar dallues, të kudogjindshëm në filmat e tij, ky do të ishte REALIZMI. Pa parashtesa e prapashtesa. Ai di ta zgjedhë kohën. Kohëra dramatike e kulme të historisë. Në kushtet e vështira të diktatit e të censurës, ai bën pjesë me dinjitet në atë grup artistësh që ia dolën të sjellin romantikën e atdhetarizmit, heroikën e luftërave të popullit si dhe të vërteta të tjera, shpesh herë të hidhura, të jetës së tij.
Flasin miqtë
Viktor Gjika u nda nga jeta duke punuar, por shumë plane dhe projekte i mbetën ndër duar. Këto janë fjalët më të shpeshta në bisedat e shokëve dhe kolegëve të tij gjatë homazheve mbi trupin e pajetë të regjisorit që i dha jetë kinematografisë shqiptare. Miq dhe kolegë të shumtë nderuan sot figurën e tij dhe ndanë dhembjen e tyre me familjarët e artistit. Miku i tij i fëmijërisë, Pirro Milkani, e cilësoi regjisorin Gjika si legjendën e filmit shqiptar. Ai u shpreh se “me Viktorin jemi njohur që në fëmijëri, ku kemi luajtur dhe mësuar bashkë notin. Kur Viktori shkoi për t`u shkolluar në Moskë, më tërhoqi dhe mua në kinematografi. Ai ishte, është dhe do të jetë legjenda e filmit shqiptar”. Viktor Gjika ka afruar shpesh pranë vetes artistët dhe kineastët e rinj. Madje, shumë prej tyre kujtojnë eksperiencat e para me Viktor Gjikën. Mevlan Shanaj e ka nisur karrierën e tij kinematografike në filmin “I teti në bronz” të Viktor Gjikës. Mes dhimbjes ai thotë se "sot kemi humbur një kolos të kinematografisë. Viktor Gjika është modeli i lakmueshëm për gjithë ata që kanë prekur botën e ekranit. Ai ishte një artist i kompletuar, që rrallë i vjen një kombi”.
Të bëhesh si Viktori…
“Viktori më ka mësuar si të bëhem regjisor”,- thotë Esat Ibro, tek kujton momente të ndryshme të punës së tij me regjisorin Gjika. Ai shprehet më tej se “në ditët e sotme urimi më i mirë për artistët e rinj është të bëhesh si Viktor Gjika , i realizuar dhe tepër kompleks në profesionalizmin e tij”. Mes miqsh dhe bashkëpunëtorësh, Viktor Gjika kujtohet si një njeri dinamik dhe tepër aktiv. Madje regjisori Kristaq Mitro u shpreh se “unë nga Viktori mësova guximin dhe energjinë e pashtershme. Ai kishte një shpirt të madh, por e tregonte shumë rrallë”. Viktor Gjika është cilësuar si njeri i rrallë, i cili do të kujtohet përherë nëpërmjet filmave dhe dokumentarëve të tij. “Viktori nuk ka për të vdekur asnjëherë, ai mund të mos jetë më fizikisht, por filmat e tij do të jepen gjithnjë”, - thotë kolegu i tij, Spartak Pecani.
Për mikun e tij, Teodor Laço, "humbja e Gjikës është humbja e një modeli të mirë të shoqërisë sonë". Ai shton se “Viktori do të kujtohet sa herë të vijnë festat e nëntorit, pasi ai i dha jetë disa prej momenteve historike të kombit tonë”.
Projektet në mes
Sipas Laços, Viktor Gjika kishte ndër duar shkrimin e një autobiografie të tij, e cila do të redaktohet dhe do të sillet së shpejti për lexuesin nga shtëpia botuese “Toena”. Gjithashtu, filmit dokumentar mbi jetën e kineastit të madh Gjika, i cili prej pak kohësh po përgatitet nga Petrit Ruka, iu shtua dje dhe akti i fundit i jetës së regjisorit. Petrit Ruka u shpreh se “kam pak kohë që po përgatis një film dokumentar mbi jetën e Viktor Gjikës. Më vjen keq që ai nuk arriti dot ta shikonte të përfunduar”. Projekte të shumta mbetën të papërfunduara, sipas një interviste të dhënë së fundi në një media të shkruar, ku Viktor Gjika ishte shprehur se do t i mbetej peng nëse nuk do të arrinte të realizonte një film mbi aktorin e tij të preferuar Sandër Prosin. Dhe, me sa duket, ai u largua me një peng, i cili do të jetë si një amanet për kolegët dhe miqtë e tij. I konsideruar si një nga regjisorët më të mirë shqiptarë, Viktor Gjika ka realizuar një sërë filmash të suksesshëm, si: “Komisari i dritës”, “Horizonte të hapura”, “I teti në bronz”, “Rrugë të bardha”, “Përballimi”, “Njeriu me top”, “Gjeneral Gramafoni”, “Në çdo stinë”, “Nëntori i dytë”, etj

Homazhet
Lamtumirë politike për “Artistin e Popullit”
Regjisori dhe kineasti i mirënjohur Viktor Gjika, i cili u nda mbrëmë nga jeta, la pas respektin dhe mirënjohjen e shumë miqve dhe kolegëve. Personalitete të larta të vendit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryetari i PS-së, Edi Rama, deputetë, artistë, kolegë dhe dashamirës bënë dje homazhe para trupit të Artistit të Popullit, Viktor Gjika, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.
Duke vlerësuar veprën e regjisorit Viktor Gjika, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u shpreh se vdekja e tij "është një humbje, në radhë të parë për familjen edhe për artin kinematografik shqiptar. Viktor Gjika, në memorien e të gjithëve do të mbetet një nga figurat më emblematike të kinematografisë shqiptare. Pa dyshim, një artist me një jetë profesionale shumë komplekse dhe jetëgjatë”.
Presidenti Topi shprehu bindjen se "shkolla shqiptare gjithmonë do ta ruajë këtë traditë. Ndoshta mund të jetë në vështirësi momentale, por jam i bindur që, si figura e zotit Gjika, por edhe e shumë regjisorëve të tjerë, që kanë punuar në epokën kur punoi dhe jetoi zoti Gjika, do të jenë patjetër pikë referimi për të reformuar dhe për të shkuar përpara edhe me kinematografinë tonë, e cila ka nevojë të rigjallërohet”.
Viktor Gjika u cilësua nga të gjithë miqtë e tij si kolosi që ka marrë për dore të gjithë regjisorët dhe kineastët e rinj. Ai u përcoll dje për në banesën e fundit nga shumë miq dhe dashamirës, të cilët e vlerësuan dhe nderuan punën e tij.

Ky lajm është publikuar: 05/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›