E Diel, 1 Nëntor 2026

Viktoria Bekam: Jam ndryshe nga ajo që dukem

E veshur me një fustan të zi pas trupit, stiluar nga ajo vetë, dhe një çantë të madhe "Luis Vuiton", syze të zeza dhe një palë taka që i kalojnë 15 centimetrat, Viktoria Bekam di gjithmonë si të tërheqë vëmendjen. Por pavarësisht asaj që shumë mendojnë, Posh është një zonjë ndryshe nga ajo që duket. E përkushtuar pas familjes dhe fëmijëve, që nuk kupton thuajse asgjë nga futbolli, por që sigurisht gëzohet kur i shoqi shënon. Është e lumtur që David ndihet mirë në Milano, sepse për Viktoria Adamsin nuk janë lekët në qendër të gjithçkaje. Para së gjithash është e rëndësishme të ndihesh mirë. Kështu tregon ish-bukuroshja e "Spice Girls", prej nëntë vjetësh gruaja e futbollisti David Bekam, Viktoria Adams. "Nga futbolli nuk kuptoj asgjë. E dëgjoj Davidin kur flet, sepse e di që ajo është bota e tij, por nuk ndërhyj kurrë në biseda të tilla. Jam e lumtur sepse e di që ai është i lumtur te Milani, dhe është bukur të shohësh që ka nisur të shënojë në kampionatin italian. Jam e lumtur kur David shënon, por pasionet e mia janë të tjera: para së gjithash moda, muzika, baleti". "Vanity Fair" na tregon një Viktoria ndryshe nga ajo që jemi mësuar të shohim nëpër faqet e gazetave; tregon atë grua dhe nënë që çdo mëngjes shoqëron fëmijët në shkollë dhe merret me punët e shtëpisë. "Nuk lyhem shpesh, për këtë arsye vendos gjithmonë syze të mëdha dhe të errëta", tregon ajo. Më pas shton: "Shpesh më ndodh të shoh fotot e mia në gazeta dhe të mendoj: Kush është kjo? Sepse para makijazhit, flokëve, dhe gjithçka tjetër qëndron një grua shumë ndryshe". E në fakt, ikonë e stilit dhe bashkëshortja e një prej futbollistëve më "glamour" të planetit, zonja Bekam është gjithmonë në qendër të vëmendjes, pasi nga faqet e gazetave dhe tabloidëve të të gjithë botës, duket shumë ndryshe nga ajo që thotë se është në jetën e vërtetë.

Ju pëlqen Milano?

Më pëlqen shumë. Njoh shumë njerëz këtu, sidomos në botën e modës. Kam lexuar diku se paskam thënë që nuk dua të shkel kurrë këtu se është qytet shumë i ndotur, por nuk e kam thënë kurrë diçka të tillë. Është një qytet ku gatuhet mirë, dhe nuk i mungon asgjë në krahasim me Londrën dhe Los Anxhelosin, ndaj nuk kam arsye përse të mos e vlerësoj.

Ju shumë shpesh jeni në faqet e para të tabloidëve anekënd botës. Çfarë do ju pëlqente të lexonit për veten?

Shpesh lexoj gjëra që nuk më pëlqejnë e që nuk janë të vërteta. Do më pëlqente që ndonjëherë të lexoja për Viktorian e vërtetë.

Meqë ra fjala, cila është Viktoria e vërtetë?

Një nënë që para së gjithash kujdeset për fëmijët e saj, një grua që ka fatin e madh të ketë një burrë të cilin e konsideron shpirtin e saj binjak. Një stiliste mode që shpreson të vlerësohet për cilësinë e veshjeve të saj.

Ju shqetëson plakja?

Jo, përkundrazi, më argëton ideja që unë dhe David do të plakemi së bashku. Është një proces natyror, ndaj të cilit jemi të detyruar të nënshtrohemi.

Na tregoni pak për fillimet tuaja, si jeni njohur?

Jemi njohur në një ndeshje futbolli. Ishte dashuri me shikim të parë. Sot e dua më shumë se atëherë. Njerëzit nuk e dinë se sa inteligjent dhe sa shpirt humori ka David.

Besoj se është edhe romantik?

Romantik jemi të dy. Pusulla dashurie, darka romantike, surpriza, janë gjëra që ia bëjmë shpesh njëri-tjetrit.

Në shtëpi, mbrëmjeve, zakonisht si e kaloni kohën?

Përpara televizorit. Më pëlqejnë shumë serialet televizive. Adhuroj të shoh "Sex and the City", "Desperate Housewives", "Grey‘s Anatomy".

Po për fëmijët kush kujdeset?

Sigurisht që unë. Janë ende të vegjël dhe kanë nevojë për përkujdesjen time. Pa i rregulluar ata në darkë, nuk shtrihem të fle.

Keni në plan të bëni fëmijë të tjerë?

Nëse fati do të mi sjellë, me gjithë qejf. Më pëlqen të kem një vajzë, pas tre djemsh. Më pëlqejnë femrat, si mike, si shoqe, si një krah ku të mbështetesh.

Veshjet që ju krijoni, shiten në disa vende të rëndësishme të botës, dhe pse jo te të gjitha. Si është Viktoria në rolin e sipërmarrëses?

E ashpër me vetveten. Gjithmonë në garë, dhe gjithmonë në ankth për të kaluar pengesat dhe për të arritur atje ku synoj.

Me grupin "Spice Girls", pas ribashkimit të bujshëm në vitin 2007, nuk ka asnjë shpresë për t‘u rikthyer pas?

Për sa më përket mua, po. Tani nuk dua të merrem më me këngë. Por gjithsesi miqësia ngelet. Ne vazhdojmë të jemi aq shumë mikesha sa kemi qenë dhe më parë, pavarësisht se rrugët tona kanë marrë të tjera drejtime.

Do të qëndronit përfundimisht në Milano?

Kjo varet nga David. Nëse ai vendos të qëndrojë përfundimisht te Milan dhe të mbyllë karrierën e tij këtu, atëherë nuk mund ta kundërshtoj për asgjë. Pastaj, siç e thashë, Milano më pëlqen shumë. Do shkoj gjithmonë pas familjes time, qoftë kjo Roma, Milanoja, apo Los Anxhelosi. Nëse ai vendos të largohet në mes të marsit, atëherë edhe mua do të më duhet të udhëtoj shpesh mes Milanos, Londrës dhe Amerikës.

Kush është më i famshëm nga ju të dy?

Secili nga ne është i famshëm në atë që bën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›