E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vilson Blloshmi në kujtimet e së motrës

10/06/2009  Flet motra e poetit disident, Lirije Blloshmi (Xhydollari)

Këtu në Nju-Jork kemi hasur mbiemrin “Blloshmi”, që është mjaft i njohur, i dukshëm në aktivitetet kombëtare të shqiptarëve të Amerikës. Të shtyrë tashmë dhe nga emri shumë i njohur i poetit Vilson Blloshmi, e me rastin e botimit të veprës së tij në Shqipëri, ne kërkuam të takojmë motrën e Vilson Blloshmit, Lirije Xhydollari (Blloshmi), e cila hapi portën e shtëpisë të saj e na foli me shqipen e ëmbël të saj: “Urdhëroni!” Shtëpia ku banonte kjo familje, të jepte përshtypjen se ndodheshim në një familje fisnike. Në muret e dhomës së miqve ishin vendosur me shumë kujdes fotot e familjes, të cilat sikur të udhëhiqnin në një botë ku historia bëhet pjesë e fatit njerëzor, e ky fat njerëzor bëhet pjesë e historisë të vendit, të cilit breza të tërë i kushtuan dashurinë dhe jetën.

- Zonja Lirije, këto fotografi si shumë të vjetra na duken, për ç’kohë bëjnë fjalë?

- Këto janë fotografitë e paraardhësve të burrit tim, Muharremit, të cilit me të vërtetë do t’i vijë keq që nuk ndodhet sot këtu. Këto foto bëjnë fjalë qysh nga Rilindja Kombëtare, shpallja e pavarësisë, të shtetit shqiptar pas Kongresit të Lushnjës e deri te rezistenca antifashiste dhe antikomuniste.

- Po kjo fotografia e madhe e Vilsonint, vëllait juaj?

- Po, është vëllai im. Ai për mua është i gjallë gjithmonë dhe më duket edhe sot sikur me përgëzon dhe ndiej përkrahjen e tij për motrën e vogël, për të cilën shpesh ju shprehej prindërve se “unë Lirijen do ta marr kudo që të vendosem me banim dhe do t’i jap shkollë të lartë, që ajo të ndërtojë një familje të mirë”. E them me bindje se kjo dëshirë e tij është plotësuar, sepse unë ndërtova një familje si ajo që ëndërronte Vilsoni.

- Sa vjeçe ishit atëherë?

- Unë kam qenë 9-vjeçe. Kujtoj se jetonim në një familje të madhe, ku edukata dhe kultura bënte qe ne fëmijët të ndiheshim se ishim të njëllojtë. Kryefamiljari ynë (pastë dritë!), Xhaxha Hasani, çdo gjë na e blinte e na e dhuronte njëlloj, përveç Vilsonit, që vazhdimisht, që kur ishte i vogël e deri sa u rrit, ai mbeti njeriu më i dashur dhe më i afërt për xhaxhanë.

- Por si djalë të veçantë kush e vlerësonte tjetër?

- Xhaxha Bukuroshi e donte veçanërisht dhe ai e ndihmonte për t’u shkolluar.

- Ku u shkollua Vilsoni?

- Ai mbaroi shkollën në Elbasan dhe, si e vogël që isha, mbaj mend kur vinte në shtëpi e veçse na kishte marrë malli, prej tij prisnim dhe ndonjë dhuratë, që na gëzonte. Sa herë që vinte, e pasuronte bibliotekën me librat që sillte dhe na këshillonte të mos i dëmtonim, pasi do të na duheshin kur të rriteshim.

- A mund të na shfletoni ndonjë kujtim gjatë kohës kur Vilsoni rrinte në shtëpi?

- Ai ishte një njeri i veçantë, i jashtëzakonshëm. Sado të mërzitur të ishim në shtëpi, ai e kthente në alegri, përdorte kitarën, këndonte bukur dhe tregonte të veçantat që kishte mësuar me shumë pasion. Lexonte dhe shkruante deri vonë. Vili ishte edhe shumë i bukur.

- Me kë rrinte më shumë Vilsoni në fshat?

- Ai rrinte dhe shkonte mirë me këdo, por veçanërisht rrinte me Genc Lekën, që e kishim dhe tonin nga gjyshja. Ata të dy duheshin shumë.

- Po nga gjyqi që iu bë Vilsonit dhe Gencit, a të kujtohet gjë?

- Vetëm një trishtim i madh në familje, sepse të rriturit nuk na bënin me dijeni për asgjë.

- Po lajmin e hidhur për Vilsonin si e mësove?

- Për këtë pyetje s’kam durim të përgjigjem. Unë kurrë nuk kam besuar se Vilsoni nuk ishte mes nesh. Vili në kujtesën time është diku afër, rrotull, qoftë edhe këtu. Ka shumë gjëra që nuk i pranojmë në jetën tonë, ajo që unë nuk kam pranuar kurrë, ishte lajmi i kobshëm!… (derdh lot).

- A keni qenë te përmendorja e Vilsoni dhe e Gencit në Librazhd?

- Sigurisht, kur kam shkuar si vizitore në Shqipëri, fillimisht kam shkuar te banesat e fundit të Vilit dhe Gencit pastaj te përmendorja.

- Si u ndiet kur e patë?

- Pak e befasuar, se nuk kisha parë një përmendore të tillë dhe duke e përgëzuar me dorë, fillova të lexoja vargjet që ata kishin shkruar dhe mendova se ata e kanë projektuar të tillë. E ndjeva se ndërtimi i kësaj përkujtimore do t’u rezistojë kohërave që do të vijnë, se vrasja është bërë jo vetëm nga sistemi kriminal i diktaturës, por dhe nga njerëz krejt të papërgjegjshëm, në periudhën më të hidhur që ka jetuar një popull si yni.

- Tani besoj se jeni në dijeni se veprat e Vilsonit janë bërë publike?

- Dua të them se Vilsoni shokë dhe miq nuk ka pasur kur ka shkruar këto vepra, por mbas një kohe të gjatë që ai i shkroi, u angazhuan miq dhe shokë të sinqertë dhe e përjetësuan atë që shkroi ai kur ishte krejt i vetmuar. Jam shumë krenare për Vilin, sepse vepra e tij tashmë është e gjallë e jeton përtej kohës së tij, e sidomos për letrat që shkrimtari i madh Isamil Kadare i drejtoi familjes sonë. Kadare e ka kuptuar shumë mirë rastin e Vilsonit dhe Gencit e unë i jam shumë mirënjohëse shkrimtarit, i cili ka hedhur dritë mbi të vërtetën e dy poetëve, ndërsa të tjerët ndërtuan karrierën e tyre me ekspertizat letrare të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Por sot Vilsoni nuk është thjesht një poet martir, që ka paguar me jetën e vet veprën e tij letrare, por një poet shumë i talentuar dhe shumë i dashur, pasi ditën e prezantimit të veprës së tij nga lajmet në Tiranë mora vesh se të gjitha mediet kishin shkruar dhe folur për atë, madje ishte promovuar edhe me një kolazh të jashtëzakonshëm nga nxënësit e shkollës “Qemal Stafa”. Oh, poezia e Vilit është e bukur, e jashtëzakonshme! Do ta thosha këtë edhe sikur të isha një lexuese e tij dhe jo motra e tij.

- Cilin nga miqtë dhe shokët mund të vlerësoni?

- Fillimisht e vlerësoj atë që ka pasur të njëjtin ideal me Vilsonin: Muharrem Hudënishtin, i cili është bashkëshorti im. Ai për herë të parë shkroi skenarin “Ata vrapuan të kapin pëllumbat”, skenar i cili u realizua nga dashamirësit dhe njerëzit me të respektuar të televizionit shqiptar - zoti Engjëll Ndocaj e Namik Ajazi dhe mjeshtri i kamerës Besnik Shima, që për herë të parë në ekranin e televizionit shqiptar i dhanë publikut mundësinë të njihej me atë çka qeveria komuniste kishte bërë me poetët që kërkonin dashuri, liri dhe paqe. Por edhe zoti Zyhdi Morava me mënyrën e vet ka hedhur në dritë ëndrrën e Vilsonit, gjithashtu vlerësoj zotin Uran Butka dhe artikujshkruesit e tjerë, që me vullnetin e tyre kanë zbuluar çdo gjë që konsiderohej e zhdukur për Vilsonin. Por më lejoni të shprehem se për Vilsonin poeti Sadik Bejko paska qenë njeriu më i vyer, pasi ai me sakrificën, mundimin, përkushtimin dhe vetëmohimin e një mjeshtri, mblodhi dëshirën, atë ëndrrën që vëllai ynë dhe bashkëkohësi i tij, njeriu i letrave kishte në thellësi të vet, që shkrimet e tij të mbeteshin në letërsinë shqiptare dhe “Saharaja, që nuk kishte as lot të qante”, t’u thoshte brezave të ardhshëm se poeti “të vërtetën iu tha, të vërtetën”. Ai i mblodhi krijimet e Vilsonit, ashtu siç mblodhëm ne eshtrat e Vilsonit dhe të Gencit në gropën e mallkuar te përroi i Firarit, dhe i pasqyroi ato në veprën e parë dhe të dytë. Profesor Sadik Bejko ka punuar me shumë dashuri me veprën e Vilsonit dhe duket sikur edhe vetë kufijtë e vdekjes e të kohës janë shembur e të duket sikur Vili jeton me ne, sikur do të na ftojë për kafe, ashtu sikur shkruan edhe i nderuari profesor Sadik Bejko në librin e parë të Vilsonit. Unë mendoj se s’ka mundësi të mos e ketë ky profesor gjenin e trashëgimisë nga të parët e tij për të ndihmuar njerëz cilësorë e të jashtëzakonshëm si Vilsoni. I jam shumë mirënjohëse e në emrin tim dhe të familjes sime i dërgoj falënderimet më të sinqerta dhe i uroj që nga duart e tij të arta të dalin dhe veprat e Genc Lekes, i cili vazhdon të jetë bashkë me Vilsonin.

- A keni diçka të shtoni për Shqipërinë?

- Prej këtu nga Amerika politika në Shqipëri shihet si një ndeshje nga shkallët e stadiumit dhe po shikojmë se shumë gjatë po shkon luftimi ndërmjet së mirës dhe së keqes, por, sado që të zgjasë, e keqja do të jetë e humbur, se nuk ka moralin e duhur e se Shqipëria nuk mund të kthehet mbrapa, Shqipëria dhe Kosova po ecin vetëm para. Duket se ka ardhur një kohë e bukur për vendin tonë, një orë e mirë. Që këtu nga Amerika u uroj bashkëkombësve të mi që të çlirohen nga frika.

Bisedoi: Dardan Peja

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›