E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në mbrojtje dëshmitari kyç i masakrës së Cërrikut

10/06/2009  Izolohet Bujar Buzani, i penduari i drejtësisë që rrëfeu tragjedinë, fiton statusin e bashkëpunëtorit

TIRANË- Listës së të penduarve apo bashkëpunëtorëve të drejtësisë i shtohet edhe Bujar Buzani, personi që rrëfeu masakrën e Cërrikut. Të tillë persona quhen të penduar të drejtësisë dhe bashkëpunëtorë të saj, sepse pranojnë të rrëfejnë gjithçka duke mos pyetur për pasojat e më pas duan ndihmën e autoriteteve. Ashtu si kundër ka ndodhur me Petrit Liçin një prej pjesëtarëve që arriti të zbardhë gjithë skemën e funksionimit të bandës së Lushnjës dhe veprimtarinë e saj keqbërëse ndodh edhe me Bujar Buzanin. Ai tashmë është një tjetër i penduar i drejtësisë që merret në mbrojtje. Pak ditë më parë është sistemuar në Spitalin e Burgut për t’u trajtuar dhe për t’u marrë në mbrojtje. Bujar Buzani është nga Cërriku dhe ka rrëfyer për tragjedinë e majit të vitit 1997 ku u dogjën gardistët të gjallë. Bujar Buzani i është drejtuar prokurorit për mbrojtje duke u shprehur se ndihet i kërcënuar nga të pandehurit e tjerë të bandës. “Më kanë kërcënuar të gjithë për vdekje. Madje më dërgojnë fjalë se nuk do të mbetem i gjallë nëse unë vazhdoj të nxjerr të dhëna që i dëmtojnë ata. Unë di të them se kam vendosur të tregoi të vërtetën dhe këtë gjë do të bëj për të pastruar shpirtin tim. Kam bërë shumë mëkat. Nuk kam dashur asnjëherë të bëjë gjëra të tilla, por i shtyrë nga të tjerë arritëm të vrisnim njerëz të pafajshëm. Unë do të rrëfehem edhe pse më kërcënojnë”. Kështu mësohet se i është drejtuar organit të akuzës i pandehuri Bujar Buzani, akuzuar për ngjarjen e datës 23 maj 1997 në qytetin e Cërrikut ku mbetën të vrarë 6 gardistë dhe u plagosën disa të tjerë.

Dëshmia “bombë”

Ai ka vënë në shënjestër të krimit vëllezërit e tij si dhe kushërinjtë. Por nuk ka lënë jashtë pa lakuar edhe persona të tjerë. Në këto kushte Prokuroria ka kërkuar ndihmën e burgjeve për ta sistemuar në spital, atje ku ndodhen edhe dy të penduar të tjerë, Petrit Liçi dhe Adriatik Coli. Që të gjithë mbahen në kontroll të rreptë. Madje burime nga burgu bëjnë të ditur se këtyre personave u kontrollohet edhe ushqimi kur u serviret. Buzani edhe gjatë seancave gjyqësore shoqërohet nga 5 oficer të Briskut. E njëjta skemë ndiqet edhe me Petrit Liçin e Adriatik Colin e bandës së Durrësit, i cili ka rrëfyer gjithçka dhe në sallë ruhet nga forcat RENEA. Bujar Buzani, i pandehuri dhe i penduari që rrëfeu gjithçka që dinte për ditën e 22 majit 1997 para togave të zeza, në marrëveshje me Prokurorinë, ka përfituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë. Falë kësaj marrëveshjeje, Buzani përfiton mbrojtje nga shteti për vete dhe për familjen e tij.

Të penduarit e Prokurorisë

Prokuroria e Krimeve të Rënda tashmë e ka më të lehtë të vërtetojë akuzat e bandave të mëdha kriminale. Për secilën bandë, e cila shkatërrohet, akuza nxjerr nga një të penduar. Por ka edhe nga ata që nuk i binden akuzës edhe pse fillimisht firmosin për të rrëfyer gjithçka dhe për të fituar statusin e bashkëpunëtorit. Deri tani akuza numëron disa bashkëpunëtor. Kemi bandën e Lushnjës me Petrit Liçin, bandën e Durrësit me Adriatik Colin, kemi grupin e të pandehurve që akuzohen për ngjarjet e Qafë – Gjashtës me Vladimir Sinanin. Ky i fundit edhe pse ka rrëfyer ngjarjen ashtu si e ka përjetuar, ende nuk e ka fituar statusin e të penduarit. Por më i fundit është Bujar Buzani i bandës së Cërrikut. Që të gjithë përfitojnë nga statusi i të penduarit. Jo vetëm të pandehurit, por edhe familja e tyre përfiton nga ky status. Akuza i ka marr në mbrojtje duke i siguruar në momentin që vijnë në gjykatë, ashtu edhe gjatë kohës së qëndrimit në burg.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›