E Shtunë, 31 Tetor 2026

Violina e cakorduar e shovinizmit maqedonas

Protestave të përditshme të grupeve të ndryshme para qeverisë po ia shoh sherrin edhe unë. Ato i kanë nxitur neuronet e mia që të marshojnë prej trurit të vogël e deri te korja e trurit të madh me ankesën e vetme se i kam bombarduar duke dëgjuar vetëm një instrument dhe një tingull - "violinën e çakorduar". Neuronet e trurit tim të angazhuara për të perceptuar tinguj nuk kanë fare faj, ngase unë kohëve të fundit po dëgjoj dhe shikoj shumë lajme që transmetohen nëpër mediat tona dhe për këtë shkak te unë është ngritur kryengritja e neuroneve që janë duke luftuar për të drejtat e tyre. Unë nuk jam si Maqedonia e vitit 2001 që t'i quaj ata terroristë e banditë, as vjedhës e as vrasës, por po veproj si të isha shteti më demokratik në botë - ju them se ata kanë plotësisht të drejtë për këtë kryengritje dhe se fajtorë për gjithë këtë jam pikërisht unë. Në fakt unë jam vetëm fajtorë indirekt, ngase informacionet e sferave të ndryshme që po dëgjoj çdo ditë i ka nxitur neuronet e mia në këtë "kryengritje". Me faj direkt apo indirekt, unë duhet si e si ta zgjidh këtë problem, duhet ta shuaj disi këtë "kryengritje". Mora rrugën një ditë nga Ohri, që në dialog me qelizat e mia nervore ta përpilojmë një marrëveshje kornizë me qëllim të shuarjes së kryengritjes së tyre në lidhje me padrejtësinë që ua kam shkaktuar, andaj dhe i pyeta se cilat janë kërkesat e tyre. Ato kërkuan që marrëveshjen e bërë me to në Ohër ta implementojë pa asnjë ndryshim, e jo rrugës duke ardhur nga Shkupi, aty te kthesa në Kërçovë, të bëjë ndërhyrje në ligjin e gjuhës e pastaj në hyrje të Tetovës ta ndryshojë preambulën dhe kështu në çdo ndalesë të pagesave rrugore të ndryshojë nga ndonjë amendament të marrëveshjes sonë. Ah çka janë këto neuronet e mi! Nuk ju kanë ngjarë fare subjekteve politike shqiptare. Po të ishte ashtu, unë do ta kisha shumë lehtë - edhe do ta shuaja kryengritjen edhe kur do të arrija në Shkup nuk do ta kishin fare të qartë se çka jemi marrë vesh. Kërkesa e tyre e dytë është që ta ndërpres urgjentisht përcjelljen e punës së partive politike shqiptare, ngase kjo reflektohet te ato sikur e dëgjojnë tingullin e violinës së çakorduar. U mundova t'i bindë se ai tingull që vjen nga çiftelitë dhe sharkitë e shahirëve tanë ju duket si i tillë, ngase instrumentet e tyre janë jo shumë të reja, se për shkak të krizës ekonomike globale s'kanë mundur të sigurojnë më të mira, pastaj u thashë se bashkëqytetarët tanë maqedonas kanë probleme me intonacion dhe nuk po munden ende mirë ta interpretojnë këngën e tyre të identitetit dhe të emrit, andaj edhe këto çiftelitë tona po shkojnë pas gajdes së tyre, por megjithatë argumentet e mia nuk u morën në konsideratë. Ata kishin këmbëngulur se ai tingull vjen vetëm nga violina e çakorduar dhe se do ta shuajnë "kryengritjen e tyre" vetëm nëse unë ia bëj hallin këtij tingulli. Me këtë më vunë në pozitë të palakmueshme dhe nuk kisha alternativë tjetër, pos t'u premtoj se më nuk do t'i detyroj ta dëgjojnë atë tingull. Në botën e artit muzikor tingulli i violinës së çakorduar është sinonim i tingullit që shkakton rrëmujë në pjesën e trurit që është përgjegjëse për pranimin e zërave. Thuhet se kur u bihet telave të çakorduar të violinës me dorezën e saj, nuk ka njeri që nuk neveritet nga ai tingull. Kjo gjendje e këtij tingulli ma kujton situatën politike në të cilën gjendemi kohëve të fundit në të cilën ka aq shumë lajme, aq shumë situata e aq shumë veprime politike të cilat kur i pranon një "vesh", shkaktojnë apati, defetizëm, pesimizëm, zhgënjim e dëshpërim. Shfletoni gazetat tona, lexoni artikujt e analistëve të ndryshëm politikë dhe do të hasni në gjendjen emocionale të shqiptarëve të cilën e përmenda pak më lart. Prandaj kujtoj se është koha e fundit që të fillohet të dilet nga kjo situatë. Ata që ia kanë mësyer të merren me politikë, le ta dinë se ky popull nuk ka më kohë për t'i dëgjuar violinat e çakorduara. Ato që mëtojnë të jenë bartës të përgjegjësisë kolektive shqiptare le ta dinë se popujt e tjerë tashmë i kanë formuar filarmonitë e tyre dhe në mënyrë maestrale po e orkestrojnë të ardhmen e popujve të vet. Është koha e fundit të braktisen çiftelitë e vjetra që prodhojnë zërin e violinës së çakorduar, është koha kur duhet të mendohet për formimin e orkestrës sonë e cila do të dijë se si duhet orkestruar politikisht në këto kohë. Brenga ime është se nëse vazhdojmë në këtë mënyrë dhe me këtë temp ta prodhojmë zërin tonë politik, do të mbetemi edhe gjatë kohë nën hijen e orkestrës maqedonase duke qenë të vendosur në radhën e fundit të saj, ku është e parëndësishme se si e çka interpreton. E kur ata ta ndalin zërin, do të dëgjohet vetëm zëri ynë i violinës së çakorduar. Instrumentet muzikore janë të lloj-llojshme: çiftelia e fyelli janë nga më të thjeshtët, ndërsa instrumentet e reja, të përpunuara nga arritjet më të fundit të botës së teknologjisë, si sintisajzerët e ndryshëm etj., janë më të komplikuara. Ndonëse nuk është me rëndësi në cilin instrument luan, por me rëndësi është të kesh vesh muzikal që të mund të akordosh instrumentin tënd me qëllim që tingullin që e prodhon të jetë i kapshëm për veshin e pranuesve të atij tingulli. Andaj edhe politikanët tanë nuk është me rëndësi çfarë instrumenti posedojnë, por me atë që e kanë duhet të dinë të akordohen mirë që të mund të prodhojnë tinguj të bukur, tinguj të cilët jemi duke i pritur dhjetëra vite. Ju lutem kini pak sens për muzikë!!!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›