Presioni i Bashkisë, 10 firma ndërtimi gati dokumentet për tapitë

Zedhenesja e Bashkise se Tiranes, Anila Bisha
Pas publikimit të listës së zezë të Bashkisë së Tiranës për firmat që nuk plotësonin dokumentet për hipotekimin e banesave, 10 prej tyre janë vetofruar të nisin bashkëpunimin. Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës publikoi një listë me 95 subjekte dhe individë të cilët mbanin peng dokumentacionin për hipotekimin e pallateve. Në një njoftim për shtyp, dje zëdhënësja e Bashkisë njoftoi se 5 prej tyre kanë filluar bashkëpunimin. Pas ndërprerjes së çdo shërbimi që Bashkia ofron ndaj këtyre subjekteve, një pjesë e tyre kanë nisur të riaktivizohen. Pranë Bashkisë së Tiranës, 5 prej këtyre subjekteve dhe, konkretisht Konuda, 4 Grykët, Kukeli, I G dhe EM LE, kanë sjellë një pjesë të dokumenteve dhe janë në proces të përfundimit të dosjeve të tyre, për tu pajisur me lejet e përdorimit. Sipas të dhënave nga riaktivizimi i këtyre subjekteve, i hapet rruga hipotekimit të 278 apartamenteve, me përftues direkt rreth 1120 qytetarë. Sipas njoftimit, nga informacionet e marra nga Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Informale, edhe 5 subjekte të tjera, të cilat ishin në listën e zezë të Bashkisë së Tiranës, konkretisht FERRAR sh.p.k, MATRIX KONSTRUKSION, Al & GI, dhe personat fizikë Arben Nuriu dhe Kastriot Bilica janë riaktivizuar, duke paraqitur dokumentet e domosdoshme, për legalizimin e objekteve të ndërtuara prej tyre. Duke qenë se procesi i hipotekimit është dhe mbetet prioritet kryesor i Bashkisë së Tiranës, ne u bëjmë dhe një herë thirrje të gjitha subjekteve të përmbushin detyrimet e tyre ndaj qytetarëve. Pa përmbushur këto detyrime, dyert e Bashkisë së Tiranës do të jenë të mbyllura për këto subjekte, pronarët e tyre dhe çdo kompani tjetër e regjistruar në emër të tyre. Bashkia e Tiranës nuk do të ofrojë asnjë shërbim për ta, deri në përfundim të këtij procesi sipas ligjit.