E Diel, 1 Nëntor 2026

Violinisti shqiptar pushton skenat italiane

ITALI- Violinisti Olen Çezari interpetoi sot në studion e “I fatti vostri” në televizionin Rai 2 të Italisë, ku ishte i ftuar, melodinë e këngës “Anema e core”, pjesë e albumit të tij të parë “Unexpected”.
I larguar nga Shqipëria në fillim të viteve ’90, Çezari luajti në studion italiane melodinë e këngës napoletane dhe me anë të notave të qeta, përcolli për të pranishmit në studio "muzikë cilësore", siç dhe e cilësoi atë drejtuesi i emisionit Marcello Cirillo.I pyetur nga ky i fundit se si ndodhi që ai realizoi albumin e tij “Unexpected” në bashkëpunim me dy artistë të mëdhenj të muzikës italiane, Sergio Cammariere dhe Lucio Dalla, violinisti shprehet sa ja doli për fat pasi i ka të dy miq.

“Me Sergio kam 15 vjet që bashkëpunoj, me Lucio që në ’97-tën dhe në një moment erdhi rradha ime që të bëja një album. U thash se albumi ka 13 këngë nga 13 vënde të ndryshme dhe në Itali doja ndihmën e miqve të mi të vërtetë”, tha Çezari. Violinisti, që ka nisur t’i bjerë violinës që tre vjeç, nuk nguroi të interpetonte në moment edhe një këngë për t’i uruar ditëlindjen drejtuesit të emisionit Cirillo, fakt që u vlerësua shumë prej tij.

Në fillim të verës, Olen Çezari do të fillojë turnetë e tij me albumin e parë "Pa pritur", që do të nisin nga Venecia, Roma në Itali, me dëshirën për ta çuar në Europë dhe kudo në botë.
Albumi i parë i violinistit, i dalë vjet në nëntor pas shumë vitesh punë, përmban 13 këngë nga 13 vënde duke filluar nga Argjentina e deri në Austri, ku përfshihet edhe Shqipëria me këngën “A kanë ujë ato burime” kënduar nga Elsa Lila. Kritika e ka ciluar si “Paganini i ri".
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›