Shkumbini mbetet në Superligë, në Durrës ka tension
DURRES- Shkumbini ka siguruar qëndrimin në Superligë, pas fitores 1-0 ndaj Mamurrasit, në ndeshjen e “play-out”-it të zhvilluar sot pasdite në “Niko Dovana” të Durrësit. Takimi ka qenë mjaft i bukur, por është shoqëruar edhe me momente të shumta tensioni. Në minutën e 71-të, arbitri nga kryeqyteti Ervis Peza nxorri me karton të kuq lojtarin e Mamurrasit Ivanaj dhe kjo bëri që presidenti Ded Ndreca ta largonte skuadrën nga fusha e lojës, duke ndërprerë ndeshjen. Ajo ka rinisur pas 6 minutash negociatash. Koha e rregullt ndërkohë përfundoi në barazim pa gola dhe për të caktuar skuadrën që do të luajë në Superligë, u desh koha shtesë. Peqinasit kanë kaluar në avantazh pas vetëm 3 minutash, me Mustafajn, që pasi shmangu edhe portierin Myrtaj, realizoi i qetë. Lojtarët e Mamurrasit protestuan ashpër për një pozicion jashtë loje, madje arbitri anësor mori edhe një goditje të lehtë në stomak. Gjithsesi, goli i shënuar nga Mustafaj ka qenë mëse i rregullt.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)