Kultura RAE
Ekspozita të fotografive, shfaqje të të rinjve, performanca, debate, shfaqje të filmave, koncerte dhe aktivitete të tjera kulturore të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian do të jenë ngjarjet që do ta shënojnë këtë javë.
Me mbështetjen Europiane për Implementimin e Strategjisë rome, ashkali dhe egjiptiane, i mbështetur edhe nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Europian në Kosovë dhe i implementuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), të hënën, në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, është hapur Festivali i Kulturës Rome, Ashkali dhe Egjiptiane, i cili do të vazhdojë deri më 29 maj.
Ekspozita e fotografive “Përmes syve të mi”, ishte aktiviteti i parë që njëherit shënoi edhe hapjen e këtij festivali. Të pranishëm në hapjen e festivalit qenë edhe ministri i kulturës Memli Krasniqi dhe Kjartan Björnsson, kryesues i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Europian.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në politikën e saj programore si njërën nga prioritetet më të rëndësishme e ka vendosur promovimin, ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës. Ne kemi mbështetur dhe vazhdojmë të mbështesim projektet që në esencë prezantojnë mbrojtjen e kulturës dhe nxisin diversitetin kulturor”, u shpreh ministri Krasniqi, në hapje të festivalit.
Ministri Krasniqi tha se kjo ngjarje përben një moment të rëndësishëm për diversitetin kulturor në Kosovë. Sipas tij, ky festival i kulturës rome, ashkalike dhe egjiptiane është një ngjarje e rëndësishme për promovimin e kulturës së këtyre tre komuniteteve në Kosovë dhe është një dëshmi e jetësimit të promovimit, ruajtjes, zhvillimit e afirmimit të diversitetit etnik e kulturor në Kosovë. Krasniqi u zotua të ofrojë përkrahje dhe kushte të barabarta për të gjithë pa asnjë dallim.
Në anën tjetër, shefi i Operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Kjartan Björnsson tha se do të vazhdojnë të mbështesin komunitetet në Kosovë jo vetëm në promovimin e kulturës por edhe në edukim e fusha tjera.
“Kjo është vetëm një nga përpjekjet tona që të përmirësojmë jetën tuaj”, tha ai.
Ndërkaq Aliriza Arënliu, kryesues i Bordit të Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, tha se duhet të krenohemi me pasurinë kulturore të këtyre komuniteteve.
Në ekspozitën në Teatrin Kombëtar, e cila shënoi hapjen e festivalit, u prezantuan fotografi të marra nga rinia e këtyre tri komuniteteve, të cilët kanë ndjekur seminare treditore të fotografisë të ligjëruara nga fotografi Naim Shala. Ata kishin mundësi për të treguar krijimtarinë e tyre përmes fotografisë, duke shprehur se si ata e shohin jetën përmes syve të tyre. Një numër i madh i fotografive i është dorëzuar fotografit Shala gjatë seminarit, por vetëm 60 prej tyre janë përzgjedhur për ekspozitë.
Ndërkaq, të martën është bërë hapja e ekspozitës etnologjike “Kush jemi ne” në Muzeun Etnologjik në Prishtinë.
Ekspozita e sendeve, veprave të artit dhe fakteve, ku do të shfaqen karakteristikat për romët, ashkalitë dhe egjiptianët, do të krijojë mundësinë që vizitorët të njihen me rite të veçanta dhe ceremoni që këto tri komunitete i kanë (ritet e lindjes, martesës dhe vdekjes), me traditën e tyre, veshjen, historinë si dhe fakte të rëndësishme. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 29 maj.
Edhe ditët vijuese do të jenë të mbushura me aktivitete të këtyre tri komuniteteve. "Ne jemi e ardhmja" titullohet shfaqja e të rinjve, që do të jepet në teatrin Dodona, të mërkurën në ora 12. Performanca përbëhet nga shtatë pika të ndryshme, që lidhin tema të ndryshme sociale përmes muzikës dhe gjithashtu duke treguar histori personale të aktorëve të rinj.
“Promovimi i vlerave të Bashkimit Evropian: Integrimi i komuniteteve rom, ashkali and egjiptian përmes medieve dhe kulturës” është titulluar debati që do të mbahet të ënjtën në Sheshin 21, duke filluar në ora 11. ky debat ka për qëllim shqyrtimin e rolit që luajnë mediet dhe kultura në procesin e integrimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në shoqërinë kosovare e që kontribuon në zhvillim të shoqërisë demokratike dhe multietnike në Kosovë. Diskutimi do të vejë në pah problemet kyçe me të cilat ballafaqohen këto tri komunitete për rrjedhimin e informatave si dhe për nivelin e tanishëm të promovimit dhe për hapat e mëtutjeshëm në përmirësimin e gjendjes në të ardhmen.
Ndërkaq, të premten, në Sheshin Nëna Terezë, do të mbahet Festivali rrugor, në të cilin do të performojnë artistë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian. Muzika nuk do të ndalet aspak gjatë ditës së premte, pasi që në ora 20, në teatrin Oda, do të fillojë koncerti, i cili konsiderohet ngjarja kryesore e festivalit. Në këtë koncert do të paraqiten artistët lokalë rom dhe mysafirët nga Maqedonia, ansambli Rushit Shakir dhe orkestra Toni Kitanovski & Cherkezi Orkestra.
Të shtunën, më 28 maj, në Tetris, do të bëhet shfaqja e filmave të shkurtër dokumentarë në lidhje me romët, duke u pasuar më pas me diskutime për filmat dhe temat e tyre.
“Dy tregime të dashurisë” është filmi i regjisores Shota Bukoshi, që flet dy çifte rome, ndërsa filmi tjetër që do të shfaqet është “Një diell, një komb” i regjisorit Sami Mustafa, i cili flet për jetën e komunitetit rom në kampin e Plemetinit.
Shfaqja e këtyre filmave do të bëhet edhe të dielën në Mitrovicë, me ç’rast edhe do të përfundojnë aktivitetet e këtij festivali.