Virant rikonfirmon mbështetjen për integrimin e Shqipërisë në BE

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, vizitë dyditore në Slloveni
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, me ftesë të homologut të saj slloven, Gregor Virant u nis për një vizitë zyrtare dyditore në Slloveni, ku pritet të takohet me zyrtarët më të lartë atje. Në ditën e parë, kryeparlamentarja Topalli u takua me homologun e saj, Virant. Pasi shprehu mirëseardhjen, Virant vlerësoi këtë vizitë të Kryetares Jozefina Topalli si një kontribut në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira që parlamentet dhe të dy vendet kanë me njera-tjetrën. Kryetarja Jozefina Topalli falënderoi homologun Virant për mbështetjen që Sllovenia në vite ka dhënë ndaj proceseve integruese të Shqipërisë duke kërkuar mbështetjen për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë drejt BE. Në mënyrë të veçantë Kryetarja e Kuvendit shprehu mirënjohjen për angazhimin e fortë të qeverisë sllovene në heqjen e vizave për shqiptarët në hapësirën Shengen. Kryetari i Parlamentit, Virant i rikonfirmoi Kryetares së Kuvendit mbështetjen e palëkundur të Sllovenisë për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian duke shprehur optimizmin e tij për marrjen e statusit kandidat brenda këtij viti. Kryetarja e Kuvendit njohu Kryetarin e Parlamentit të Sllovenisë me angazhimin e Shqipërisë për të çuar përpara reformat e integrimit dhe për të bërë çdo gjë që vendi të meritojë statusin e vendit kandidat, për të hapur kështu një perspektivë të re për objektivin kombëtar, integrimin në BE. Krahas marrëdhënieve shumë të mira politike midis dy vendeve, dy personalitetet vlerësuan edhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik. Në këtë drejtim, Kryetarja Jozefina Topalli dhe homologu i saj, Virant vlerësuan se bashkëpunimi ekonomik duhet të mbështetet në rritjen e shkëmbimeve tregtare si dhe nxitjen e investimeve me interes të përbashkët në energjetikë, infrastrukturë, ndërtim, turizëm, transport etj. Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi, kryetarja Topalli do të ketë takime të veçanta edhe me Presidentin slloven, Danilo Türk, kryeparlamentarin slloven, si dhe ministrin e Jashtëm, Karl Erjavec. Vizita zhvillohet në kuadër të thellimit të bashkëpunimit ndërparlamentar si një fushë shumë e rëndësishme bashkëpunimi, si dhe intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, ndërkohë që Sllovenia ka dhënë mbështetje të vazhdueshme në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, e në veçanti për përmbylljen me sukses të dosjes së liberalizimit të vizave për Shqipërinë.
...