E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mes dy 8 maj-eve; nga kryetar bashkie në lypës

09-05-2012 / Nga Ilir Nikolla

Kalendari politik për presidentin ka zbuluar shumë shpejt vlerën politike të kryetarit të opozitës. Ai shumëzoi me zero kauzat e disa viteve, vetëm për mbijetesën e tij politike. Pa mbështetjen e karteleve të ndërtimit dhe të buxhetit të bashkisë, Edi Rama ka zbuluar vlerën e tij të vërtetë, atë të një lypësi (në politikë). Po të mos ishte rasti i presidentit, sebepi i lypjes do kërkohej nëpër organizata ndërkombëtare, duke u hequr si i keqtrajtuar, si i sëmurë, si në depresion, apo edhe duke kërcënuar me vetëflijim

Përvjetori i zgjedhjeve vendore të 8 majit është shenjuar dje me një takim mes kreut të opozitës Edi Rama dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, partneri i dytë i koalicionit qeverisës. Ky vit kalendarik ka konfirmuar metamorfozën rrënjësore të një politikani, i cili sapo është shkëputur nga copa e pushtetit që kishte zaptuar prej 11 vitesh, dhe ka nisur një pikiatë jokoherence, e cila regjistroi dje pikën e vet më të ulët. Ish-kryetari i bashkisë vijoi nga korriku deri në nëntor një sjellje politike për inerci, duke e pandehur veten ende me rrobën e kryetarit të bashkisë, bashkë me fijet e shantazhit okult që e ndihmonte të nxirrte ndonjë rezultat formal. Prej këndej rrodhi edhe dështimi i radhës për të marrë statusin e vendit të kandidatit për në BE. Por kësaj faze i takon edhe izolimi i madh ndërkombëtar i liderit të opozitës shqiptare, i cili publikisht etiketohej në Komisionin Evropian, në Strasburg apo edhe në SHBA si një politikan që punon kundër interesave të kombit të vet.
Ky tam-tam izolimi solli edhe ndryshimin e kursit. Edi Rama firmosi marrëveshjen e 14 nëntorit dhe bëri sikur miratoi disa ligje me 3/5-at. Shkoi në SHBA dhe u përbetua se ishte penduar për rolin e luajtur prej plangprishësi, por prej andej erdhi pa asnjë deklaratë zyrtare nga Departamenti i Shtetit dhe pa asnjë foto zyrtare me interlokutorin Ryker. Në kërkim të dëshpëruar për një shkas që të futet në lojën e madhe të politikës, shpresa e tij e vetme e kalendarit ishte nisja e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Prandaj edhe e gjithë energjia u përqendrua aty. U harrua kursi radikal që prodhoi 21 janarin dhe tonelatat e bojës që ishin derdhur kundër LSI-së dhe Ilir Metës si “paterica” që mban në pushtet Sali Berishën. Kryetari i bashkisë deri më 8 majin e 2011-s, që s’përtonte të blinte çmime nëpër botë, ndërkohë që tiranasve të thjeshtë ua kishte mbyllur të gjitha dyert e bashkisë së tyre, u shndërrua në një sekser të vogël votash fluide. E provoi duke bërë prapaktheu 180 gradësh për Gërdecin dhe po e vijon duke konfirmuar publikisht se s’ka asnjë perspektivë politike, nëse s’ia arrin dot disi të mballosë një marrëveshje të re politike me Ilir Metën.
Ky rol prej lypësi na kujton se nëse s’do të ishte shkasi presidencial, do të ishte një shkak tjetër, por me të njëjtën pasojë. Po të mos kishte kalendari politik këtë stacion të caktuar, do të vijohej me qurravitjet në organizatat ndërkombëtare, do të përmendeshin sërish “fetuset” inekzistente të Griseldës, bile do të shkohej edhe më larg, tek sakrifikimet e vakteve ushqimore nëpër rrugë. Një diplomat i lartë ndërkombëtar e tregonte si çudinë e vitit, një çast histerie të Edi Ramës, i cili, duke mbrojtur grevën e urisë, i tha se po të futej ai në çadër, s’do të dilte më i gjallë. Një fazë e re vetëflijimi do të regjistrohej në pikiatën e ish-kryetarit të bashkisë, nëse në kalendarin politik të ditës s’do të ishte momenti i zgjedhjes së presidentit të ri. Nëse s’do shkohej deri tek vetëflijimi, e sigurt është se emailet e organizmave ndërkombëtare do të mbusheshin me “gjendjen e rëndë shëndetësore” të liderit të opozitës, me “përpjekjet e Berishës për ta çuar liderin e opozitës në depresion” apo edhe me “një fushatë kundër marrëdhënieve personale të liderit të opozitës”.
Por kalendari presidencial na ka ndihmuar për ta lexuar shumë mirë pikiatën e Edi Ramës. Ai shkoi në Gjirin e Lalzit për t’i kërkuar Ilir Metës falje, duke i bërë kurban katër jetët e 21 janarit, duke i shitur ata qesim...sepse takimi merret vesh se është bërë pa parakushte, pra, jetët e 21 janarit, kauza morale e ngritur nga video-montazhi dhe energjitë politike të harxhuara në të, janë blatuar pa shkëmbim tek takimi i dyfishtë me Ilir Metën.
Zgjedhja e presidentit të ri natyrisht që do të ndjekë kurbën e saj kushtetuese, me të gjitha stacionet dhe pasojat që ajo ngërthen, por takimi i dyfishtë i kreut të opozitës me partnerin e dytë më të madh të koalicionit qeverisës na zbërthen qartë metamorfozën e kreut të bashkisë së Tiranës deri 8 majin e 2011-s. Mjaftoi veç një rrotullim i tokës rreth diellit për të zbuluar se Edi Rama i vërtetë s’ishte ai nazisti me vath në vesh i 1998-s, as lubia i lejeve të ndërtimit e as ideologu i ri i së majtës në 2005-n. Këto ishin bonuset që një shoqëri e dalë nga diktatura komuniste dhe e molepsur nga korrupsioni i jepnin një përfaqësuesi “par excellence” të Bllokut komunist. Mjaftoi veç një vit kalendarik për të zbuluar valencën e vërtetë të një kandidati për politikan. Dhe forumet elektronike të të majtëve shqiptarë zbuluan dje me dëshpërim se kryetari i tyre i kishte harxhuar të gjitha bonuset dhe se me politikat e tij dritëshkurtra i kishte futur në borxhe me shoqërinë, sepse kryetari i vërtetë ishte thjesht një lypës (në politikë).  

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›