“Projektit TAP - interesi strategjik për Shqipërinë, Italinë dhe Europën
Kryeministri Berisha takohet me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Gianfranco Fini, e fton për 100 vjetorin e Pavarësisë
Gjatë vizitës në Itali, Kryeministri Berisha u takua në Montecitorio, me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Gianfranco Fini. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për ta falënderuar Finin, për kontributin e tij dhe atë të qeverisë dhe popullit italian për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e saj drejt demokracisë dhe integrimit euroatlantik. Fini shprehu kënaqësinë e veçantë për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve. Pasi nënvizoi interesin e Italisë në stabilizimin dhe progresin e Ballkanit, si një interes parësor i Italisë, siguroi Kryeministrin për angazhimin e pandryshuar në thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Italisë. Kryeministri Berisha e njohu Finin me zhvillimet pozitive politike dhe ekonomike të Shqipërisë. Ai theksoi se zgjedhjet lokale të vitit 2011 shënuan një moment kthese në zhvillimet politike në Shqipëri dhe se tashmë jeta politike dhe ajo parlamentare i janë kthyer normalitetit të plotë dhe se tashmë opozita i është rikthyer rolit të saj institucional. Kryeministri theksoi se këto zhvillime kanë ndikuar në një progres të dukshëm në plotësimin e prioriteteve të vëna nga Bashkimi Evropian. Fini i vlerësoi pozitivisht këto zhvillime, në kuadër të vendimmarrjes së BE-së për dhënien e statusit kandidat Shqipërisë. Bashkëbiseduesit diskutuan tema të interesit dypalësh në marrëdhëniet ekonomike dhe potencialet që Shqipëria ofron për investitorët italianë. Kryeministri Berisha u shpreh se është me rëndësi të madhe paraqitja sa më e mirë tek investitorët italianë e këtyre potencialeve dhe forumet e biznesit, si ai që u zhvillua, janë një mundësi e shkëlqyer. Në takim u diskutua edhe për projektet e mëdha energjetike pan-evropiane. Lidhur me këtë u nënvizua interesi strategjik i projektit TAP, në kuadër të sigurisë energjetike jo vetëm në Shqipëri dhe në Itali, por dhe në mbarë rajonin dhe Evropën. Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për zhvillimet politike në eurozonë dhe në rajonin e Ballkanit, ku fokus të veçantë pati diskutimi në lidhje me krizën ekonomike në Greqi, masat që BE po merr për përballimin e krizës financiare dhe nevojës për rritje ekonomike dhe stabiliteti në Ballkan. Kryeministri Berisha e ftoi Finin të vizitojë Shqipërinë në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, ftesë e cila u mirëprit me kënaqësi nga zoti Fini. Gjatë vizitës në Romë, Kryeministri Berisha mori pjesë në Forumin ekonomik “Shqipëria në Evropë, mundësi të reja bashkëpunimi ekonomik dhe industrial për sipërmarrjet italiane”, që u zhvillua në selinë e Confindustria-s, me pjesëmarrjen e 100 sipërmarrësve italianë dhe shqiptarë. Kryeministri Berisha iu drejtua Forumit me një fjalë, në të cilën bëri një ekspoze të përgjithshme të zhvillimeve dhe reformave ekonomike, fiskale dhe administrative, klimës së favorshme për biznes e investime, të potencialeve të Shqipërisë etj. Forumi u përshëndet edhe nga Ministri italian i Punëve të Jashtme Giulio Terzi di Sant’Agata, i cili falënderoi kryeministrin Berisha për prezencën e një numri të konsiderueshëm sipërmarjesh shqiptare në Forum. Duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve në shumë fusha me interes të përbashkët, Ministri i Jashtëm italian theksoi se duhet të shfrytëzohen të gjitha mundësitë që ofron partneriteti strategjik. Duke shprehur vullnetin për intensifikimin e mëtejshëm të shkëmbimeve ekonomike mes dy vendeve, Giulio Terzi di Sant’Agata theksoi se kompanitë italiane duhet të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë që ofron ky treg dinamik. Gjatë këtij takimi e mori fjalën edhe Presidenti i Fondacionit Farefuturo, Adolfo Urso, i cili shprehu kënaqësinë për prezencën e kryeministrit Berisha në këtë Forum që do të shërbejë si një mundësi e re, për vendosjen e lidhjeve të bashkëpunimit mes sipërmarrësve italianë dhe atyre shqiptarë, në fusha me interes për vendin. Urso u shpreh se tashmë Shqipëria nuk është më vetëm një vend për të investuar apo promovuar produktet italiane, por mbi të gjitha është një vend partner i Italisë. Ai theksoi se në sajë të përpjekjeve të mëdha të qeverisë shqiptare dhe reformave të zbatuara prej saj, Shqipëria është sot vend anëtar i NATO-s, si dhe një vend i cili po ecën përpara në procesin e integrimit evropian. Urso e cilësoi Shqiperine si një model rritjeje dhe zhvillimi në zonën e Ballkanit, si dhe vlerësoi reformat politike, ekonomike, privatizimet e rëndësishme, si dhe klimën shumë të mirë ndaj biznesit të huaj, si faktorin kryesor të rritjes ekonomike në Shqipëri dhe mosprekjes nga kriza, ashtu sic ka ndodhur ne vendet fqinje të saj. Në përfundimit të takimit, u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Postës shqiptare dhe Postës italiane.
...