E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët: Zjarri në “Ardeno” erdhi nga shkëndija elektrike



Ekspertët janë shprehur dje se ishte një shkëndijë në panelin elektrik shkaku i shpërthimit të zjarrit që dogji godinat e kompanisë së mobiljeve “Ardeno". Dëmi i shkaktuar llogaritet mbi 10 milionë euro. Pas luftës me zjarrin e fuqishëm të ditës së pardjeshme në firmën “Ardeno”, zjarrfikësit kanë dalë me versionin e parë të shkaqeve të mundshme të zjarrit që dogji të dytin biznes brenda një jave në autostradën Tiranë-Durrës. Ekpertët konstatuan se zjarri ka shpërthyer si pasojë e një shkëndije në panelin elektrik të katit të parë të godinës “Ardeno”. Pronari i “Ardeno”-s, Tonin Alia, komentoi situatën lidhur me dëmet e shkaktuara. “Dëmi i shkaktuar është mbi 10 milionë euro. Biznesi im prej një viti figuronte i pasiguruar. Nuk arrita të bëja sigurimin për shkak të burokracive”, - tha Alia. Sipas tij, do të jetë e vështirë rimëkëmbja e biznesit që u dogj tërësisht. “Është djegur linja e përpunimit të drurit”, - sqaroi ai duke shtuar se do të përpiqet ta rimëkëmbë biznesin e tij. Në kompaninë “Ardeno” punonin rreth 40-50 persona, të cilët me shkatërrimin e fabrikës kanë mbetur pa punë. Zjarri që dogji dje godinën e kompanisë së mobiljeve të drurit ndodhej shumë pranë disa pikave të furnizimit me gaz, “Sofi Gaz” dhe “Petrol Gaz”. Zjarrfikësit mundën të shmangnin një tragjedi që mund të ndodhte në rast të shpërthimit të këtyre pikave. Po kështu ngjitur me murin rrethues të kompanisë ndodheshin disa banesa, banorët e të cilave u evakuuan për arsye sigurie.

7 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›