E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuli: ”Të deklarohen të gjitha dypunësimet e mjekëve”



Drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, ka kërkuar deklarimin e të gjitha dypunësimeve të mjekëve dhe përgatitjen e bazës ligjore për këtë çështje. Ky detyrim ligjor do të shërbejë si rregullator kryesor në punën e mjekëve dhe raportet që kanë ata me pacientët. “Për këtë çështje, unë jam që të flitet brenda një legjislacioni; të deklarohen të gjitha dypunësimet, të shqyrtohen dhe nëse nuk ka konflikt interesi, nuk jam për një ndërprerje drastike të dypunësimit në mjekësi”, - shprehet drejtoresha e QSUT-së. Sipas saj, dypunësimi i mjekëve duhet lejuar, pasi pagat që kanë mjekët janë tepër të ulëta, ka nuk e justifikon punën që kryejnë. Njëkohësisht pritet që spitali të furnizohet me medikamente dhe pajisje të tjera mjekësore.

QSUT, pritet asgjësimi i mijëra medikamenteve të skaduara
Në QSUT pritet të asgjësohen mijëra koli me medikamente të skaduara. Abuzimet me medikamentet shkojnë me mijëra euro, ku vetëm në QSUT do të asgjësohen mjaft medikamente që kapin vlerën e 100 mijë eurove. Abuzimet me barnat janë tepër të mëdha, të cilat po të ishin përdorur për blerjet e duhura, spitalet nuk do të kishin probleme me furnizimin e vazhdueshëm me barnat. Sipas disa burimeve nga Drejtoria e QSUT-së, mjaft medikamente janë blerë vetëm 3 muaj para datës së skadencës, të cilat nuk janë vënë asnjëherë në përdorim. Madje disa barna të tjera janë blerë vetëm disa ditë para datës së skadencës. Në këtë listë renditen edhe një prej barnave që përdoret për kurimin kundër HIVAIDS-it, i cili nuk është përdorur asnjëherë për pacientët e prekur nga virusi. Tashmë pritet dita e asgjësimit të tyre nga magazina farmaceutike e QSUT-së dhe zëvendësimi i tyre me blerjet e reja që do të bëhen për vitin 2009. E njëjta situatë paraqitet edhe në spitalet rajonale të vendit, ku magazinat janë të tejmbushura me barna që u ka kaluar afati i përdorimit nga pacientët. Abuzimet për blerjen e barnave kapin shifra tepër të larta, ku përllogaritet një dëm i madh për shëndetësinë. Janë këto arsyet që çuan në krizë gjithë spitalet e vendit, e cila vazhdon të jetë aktuale dhe e pazgjidhur.

Godo inspekton Spitalin e Përrenjasit, ku premton shtimin e fondeve
Spitalet e vendit janë përfshirë në një kaos për shkak të mungesave të mëdha. Për këtë arsye, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka nisur inspektimet në disa spitale të vendit.
Në Spitalin e Përrenjasit mungojnë jo vetëm ilaçet, por edhe një pjesë e madhe e aparaturave të cilat janë të domosdoshme për diagnostikimin e sëmundjeve. Ministria e Shëndetësisë, gjatë takimit që pati me mjekët e këtij spitali u shpreh se gjatë vitit të ardhshëm do të jepen fonde për fuqizimin e repartit të Pediatrisë, Patologjisë dhe veçanërisht të shërbimit në urgjencë. Mjekët theksuan se në këtë spital, gjatë një viti, janë bërë 6300 vizita dhe pjesa më e madhe e të sëmurëve ishin nga zonat rurale të Pogradecit dhe Librazhdit.

7 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›