E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, qeveria rrit numrin e përfituesve dhe pakënaqësinë e pronarëve

Më shumë se 23 mijë parcela janë miratuar nga Këshilli i Ministrave në 8 muaj e fundit. Ish-pronarët: Duam kompensimin

Qeveria shqiptare ka ecur me ritme të larta këtë tetëmujor të parë të mandatit të saj të dytë me procesin e legalizimit, por nga ana tjetër ka rritur edhe pakënaqësinë e ish-pronarëve të cilët presin dëmshpërblim. Kështu, qeveria Berisha nisur nga muaji shtator i vitit kaluar dhe deri në mbledhjen e fundit të saj ka legalizuar 23 mijë e 532 parcela ndërtimore të përfshira në pesë ndërtime, duke pretenduar edhe përfundimin e këtij procesi deri në fund të këtij viti. Por procesi i kompensimit financiar për ish-pronarët nuk ka shkuar me të njëjtin ritëm, madje nuk ka nisur. Kjo pohohet nga ana e anëtarit të kryesisë së shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Myrshit Vorpsi. Në një prononcim për gazetën Vorspsi thekson se ndonëse kanë kaluar tetë muaj nga fillimi i procesit të legalizimit nga ana e qeverisë në këtë mandat të dytë, ende nuk ka nisur procesi i dëmshpërblimit. “Qeveria pasi kaluar në këto muaj një shifër të konsiderueshme parcelash ndërtimore për miratim, ende nuk ka bërë publike se cilat nga këto parcela kanë pasur tituj pronësie dhe cilët janë ish-pronarët të cilëve u janë hequr këta tituj”, deklaroi Myrshit Vorpsi. Po sipas tij, qeveria ende nuk ka bërë procesin e njoftimit dhe jo më pastaj të nisë procesin e dëmshpërblimit financiar për ish-pronarët, të cilët kanë pasur në pronësi këto parcela ndërtimore. “Qeveria nuk po zbaton as afatin gjashtë mujor e vendosur vetë për fillimin e procesit të dëmshpërblimit të pronarëve, pas procesit të legalizimit”, theksoi Vorpsi. Sipas tij, pronarët tashmë janë të shpërqendruar në lidhje me kohën se kur do të marrin dëmshpërblimin e tyre. Blloku i parë i parcelave të legalizuara në mandatin e dytë të qeverisë ka qenë 14 tetori i vitit të kaluar ku qeveria miratoi 5.142 parcela ndërtimore. Më pas 5.161 parcela ndërtimore janë miratuar në 18 nëntor po të vitit të kaluar. Edhe në datën 23 dhjetor të 2009-s qeveria ka vendosur të japë aprovimin e saj për legalizimin e 5.433 parcelash të tjera ndërtimore. Vendimi i parë për legalizimin e parcelave këtë vit është marrë më 17 shkurt, ku Këshilli i Ministrave miratoi kalimin në pronësi të 3.694 parcelave ndërtimore. Vendimi i fundit për legalizimin është marrë në 13 prill, ku u legalizuan 4.102 parcela ndërtimore. Të gjitha këto vendime e kanë çuar në 23 mijë e 532 numrin e parcelave ndërtimore të legalizuara në këtë mandat të dytë. Kryeministri Berisha në mënyrë të qartë ka kërkuar që procesi i legalizimit të mbyllet në fund të këtij viti në të gjitha rrethet e vendit. Fundi i vitit duket se do të jetë edhe koha në të cilën qeveria do të nisë procesin e dëmshpërblimit për ish-pronarët e një pjesë të këtyre parcelave ndërtimore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›