E Diel, 1 Nëntor 2026

Virusi A/H1N1; Konfirmohen 3 raste të reja, shkon në 34 numri i të prekurve



Ka arritur në 34 numri i personave të prekur me virusin A/H1N1 në Shqipëri. Instituti i Shëndetit Publik njofton se janë konstatuar 3 raste të reja me virusin e gripit të derrit, përgjigjet e analizave të cilëve kanë ardhur nga Rumania. Rastet në fjalë janë dy qytetarë nga Berati dhe një nga Tirana. Të tria këto raste kanë qenë të shtruar në spital dhe janë trajtuar me tamiflu. Sipas burimeve nga ISHP-ja, këta persona që i përkasin moshës nga 19 deri në 51 vjeç, janë shëruar tashmë dhe janë larguar nga spitali. Burime zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur se priten përgjigjet e analizave për 200 mostra, të cilat janë dërguar në laboratorin e Bukureshtit. Rastet me virusin A/H1N1 pritet të shtohen gjatë muajit shtator, për shkak edhe të gripit të zakonshëm në këtë periudhë. Për këtë arsye, mjekët këshillojnë qytetarët që të vaksinohen ndaj gripit të thjeshtë për të qenë të mbrojtur të paktën nga njëri virus.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›