Rekomandimi; Dhuna në burgun Shën Koll, Avokati i Popullit rekomandon masa ndaj personave përgjegjës
Avokati i Popullit ka zbuluar përmes komisionerëve të tij dhunën e ushtruar dy javë më parë në burgun e Lezhës, në Shën Koll, duke lëshuar një rekomandim për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, që të reflektojë mbi rastin dhe të marrë masa ndaj personave përgjegjës. Sipas analizës së bërë nga kreu i institucionit dhe komisionerët, rezulton se polici Vokrri i përfshirë në konflikt ka rrezikuar jetën e të paraburgosurve, duke u bërë palë me disa të burgosur të tjerë. Ky rekomandim i drejtohej edhe drejtuesit të burgut, Valentin Miri, duke përmendur emra konkretë policësh në burgje, për të cilët duhen marra masa. “Avokati i Popullit, në rrugë konfidenciale, është njoftuar se më datë 10 shtator të këtij viti, në burgun e Lezhës ka pasur një konflikt fizik midis disa të paraburgosurve, si dhe është pretenduar se është ushtruar dhunë edhe nga punonjësit e Policisë së Paraburgimit Lezhë. Në këtë informacion bëhej e ditur se si pasojë e këtij konflikti ishin dëmtuar fizikisht dhe ishin izoluar me pas të paraburgosurit S. Sh., S. P., D. P., A. L., Gj. P. dhe P. K. Në bazë të këtij informacioni, Avokati i Popullit ka urdhëruar kryerjen e një hetimi administrativ nga ana e Njësisë së Parandalimit të Torturës, procedurë e cila është zhvilluar në datën 11.09.2098 në ambientet e burgut të Lezhës”, - thuhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit, deleguar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe drejtorit të burgut Shën Koll. Pas analizës së ngjarjes, Avokati i Popullit ka konstatuar se në veprimtarinë e tyre gjatë shërbimit, punonjësit e Policisë së Burgjeve, në rastin konkret Zenel Mysliu, Veli Kala, Arben Nela, Lek Filaj dhe Met Vokrri duhet të zbatonin me rigorozitet kërkesat e parashikuara në Rregulloren e Brendshme të Policisë së Burgjeve, e cila bën fjalë për Veprimtarinë e Policisë së Burgjeve, të parashikuar nga neni 22 i saj. Në këtë nen përcaktohet qartë detyrimi i punonjësve të Policisë së Burgjeve, që për çdo veprim të kryer duhet të bazohen në këtë rregullore. Duke analizuar në tërësi provat e administruara, rezulton se nga ana e punonjësve të policisë në I.E.V. Penale Lezhë, janë kryer veprime me dashje në kundërshtim me nenin 22 të Rregullores së Brendshme të Policisë Burgjeve, të cilat kanë sjellë për pasojë shkaktimin e një konflikti fizik midis të paraburgosurve. Veprime të tilla kanë vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e të paraburgosurve në këto ambiente, ndaj dhe masat që duhet të merren duhet të jenë në proporcion me rrezikshmërinë e lartë që paraqesin ato. Avokati i Popullit rekomandoi Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve të analizojë me objektivitet këtë ngjarje dhe të fillojë procedimi për dhënie të masave disiplinore ndaj personave përgjegjës.
Avokati i Popullit
Të përmirësohet gjendja në burgun e Rrogozhinës
Një tjetër inspektim është bërë dy muaj më parë në burgun e Rrogozhinës, ku janë konstatuar sërish mangësi. Po përmes komisionerëve, Avokati i Popullit është njohur me problemet që kanë të burgosurit dhe të paraburgosurit në këtë burg. Ky inspektim u zhvillua më datë 16.07.2009 dhe kishte si qëllim parësor vëzhgimin në vend të kushteve dhe ambienteve të të paraburgosurve dhe të të dënuarve që mbahen në këtë institucion, si dhe konstatimin e problemeve apo mangësive gjatë ushtrimit të veprimtarisë së administratës të këtij burgu. Një ndër problemet e konstatuara në burgun e Rrogozhinës ishte mbipopullimi, konkretisht 200 të dënuar mbi kapacitet, pra nga 270 të dënuar që duhej të ishin në këtë burg, rezultonte të ishin 480 të burgosur dhe paraburgosur. Dhe, duke pasur një numër kaq të madh të dënuarish, kërkohet domosdoshmërish shtimi i numrit të organikës, pasi është nën kapacitetin që duhet të ketë ky numër të dënuarish. Në të njëjtën kohë që ka mangësi në organikë, vërehej se kishte mangësira edhe në automjete për t’i transportuar në spital apo dhe të një dhome kur të merrnin ndihmën e parë. Një tjetër shqetësim i të dënuarve ishte ndalimi i telefonatave ditën e diel, ndërkohë që gjithë familjarët e tyre ditën e shtunë dhe të diel e kanë pushim dhe mund t’i gjejnë në banesa. Për këtë kërkuan të ndryshohet ky rregull i vendosur nga burgu. Gjithashtu, të dënuarit ngritën pretendimin se çmimi i ushqimeve dhe kartat telefonike që ata blinin brenda në burg ishte më i lartë se çmimi i po këtyre produkteve që shiteshin jashtë burgut. Avokati i Popullit e ka evidentuar edhe më parë këtë problem në disa burgje të tjera. Për rrjedhojë, lihet si detyrë që komisioni i ngritur për këtë qëllim të verifikojë në mënyrë të shpeshtë rastet e hasura me çmimet abuzuese. Dhe së fundi, një tjetër shqetësim i të burgosurve ishte mungesa e transparencës në procedurat e punësimit. Të dënuarit, të cilët kishin paraqitur kërkesë për t’u punësuar pranë Drejtorisë së Burgut, ngritën pretendimin se nuk kishte pasur transparencë në procedurat e punësimit të të burgosurve dhe llogaritjes së orëve të punës. Sipas tyre, kjo kishte krijuar hapësirë për abuzime në disa raste. Ata shpjeguan se nuk janë njohur me një kopje të evidencës së punës dhe se në mirëbesim kanë vazhduar të punojnë si të regjistruar në regjistrin e të punësuarve. Për këtë problem, - përfundon Avokati i Popullit në rekomandimet e tij, - lind si detyrë që administrata e këtij burgu të mundësojë një transparencë të plotë të procesit të punëdhënies.