Virusi AH1N1 me tendencë në ritje, sistemi shëndetësor në gjendje alarmi
Lizeta Duro
Numri i lartë i pacientëve të prekur nga virozat e stinës dhe prania e virusit të gripit AH1N1 në vendin tonë, ka alarmuar sistemin shëndetësor. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili priti dje në Ministrinë e Shëndetësisë përgjegjësit e qendrave shëndetësore dhe disa mjekë të sistemit parësor. Ministri u shpreh se virusi AH1N1 ka tendenca në rritje, për këtë Vasili kërkoi të përdoret e njëjta strategji dhe të njëjtat masa që janë marrë edhe një vit më patë për të shmangur gripin. Burime nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë me dije se deri tani janë 4 raste të prekur me virusin AH1N1 dhe se për dhjetëra raste të tjerë janë kryer të gjitha analizat dhe pritet përgjigjja e rezultateve. Sipas informacioneve tona të gjitha institucionet shëndetësore kanë realizuar vaksinimin e personelit shëndetësor, në mënyrë të veçantë personeli që është në kontakt të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm me pacientët e infektuar me gripin sezonal apo AH1N1.
Vasili
Ministri i Shëndetësisë, për shkak të situatës së krijuar tha se duhet të intensifikohet survejanca dhe se të gjitha institucionet shëndetësorë duhet të jenë në gatishmëri të plotë për të administruar çdo rast apo fluks rastesh të paraqitura me grip. Ministri, duke kërkuar bashkëpunimin e ngushtë midis qendrave shëndetësore, Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë e klinikës së sëmundjeve infektive në Tiranë u shpreh gjithashtu se për Fëmijët e moshës pediatrike sistemi i dehidrimit duhet të kryhet në çdo klinikë shëndetësore. “Mjekë të cilët operojnë si mjekë familje do të marrin kontaktin e menjëhershëm me gjithë kontigjentet që ata mbulojnë. Lidhur me fëmijët në moshën pediatrike në të gjitha qendrat shëndetësore do të aktivohet sistemi i dehidrimit. Mund të komunikohet në kohë reale për të dyshuar çdo rast i cili kërkon një trajtim të shpejtë e të menjëhershëm, pse jo dhe të përdorimit të tamiflusë në mënyrë që tu dalim përpara përkeqësimeve të panevojshme të rasteve me AH1N1” u shpreh Vasili. Sipas ministrit në të gjitha drejtoritë spitalore ka sasi të mjaftueshme stok të preparatit antiviral ose Tamiflu, masë e cila vjet bëri që Shqipëria të ketë numrin më të vogël të vdekjeve në të gjithë rajonit.
Urdhri
Prej disa javësh në të gjitha qendrat shëndetësore është afishuar urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë “Për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse”, sipas të cilit duhet të shtohet vigjilenca për të identifikuar dhe ndjekur çdo shfaqje të rasteve të ngjashme me gripin dhe me grip, formën e shfaqjes, prirjet përkatëse në kohë dhe grupet e popullatave. Sipas urdhrit këto të gjitha qendrat shëndetësore janë të detyruara të raportojnë me saktësi dhe çdo javë sipas formularit të sistemit alert, rastet e ngjashme me gripin dhe ose me grip. Për çdo shfaqje të veçantë duhet të njoftohen në mënyrë të menjëhershme specialistët në ISHP dhe drejtoria e shëndetit publik në vend dhe rajon, bazuar në rekomandimet e OBSH-së. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të gjitha institucionet shëndetësore janë furnizuar me oksigjen, kryesisht repartet e shërbimit të urgjencës, shërbimit të sëmundjeve infektive, të sëmundjeve pulmonare, terapisë intensive etj., janë furnizuar me pajisje dhe me mjete mbrojtëse personale (maska, doreza dhe syze) si dhe me lëndë dezinfektonte. Urdhëri parfshin gjithashtu Të gjitha institucionet shëndetësore të afishojnë në vende të dukshme materialet informative dhe edukuese për gripin.
Bashkia e Tiranës përfundon projektin për rikualifikimin urban të sheshit “Ataturk”
Pas transformimit të sheshit Ataturk, në funksion të një qarkullimi më të mirë të mjeteve, Bashkia e Tiranës ka përfunduar edhe projektin për rikualifikimin urban të këtij sheshi, duke transformuar të gjithë zonat këmbësore dhe pamjen e të gjithë fasadave që e rrethojnë sheshin “Ataturk”. Nëpërmjet këtij projekti rikualifikues, katër trotuaret në perimetër të sheshit Ataturk, të cilët kanë një karakter tranzit, janë transformuar në vend - qëndrime urbane. Kjo është realizuar me prezantimin e elementëve të mobilimit urban, të cilët janë: stola për qëndrim të përkohshëm të kalimtarëve, ndriçues të posaçëm për ndriçimin e rrugës dhe për ndriçimin e hapësirës urbane, gjelbërim i lartë me pemë me kurorë të dendur në mënyrë që të krijojnë një hijëzim të plotë në periudhën e verës, ushtarë trafiku që ndajnë vend - kalimin e biçikletave nga sheshet urbane, spote ndriçues të vendosur poshtë stolave në mënyrë që t’i bëjnë të perceptueshëm edhe gjatë natës këta elementë urbanë. “Nga një bashkëpunim me sipërmarrjen private, me grupin e Bankës Kombëtare Tregtare, Eagle Mobile Company dhe të Alb-Telecom si dhe me kontributin e arkitektëve dhe artistëve që morën pjesë në këtë projekt, ne sot i japim qytetarëve të Tiranës dhe posaçërisht këtij komuniteti që banon në këtë zonë, një hapësirë publike tërësisht të transformuar që shërben dhe do të shërbejë për këmbësorët, për familjarët, për më të moshuarit, për fëmijët por njëkohësisht që është një tjetër model që pasqyron Tiranën e së nesërmes, që pasqyron qytetin e ëndrrave dhe shpresave të të gjithë atyre që jetojnë në Tiranë dhe të atyre që dëshirojnë të vijnë për të jetuar në Tiranë, si një model që përmbush aspiratat e shqiptarëve europianë, e kryeqytetit europian të shqiptarëve në një Shqipëri që të gjithë e dëshirojmë europiane dhe të gjithë sëbashku do ta bëjmë europiane”, u shpreh Rama. Ky projekt i rikualifikimit urban të sheshit “Ataturk” është frut i një bashkëpunimi me sektorin privat, si një tjetër shprehje e një modeli bashkëpunimi dhe zhvillimi, ndërkohë që të tjera ndërhyrje dhe rikualifikime nevojiten edhe për hapësira të kësaj natyre në kryeqytet.
11 Janar 2011