E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia nis “fshesën” ndaj emigrantëve të paligjshëm shqiptarë



Anilejda Shëmbitraku

Në një kohë kur qytetarët shqiptarë po shkojnë drejt muajit të parë të lëvizjes pa viza në zonën “Shengen”, vendi fqinj, Greqia, po përgatit operacionin “Fshesa” për dëbimin e emigrantëve shqiptarë të paligjshëm në Greqi. Operacioni do të zgjasë 48 orë dhe pritet të realizohet në ditët e ardhshme. Sipas burimeve për gazetën “Albania”, për të realizuar këtë operacion, institucionet greke po presin që më parë të ndahen të gjithë klandestinët në kategori; cilët duhet të fitojnë azil politik, cilët duhet të largohen nga vendi dhe cilët do të jenë ata që do të mbeten në qendrat e mikpritjes (qendra mikpritjeje do të jenë shumë reparte ushtarake ku do të strehohen klandestinët).

Pyetësori
Në kohën kur shqiptarët po i gëzohen lëvizjes së lirë, përveç masave të tjera, qeveria greke ka përgatitur një pyetësor për emigrantët. Ky pyetësor do të përmbajë pyetje nga historia e vendeve përkatëse dhe me anë të tij qeveria do të kuptojë nëse emigrantët kanë bërë deklarime të vërteta të kombësisë së tyre apo jo. Me këtë mënyrë do të zbulohet nëse i huaji tregon të vërtetën apo gënjen. Nga ana tjetër, kjo mënyrë ka sjellë reagime të shumta nga disa organizata, pasi shumë klandestinë janë analfabetë dhe nuk e njohin historinë e tyre. Qendër e mikpritjes pritet të bëhet edhe një nga repartet më të mëdha që gjendet në Ricona, 50 km larg nga Athina, gjë që ishte diskutuar në vitin 2009, mirëpo nuk përparuan pasi reaguan banorët e zonës.

Dokumentet
Është e pamundur që emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi të plotësojnë kriteret që kërkohen për të rinovuar lejen e qëndrimit. Për pasojë, mund të mbeten 25% e emigrantëve pa dokumente. Edhe pse Ministria e Brendshme greke është angazhuar për të zgjidhur çështjen ligjore, akoma vazhdon të jetë në fuqi refuzimi i rinovimit të lejes së qëndrimit, nëse nuk plotëson ditët e punës ose të ardhurat vjetore. Sipas mediave greke, mbajnë në dorë leje qëndrimi 460 mijë emigrantë dhe familjet e tyre, ndërsa u është hequr e drejta e rinovimit të dokumenteve 140 000 emigrantëve, në pjesën më të madhe shqiptarë. 70% e emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi kanë qenë me dokumente të rregullta, madje dhe me bashkim familjar. Në fillim të vitit 2010 kanë qenë me lejë qëndrimi 592 mijë emigrantë, ndërsa gjatë gjithë vitit numri është ulur në 26%, që do të thotë se 26% kanë humbur të drejtën e rinovimit të dokumenteve dhe këta kryesisht janë shqiptarë.

Rinovimi
Emigrantët e ligjshëm në Greqi rrezikojnë dokumentet

Kur një emigrant humbet të drejtën e rinovimit të lejes së qëndrimit, automatikisht nuk ka të drejtë të marrë asistencën e papunësisë, ndërsa quhet i paligjshëm. Veçanërisht të gjithë emigrantët që kishin aktivitet të lirë privat dhe që ndaluan punën për shkak të krizës, janë bërë të paligjshëm përgjithmonë. Problemi është tejet i theksuar edhe përsa u përket fëmijëve të emigrantëve, pasi leja e qëndrimit të tyre varet nga leja e prindit dhe kështu që mbetet pa dokumente edhe fëmija që ka lindur në Greqi, apo që është rritur aty. Emigrantët, të cilëve u është refuzuar rinovimi i lejes së qëndrimit për shkak se nuk kanë plotësuar ditët e kërkuara të punës ose të ardhurat vjetore, domosdoshmërisht duhet të drejtohen te avokatët për të vazhduar me gjyq. Kjo do të rëndojë xhepin e emigrantëve, pasi avokati kërkon të paktën 1000 euro për të vazhduar çështjen, ndërsa emigranti si lehtësi ka vetëm që i jepet mundësia të qëndrojë akoma më shumë në Greqi dhe duhet me domosdo të gjejë një vend pune, pasi përndryshe do të dëbohet, edhe pse i ka kaluar çështja në gjyq.

Emigrantët shqiptarë në Greqi nuk paguhen më me para

Prej muajit mars emigrantët do të paguhen me karta, të cilat do t`i detyrojnë të shlyejnë siguracionet

Ministria greke e Financave ka gjetur një tjetër mënyrë për të pasuruar arkën e shtetit, por, mbi të gjitha, Greqia “shpik” një tjetër rrugë për të ndaluar punën e zezë dhe emigrantët e paligjshëm. Vendimi i marrë prej disa muajsh do të fillojë të zbatohet në mars dhe emigrantët dhe vendasit nuk do të paguhen nga pronarët e tyre me para, por me karta të veçanta. Prej muajit mars të vitit 2011, emigrantët shqiptarë nuk do të kenë nevojë të shkojnë nëpër zyra që të shërbehen, por me ndihmën e teknologjisë, do të shërbehen nga aparatura të veçanta që do të vendosen nëpër supermarkete, banka, institucione etj. Prej muajit mars të vitit 2011, të gjithë emigrantët dhe vendasit që punojnë nëpër shtëpi si kujdestarë të moshuarish, guvernante, pastruese, elektricistë, hidraulikë, pastrues pallatesh etj., do të paguhen me mënyrën e mëposhtme. Pronari do të marrë nga makineritë që do të vendosen në vende të ndryshme një kartë. Më pas, me atë kartë, paguan shtetasin që ka punësuar si kujdestar për fëmijët, pastrues, hidraulik etj. Shtetasi që është paguar me kartën e veçantë do të shkojë në njërën nga makineritë që do të vendosen në vendet e sipërpërmendura dhe do të futë pullën, duke plotësuar edhe numrin e tij të sigurimeve shoqërore (IKA) dhe do të marrë mbrapsht paratë, ndërsa i mbahet automatikisht shuma që duhet për siguracion.

Shembull
Nëse një emigrante punon kujdestare fëmijësh në një shtëpi, pronarja e shtëpisë do të marrë kartën nga makineria duke paguar atje 50 euro. Më pas këtë kartë ia jep shtetases së punësuar. Kjo e fundit, me kartën e saj në dorë dhe me kodin personal të sigurimeve shoqërore (IKA) do të tërheqë nga makineria paratë, ndërsa i mbahet automatikisht 10% e shumës.

Arrestimi
Kapen tre shqiptarë në Greqi për trafik klandestinësh

Tre emigrantët shqiptarë janë arrestuar pasi po transportonin me një automjet një bashkëkombësin e tyre të paligjshëm për në Athinë. Makina e dyshimtë u zbulua në kilometrin e parë të rrugës Grevena- Trikala në territorin grek. Sipas një deklarate shtypi të Policisë greke, shqiptari i paligjshëm kaloi kufirin e gjelbër më këmbë në zonën e Kosturit dhe kishte përgatitur vetë trasportimin e tij për në Athinë, kundrejt një shume të papërcaktuar. Policia sekuestroi shumën prej 1105 eurosh dhe automjetin e trafikantëve. Katër personat e arrestuar janë shoqëruar dje në Prokurorinë e Grevenasë.

11 Janar 2011

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›