E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alternativat për shpëtimin e martesës



Gëzim TUSHI

Mënyra si po konceptohet rëndësia e lidhjes individuale dhe pesha e përgjegjësisë sociale të martesës, tregon për një shmangie të dukshme nga roli, rëndësia, misioni dhe vlera e qëndrueshmërisë së saj. Kjo është arsyeja pse martesa, në kohën tonë, duket se është në “krizë identiteti” apo pse lidhjet martesore janë bërë lidhje pa shumë ndjenjë përgjegjësie. Tashmë, martesa po shfaqet si një nga institucionet më të sëmura dhe me patologji të shumta. Fjala vjen, treguesit statistikorë të divorcit në shoqërinë tonë janë në përmasa të tilla që të krijojnë shqetësim për të sotmen dhe të ardhmen e saj sepse faktet që burojnë prej saj jo vetëm nga ana sasiore, por dhe cilësore; janë të mjaftueshme për të kuptuar të vërtetë që duket dhe që tregon në mënyrë evidente se tashmë në shoqërinë tonë martesa është bërë një institucion delikat i kapluar nga probleme sociale që tashmë shfaqet në mënyrë të dukshme.
Padyshim, martesa megjithë ndryshimet tipologjike që ka pësuar në rrugën e modernizimit të saj, edhe pse ka ndryshuar shumë gjëra të thelbit dhe formës së saj, ndonëse ajo nuk është vetëm një lidhje lineare e jetës intime dhe seksuale e çiftit. Pavarësisht ndryshimeve martesa, në një farë mënyre është një shoqërizim social i një lloji të veçantë, që ka patjetër detyrime të posaçme që sjell pasoja sociale. Kjo do të thotë që martesa moderne kërkon të respektohen jo vetëm “parimet e intimitetit”, por në të njëjtën kohë edhe “rregullat e bashkëjetesës sociale”. Nuk ka martesë që në vetvete të jetë e suksesshme, nëse individët që e përbëjnë dhe realizojnë lidhjen martesore e trajtojnë atë pa peshën dhe përgjegjësinë sociale që meriton, apo që e shikojnë atë në mënyrë të sipërfaqshme, dhe për pasojë, bashkohen në këtë lidhje si qenie të pavarura, si sende të izoluara dhe subjekte biologjike, por që tregohen të palidhur me njëri tjetrin nga “tutkalli martesor”.
Si në çdo raport social, aq më tepër në lidhjen martesore, njeriu është qenie sociale dhe i detyruar që të ruajë jo vetëm individualitetin, por edhe të kontribuojë që të shoqërizohen në këtë relacion supersocial të jetës intime. Ky është kushtëzim i patjetërsueshëm i martesës, pa të cilën kjo lidhje, jo vetëm nuk ka kuptim, por dhe nuk mund të ekzistojë dhe të funksionojë normalisht. Martesa nuk institucion social që përbëhet veprimtaria intime që është e ndarë në pjesë që nuk lidhen me njëra-tjetrën, por është veprimtaria e përbashkët më e lidhura, më e ngushta dhe më organike në jetën e njeriut.
Padyshim, në këtë aspekt ka shumë arsye ekstra që e bëjnë atë të veçantë, nga që martesa është lidhje në të cilën janë të pranishme marrëdhënie njerëzore “sui generis”, që në thelbin e tyre kanë vlerë dhe prishja e të cilave është me pasoja fatale për martesën.
Kjo do të thotë se kur bëjmë martesë, duhet paraprakisht të përgatitemi shpirtërisht dhe të motivohemi nga pikëpamja sociale, duke pranuar para vetes dhe bashkëshortit se ajo është një relacion që qëndron në këmbë si institucion themelor i jetës sociale dhe jo vetëm nga ndjenja reciproke. Martesa është relacioni social më themelor, më intim, në të cilën interesat e përbashkëta të çiftit janë fare të ngushta (por jo të shkrira).
Martesa nuk mund të qëndrojë nëse ajo nuk bëhet pjesë e shqetësimit të përbashkët të çiftit martesor, e përpjekjeve komplementare për ta mbrojtur atë nga rupturat, ndryshku i kohës dhe acidet gërryese të modernitetit. Pra, nëse do të bënim një “operacion” institucionit dhe problemeve të martesës në shoqërinë tonë, do të shikojmë se ajo ka të dëmtuara disa prerje, që e bëjnë atë një lidhje sociale të përveçme, unike, të llojit të veçantë. Nëse martesën e shikojmë së jashtmi apo thjesht si një institucion që favorizon realizimin e seksualitetit dhe jo si institucion në të cilin ravijëzohen në mënyrë të njëtrajtshme dhe koherente lidhjet intime, lidhjet shoqërore dhe marrëdhëniet shoqërizuese që e bëjnë martesën një lidhje të qëndrueshme nga që brenda saj, atëherë do të thotë se nuk jemi të përgatitur që brenda saj të krijohen nga çifti disa “shtresa mbrojtëse” me natyrë intime dhe sociale.
Unë besoj se është e nevojshme që sidomos tek të rinjtë tanë të kultivojmë një ide të saktë për të veçantën që ka lidhja martesore. Vendimi për të hyrë në martesë, për të krijuar lidhje martesore dhe familje, është një vendim i llojit të veçantë, që ndryshon nga të gjithë lidhjet e tjera sociale. Nuk mund të jetë kjo as e ngjashme, as e barabartë me çdo lidhje tjetër që ka pasur njeriu para martesës, apo që mund të ketë gjatë saj apo edhe paralelisht me të. Njeriu në jetë ka shumë lidhje dhe natyrisht që bën pjesë në shumë organizime sociale dhe bashkime qytetare me njerëz të tjerë. Ato janë të shumta të dobishme, të domosdoshme. Secila prej tyre ka vendin e vet, por asnjëra nuk është e ngjashme me lidhjen martesore. Njeriu, në shoqërinë tonë tashmë të hapur dhe me format civil, mund të jetë anëtar në shumë bashkime, shoqata dhe asociacione miqësore, profesionale dhe komunitare. Por, ato nuk janë të ngjashme kurrë me afeksionin, forcën, empatinë dhe qëndrueshmërinë që ka martesa për çiftin martesor. Ajo është e veçantë dhe duhet trajtuar si e tillë.
Çështja është se martesa është e bazuar në role dhe pozicione të caktuara gjinore, sociale dhe seksuale, të cilave njeriu i mençur nuk mund t’u kundërvihet, sepse duke vepruar në këtë mënyrë me martesën në të vërtetë nuk bën gjë tjetër veçse i kundërvihesh vetvetes. Nuk ka martesë që mund t’i qëndrojë kohës nëse çifti nuk realizon rolet, detyrat dhe nuk mban përgjegjësitë respektive të martesës, si lloji më i veçantë i bashkimit të njeriut në çift. Ajo është e ndërtuar e tillë që mund të funksionojë normalisht, të jetë e qetë dhe harmonioze vetëm nëse ata që martohen pranojnë të gjitha rolet, përgjegjësitë, detyrat dhe detyrimet që ka kjo mënyrë që në çdo rast është e vetmja mënyrë intime e të “jetuarit dyshe”. Padyshim, jeta moderne është komplekse dhe e bazuar në një larmi pa fund të lidhjeve që njeriu është i detyruar të vendosë për arsye pune, profesioni, shoqërimi, ndjenje komunitarizmi apo për arsye të tjera. Çështja është që kalimi nga lidhja martesore që është lidhja më e fortë, më e qëndrueshme, më të qëndrueshme në lidhjet e tjera sociale bëhet organikisht dhe pa sforcime, kur respektohet dhe vlerësohet martesa si lidhja më kryesore.
Mbajtja e lidhjes si bashkëshortë dhe vlerësimi i veçantësisë së saj, është kusht për të bërë kalime të natyrshme individuale të çiftit, në të gjithë tipologjinë pa fund të lidhjeve sociale, profesionale, të biznesit apo komunitetit. Lidhjet e tjera sociale janë lidhje krejt të ndryshme nga lidhja martesore. Në të njëjtën kohë, të ndryshme janë edhe pasojat që vijnë në jetë tek njeriu kur prish lidhjen martesore në krahasim me destruktimin e një lidhjeje të caktuar sociale me natyrë profesionale, pune, biznesi apo me natyrë komunitare.
Në të vërtetë, situata e martesës në Shqipëri ka nevojë, jo vetëm për statistika empirike dhe vëzhgime formale të situatës së martesës dhe problemeve të saj në kohën tonë. Me sa duket, ngjarjet janë të tilla dhe intensiteti i destruktivitetit është aq i lartë saqë duhet parë më gjerë esenca e veçantë e lidhjes dashurore që është bazë e lidhjes dhe funksionimit të martesës. Kjo tani duhet analizuar më thellë dhe duhen nxjerrë konkluzione në shumë pikëpamje, përfshirë edhe atë filozofike dhe sociologjike. Në mendimin modern bashkëkohor ka shumë analiza, përpjekje dhe argumentime që të ndihmojnë të bësh dallimin midis lidhjes dashurore të martesës nga lidhjet e tjera shoqërore që njeriu në mënyrë të natyrshme ka me të tjerët që janë jashtë lidhjes së çiftit martesor. Relacionet sociale të njeriut ndryshojnë nga lidhja dhe relacionet martesore, sepse këto të fundit janë të tilla që e bëjnë çiftin martesor që në çdo kohë të jetojnë lidhjen dhe ndjenjën e tyre në mënyrë intensive dhe intime, duke abstraguar në një farë mënyre nga bota që i rrethon.
Në lidhjen martesore, që është lidhja më intime e njeriut, kanë të drejta ekskluzive mbi njëri-tjetrin vetëm ata që janë partnerë të martesës, që janë lidhur në një relacion të tillë social mbi bazën e funksionimit të ndjenjës së dashurisë. Ndërsa në shoqëri njerëzit janë të hapur ndaj të tjerëve, në martesë përgjithësisht lidhjet janë intime, bipolare dhe në të gjitha rastet, mesa duket i “treti” që ndërhyn në martesë, në lidhjen dashurore apo në jetën seksuale të çiftit është gjithnjë i “tepërt”. Ka të drejtë filozofja e shquar Hannah Arendt, kur gjykon se ndërsa lidhjet sociale të njeriut me shoqërinë janë pjesë integrale e veprimtarisë publike, martesa është lidhje e ngushtë e jetës private dhe intime. Tipologjia e lidhjes së brendshme martesore dhe e dashurisë që mban në këmbë martesën, është e një lloji të veçantë, një lidhje më shumë private, e cila për këtë shkak, sipas saj, “është e huaj ndaj botës dhe për këtë arsye, argumenton Hannah Arendt “martesa është antipolitike”.
Nëse nuk vlerësojmë këto specifika të martesës, nëse nuk dallojmë specifikën e kësaj lidhjeje, kjo do të thotë se nuk është e mundur që të ngremë një martesë që të jetë e qëndrueshme, jetëgjatë, funksionuese dhe e suksesshme...

11 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›