Virusi A/H1N1, rrezikohet hapja e shkollave për vitin e ri mësimor
Jonida Tashi
Rrezikohet hapja e shkollave për vitin e ri mësimor në vendin tonë. Megjithëse deri tani Ministria e Arsimit nuk ka bërë të ditur asnjë nga masat që mund të merren për kontrollin e virusit A/H1N1 gjatë hapjes së shkollave në shtator, sipas ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), shkollat do të jenë një terren i përshtatshëm për përhapjen e gripit të derrit. Për këtë arsye, ISHP-ja ka vendosur që të monitorojë gjatë këtyre dy javëve, para çeljes së vitit të ri mësimor, situatën e përparimit të këtij virusi. Ky fakt bëhet i ditur nga shefi i Epidemiologjisë pranë ISHP-së, Dritan Ulqinaku. Duke sqaruar situatën më të fundit të përhapjes së virusit A/H1N1 në vendin tonë, Ulqinaku ka deklaruar se ecuria e procesit mësimorë do të jetë në varësi të zhvillimit së sëmundjes. Ndërkohë që shefi i Epidemiologjisë nuk ka përjashtuar as mundësinë e mbylljes së tyre.
Masat
Në prag të nisjes së vitit mësimor Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë do të marrin një sërë masash që mund të parandalojnë përhapjen e një pandemie në shkolla. Sipas dy ministrive, të gjitha shkollat e vendit do raportojnë në rast se ka mungesa masive dhe në një situatë të tillë, shkollat do të mbyllen për të evituar përhapjen në masë të virusit. Ndërkohë specialistët e ISHP-së pranë Departamentit të Sëmundjeve Infektive thonë se me çeljen e vitit të ri shkollor do të fillojë edhe monitorimi i rreptë, pasi ambientet arsimore mund të jenë një terren i përshtatshëm për përhapjen e virusit A/H1N1. Kjo do të thotë, sipas këtyre specialistëve, se viti shkollor do të jetë në varësi të situatës epidemiologjike në vend, e cila pritet të vështirësohet në shtator edhe për shkak të gripit sezonal.
Përhapja
Specialistët kanë paralajmëruar se muaji nëntor deri në muajin mars do të jetë periudha më problematike me numrin më të lartë të rasteve të prekura nga gripi i zakonshëm, por edhe nga gripi i derrit, AH1N1. Instituti i Shëndetit publik raporton se numri i të prekurve në vendin tonë me virusin A/H1N1 shkon në 30 persona. Në buletinin e 11-të, që ka publikuar ISHP-ja, thuhet se personat e prekur janë kryesisht nga Tirana, gjashtë nga Durrësi, dy nga Gjirokastra, një nga Saranda dhe një nga Devolli. Ndërsa përsa i përket moshës, personat e prekur janë kryesisht të moshës 25-44 vjeç. Megjithë përhapjen e këtij virusi edhe në vendin tonë, fatmirësisht deri tani asnjë nga personat e prekur nga ky virus nuk ka vdekur. Madje, edhe gjendja shëndetësore e 44-vjeçarit, i cili deri para pak ditësh ishte ne rrezik për jetën, tashmë është përmirësuar.
A/H1N1, konfirmohet një rast tjetër, shkon në 30 numri i të prekurve
Gripi i derrit ka prekur edhe një person tjetër në vendin tonë, duke e çuar në 30 numrin e përgjithshëm të infektuar. Sipas të dhënave më të fundit, laboratori i Bukureshtit ka konfirmuar se një 52-vjeçare nga Durrësi është infektuar me virusin A/H1N1. Specialistët e ISHP-së thanë se mostrat e dërguara për analiza në laboratorin e Bukureshtit, në Rumani kanë konfirmuar se një gruaja 52-vjeçare, është rasti i ri i bartjes së virusit AH1N1. Nga mjekët mësohet se pas trajtimit, 52-vjeçarja është në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë burime pranë ISHP-së, deklarojnë se dyshohen për nëntë raste të reja, të cilat kanë rezultuar nga laboratori i virologjisë në ISHP me grip të tipit A, por pritet konfirmimi nga Bukureshti për nën tipin H1N1. deri tani, ISHP-ja ka analizuar 536 mostra të dyshuara dhe shumica e të cilave janë marrë tek persona aktivë, të grupmoshës 25-44 vjeç, por edhe tek mosha pediatrike.
ISKSH-ja, nënshkruan kontratat e reja kolektive te punës
Nënshkruhen kontratat e reja kolektive të punës për më shumë se 22 mijë punonjës shëndetësorë në të gjithë vendin. Instituti i Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) ka firmosur dje kontratat 3-vjeçare të punës për punonjësit në të gjitha nivelet e shërbimit shëndetësor. Kontrata rregullon marrëdhëniet mes ISKSH-së dhe Sindikatave të punonjësve të shëndetësisë. “Kjo është një traditë pozitive e ISKSH-së e cila po përsos në vijimësi si kontratën kolektive të punës e cila rinovohet çdo 3 vjet ashtu edhe ato kontrata të mëtejshme që rregullojnë marrëdhëniet e ISKSH-së me qendrat shëndetësore dhe së fundmi edhe me spitalet në të gjithë vendin. Këto kontrata vënë në baza ligjore raportet mes Institutit dhe punonjësve të shëndetësisë duke përcaktuar qartë të drejtat dhe detyrimet e palëve. Ato janë tejet demokratike pasi merret mendimi i vetë punonjësve të shëndetësisë ne hartimin e tyre”, - u shpreh drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana pas nënshkrimit të kësaj kontrate kolektive pune.
Kontrata
Kontrata kolektive e punës përcakton themelimin e marrëdhënies së punës, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e punëdhënësit dhe punëmarrësit, orarin e punës, punën e natës, pushimin vjetor, sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarit dhe mbrojtjen e ambientit të punës. Kjo kontratë përcakton gjithashtu se punonjësit e shëndetësisë kanë të drejtën e shpërblimit deri në 2 paga mujore në vit sipas performancës së arritur. Një element i ri i kontratës kolektive të punës ka të bëjë me përfshirjen më të gjerë në vendimmarrje të strukturave të sindikatave të shëndetësisë, të cilat do të kenë përfaqësues në strukturat dhe bordet e ISKSH-së në rajone. Një nga nenet e kësaj kontrate ka të bëje edhe me detyrimin e sindikatës për të denoncuar çdo spekulim që lidhet me pagesën në shërbimin shëndetësor si edhe në përfitime të padrejta në dëm të pacientit, në diskriminimet e keqtrajtimet shëndetësore etj.
1 Shtator 2009