E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mosha e tretë, ministria e Punës draft për t’iu dhënë Status të gjithë të pensionistëve



Jonida Tashi

Të moshuarit në vendin tonë së shpejti do të jenë me status të veçantë. Bëhet fjalë për një dokument që do të njihet si Statusi i të Moshuarit, të cilin do të marrin një pjesë e madhe e të moshuarve, sidomos ata që gjenden në kushte të vështira ekonomike. Ministria e Punës ka nisur hartimin e këtij statusi, puna përgatitjen e të cilit po shkon drejt përfundimit, pasi pritet që ky dokument të miratohet brenda vitit 2009. Falë këtij dokumenti, mosha e tretë në vendin tonë do të përfitojë mjaft lehtësira. Ende nuk dihet konkretisht se çfarë shërbimesh do të listohen në Statusin e të Moshuarit, por ajo që dihet është se përgatitja e tij është bërë vetëm me një qëllim, që është lehtësimi i jetës për moshën e tretë. Duke marrë shkas nga situata e krijuar në vendin tonë, ku një pjesë e madhe e pensionistëve, edhe pas ligjërimit të së drejtës për marrjen e pagesës mujore të pleqërisë vazhdojnë të punojnë, Ministria e Punës ka vendosur rishikimin e legjislacionit për personat e moshuar në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në vendimin e miratuar nga qeveria për Strategjinë Sektoriale të Mbrojtjes Sociale dhe të planit të veprimit, për zbatimin e saj, detajohen të gjitha hapat që do të ndërmerren jo vetëm për të moshuarit, por edhe për pjesën tjetër të shoqërisë që përfshihet në këtë strategji.
Punësimi
Niveli i ulët i pagesës së pensioneve ka detyruar një pjesë jo të vogël të të moshuarve që të vazhdojnë të punojnë edhe pas daljes në pension. Kështu, sipas vrojtimit të bërë nga ekspertët e dikasterit të Punës, për problemet e të moshuarve ka rezultuar se 40.5 për qind e të intervistuarve në zonat rurale kanë punuar mbas daljes në pension, kurse në zonat urbane ku tregues është 28 për qind. Përsa i përket gjinisë së moshës së tretë që bënë pjesë në fuqinë punëtore, statistikat e Ministrisë së Punës evidentojnë se mbi 37 për qind e tyre janë meshkuj, ndërsa mbi 26 për qind femra. Megjithëse Shqipëria ka popullsinë më të re në Evropë, përqindja e popullsisë mbi moshën 60 vjeç është në rritje graduale. Parashikohet që ajo të përbëjë 12.2 për qind të popullsisë deri në vitin 2010 nga 10.4 për qind në vitin 2000. Vlerësohet se afër 37 mijë njerëz mbi moshën 66 vjeç jetojnë nën kufirin e varfërisë. Të gjithë qytetarët që kanë punuar dhe kanë paguar kontributet, përfitojnë pension pleqërie, por këto pagesa sidomos në zonat rurale janë të ulëta ose sa 20 për qind të konsumit të familjeve më të varfra fshatare.
Jetesa
Megjithë mungesën e të dhënave mbi shëndetin, mirëqenien dhe përkrahjen sociale për të moshuarit, niveli i lartë i sëmundjeve kronike, barra e paaftësisë tërësisht e mënjanueshme, deprivimi ekonomik dhe mungesa e oportuniteteve sociale, nënkuptojnë që shumica e njerëzve në moshë, më shumë përpiqen të mbijetojnë sesa të jetojnë kënaqësitë e oportuniteteve personale. Në këtë mënyrë vetë shoqëria është e privuar nga kontributi që mund të përfitonte nga eksperienca e qytetarëve të saj më të moshuar, dhe për më tepër paguan një çmim për kujdesin social dhe shëndetësor. Emigracioni i të rinjve, strukturimi i familjes dhe ndryshimet në stilin e jetesës, po rritin përditë e më shumë numrin e të moshuarve të vetmuar dhe që kanë nevojë për shërbime sociale. Megjithëse shërbimet për të moshuarit ofrohen në disa qendra shërbime rezidenciale publike, por edhe ditore, këto shërbime nuk i plotësojnë nevojat e të gjithë moshës së tretë, pasi nuk mbulojnë të gjithë territorin e vendit.

De-institucionalizimi i shërbimeve për të moshuarit
Shërbimet sociale publike, janë ofruar kryesisht në institucionet rezidenciale për grupe me nevoja të veçanta, si: jetimët apo të moshuarit. Këto shërbime kanë treguar që nuk janë alternativa më e mirë për përfituesit. Shkëputja nga familja dhe komuniteti u mohon përfituesve mbështetjen e tyre dhe të drejtën për të marrë shërbime në mjedisin ku jetojnë. Dhënia e shërbimeve rezidenciale në ambiente të mëdha për shumë përfitues, pengon zhvillimin e individualitetit dhe të aftësive sociale, duke krijuar vështirësi për integrimin e tyre pas daljes nga institucioni. Gjithashtu nga studimet e bëra, rezulton se kostoja financiare e shërbimeve në qendrat rezidenciale është më e lartë në krahasim me shërbimet e tjera me bazë komunitare, të cilat, përgjithësisht, ofrohen për një kohë më të shkurtër. Për këtë, organizata dhe donatorë të huaj, i kanë prezantuar Ministrisë së Punës konceptin e de-institucionalizimit të shërbimeve. De-institucionalizimi i shërbimeve shoqërore, në thelb është proces lëvizjeje nga shërbime shoqërore rezidenciale në shërbime komunitare. Për të moshuarit, ky proces parashikon:

Për të moshuarit
Ofrimi i shërbimeve në qendrat rezidenciale do të vazhdoj të ofrohet vetëm për të moshuarit e vetmuar. Do të shfrytëzohet kapaciteti i qendrave ekzistuese dhe do të përmirësohen kushtet e jetesës për plotësimin e kërkesave të standardeve që kanë filluar të implementohen për këtë kategori sociale.
Qendrat e shërbimeve ditore pranë komunitetit që ofrohen nga operatorët publik dhe privat do të shtrihen në të gjitha qytetet e vendit në përputhje me nevojat sidomos për të mbuluar nevojat në ato zona ku nuk ka ende shërbime rezidenciale për këtë kategori. Ofrimi i shërbimeve për të moshuarit në familje do të aplikohet për të moshuarit e vetmuar dhe me patologji të rënduar. Ky shërbim i ri do të bashkërendohet edhe me profesionist të fushës së shëndetësisë.

1 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›