E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virusi A/H1N1, shkon në 7 numri i viktimave

Shkon në shtatë numri i të vdekurve nga gripi i derrit. Sipas informacioneve, viktima është një 25-vjeçar, paraplegjik nga qyteti i Korçës. Ndërkaq njoftohet se një grua shtatzënë në muajin e pestë, që dyshohet të jetë prekur nga virusi A/H1N1 ndodhet në gjendje të rëndë në reanimacionin e Qendres Spitalore Universitare të Tiranës.
Ditë më parë në vendin tonë ka humbur jetën një paciente shtatëzëne e cila ishte 18-vjeçare nga Kuçova dhe ishte në muajin e tetë të shtatëzanisë. Ndërkohë, ka nisur furnizimi i qendrave shëndetësore të kryeqytetit me vaksinën ndaj gripit të derrit. Këtë gjë e kanë konfirmuar përfaqësuesit e këtyre qëndrave shëndetësore, të cilët deklarojnë se janë të gatshëm për aplikimin e këtij vaksinimi. 10 mijë dozat e para që kanë mbërritur në vend të premten e kaluar, do te injektohen tek personat që kanë komplikacione shëndetësore, gratë shtatzëna dhe fëmijët deri në moshën 5 vjeç. Por autoritetet e shëndetësisë thonë se vaksina nuk do të jetë me detyrim. Sipas shifrave zyrtare deri në fundjavë numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me virusin AH1N1 në vendin tonë është mbi 300 persona. Sipas informacioneve vaksina ndaj virusit, AH1N1, në vendin tonë ka ardhur nga Hungaria. Përveç dhjetë mijë dozave të para që kanë mbërritur, në javët në vijim, pritet të vijnë një kontigjent tjetër.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›