Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve: Ja oraret e furnizimit të qyteteve me ujë
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Albania”, drejtori Edmond Hali tregon se cilat janë oraret e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetet e Tiranës, Durrësit, si dhe për zonat turistike. Tirana furnizohet me rreth 13 orë ujë në ditë, ndërsa qyteti i Durrësit vetëm me 3 orë. Problem shqetësues për Halin mbetet mospagesa e faturave të konsumit të ujit. Sipas tij, të gjitha qytetet duhet të ndjekin shembullin e Korçës, qytetit model në pagesën e faturave të ujit, në masën 100 për qind. Drejtori i Ujësjellësit thotë se menaxhimi i mirë i situatës ka bërë që zonat bregdetare mos të kenë probleme me furnizimin me ujë në këtë situatë krize. Drejtoria ka marrë masa lidhur me abuzimet me ujin e pijshëm. Ndërmarrja e Ujësjellësit të Tiranës sivjet ka ndërhyrë fuqishëm për eliminimin e lidhjeve të paligjshme duke shmangur abuzimet. Sipas Halit, lavazhet nuk do të lejohen në asnjë mënyrë që të punojnë me ujin e rrjetit të shpërndarjes.
Cilat janë oraret e furnizimit me ujë të pijshëm në qytetet e mëdha të vendit?
Situata e furnizimit me ujë në qytetet e mëdha është më e mirë në krahasim me vitet e tjera. Tirana ka një përmirësim të situatës së furnizimit me ujë; besoj se kjo është e ndjeshme edhe për qytetarët. Është shtuar sasia e herëve që qytetarët e Tiranës marrin ujë, njëkohësisht edhe kohëzgjatja e furnizimit me ujë për këtë qytet. Popullsia e Tiranës furnizohet me ujë rreth 13 orë në ditë. Durrësi është një ndër qytetet më problematike të Shqipërisë për shkak të mungesës së sasisë së ujit dhe furnizohet me rreth 3 orë ujë në ditë. Në sajë të një menaxhimi diçka më të mirë se një vit më parë, Durrësi ka arritur të furnizohet rreth 2 herë në ditë, të paktën tri orë; flas për qytetin. Njëkohësisht është shtuar dhe numri i orëve për plazhin e Durrësit. Në fakt, nuk është shtuar sasia e ujit që vjen në qytetin e Durrësit, por thjesht është bërë një menaxhim më i mirë nga Ndërmarrja e Ujësjellësit të qytetit të Durrësit këtë vit. Keni parasysh që punohet me një sistem task-force në periudhën e verës. Kjo është një njësi që funksionon gjithë ditën. Ne kemi për çdo ditë informacione të detajuara mbi sasinë e ujit që vjen nga Fushë-Kuqja, i cili është edhe burimi kryesor me ujë.
Për qytetin e Shkodrës është i zgjidhur tashmë problemi i furnizimit me ujë, bëhet fjalë për 24 orë. Korça dhe Pogradeci dihet që janë dy qytete që i kanë të zgjidhura problemet e furnizimit me ujë të pijshëm. Feri, po ashtu, ka 24 orë ujë pa ndërprerje. Qyteti i Beratit është qytet që s’ka pasur probleme me furnizimin me ujë.
Cilat janë oraret e furnizimit me ujë të zonave turistike?
Edhe për Velipojën, si zonë turistike që tani ka mbi 100 mijë banorë, është bërë i mundur furnizimi me ujë pa ndërprerje. Në Vlorë sapo ka mbaruar investimi gjigant prej 25 milionë eurosh, janë shtruar rreth 50 kilometra tubacione të reja. Po kështu janë rinovuar dhe ribërë nga e para të gjitha stacionet e pompimit në Ujin e Ftohtë dhe janë vënë pompa të reja. Kështu që sasia e ujit për qytetin e Vlorës ka arritur deri në 100 litra për sekondë. Ndoshta jo të gjithë qytetarët kanë arritur ta ndiejnë këtë rritje të sasisë së furnizimit me ujë për shkak të kombinimit të rrjetit të ri me rrjetin e vjetër. Rrjeti i vjetër ka probleme me amortizimin dhe futja e presionit nga rrjeti i ri ka sjellë probleme vende-vende dhe për pasojë ka pasur dhe zona që janë bllokuar. Në momentin që do të bëhet eficient investimi i ri, edhe Vlora do të dalë nga harta e qyteteve problematike për furnizimin me ujë.
Qyteti i Sarandës ka një përmirësim në krahasim me vitet e tjera për shkak të përmirësimit të menaxhimit të situatës. Në përgjithësi, në zonën e Bregut nuk kemi probleme të mëdha me ujin. Lezha dhe Shëngjini kanë gjithashtu ujë. Po kini parasysh një gjë, kur flasim për dalje nga harta e problemeve me ujin, te qytetarët shkojnë rreth 303 litra ujë për person, në rang vendi, ndërsa norma europiane është 150 litra ujë për person. Por, për shkak të rrjetit të vjetër, problematikave pa fund, teknike, abuzimeve të qytetarëve, mosmenaxhimit shumë nga ky ujë humbet në rrjet.
Si do të veprohet me lavazhet e makinave? A do të ndërpritet furnizimi i tyre me ujë?
Në asnjë mënyrë nuk do të lejohen lavazhet që të punojnë me ujin e rrjetit të ujësjellësit. Ka mënyra të tjera për sigurimin e ujit nga lavazhet, si shpime, pompime nga ujërat nëntokësore, të cilat mund t’i gjejnë. Kudo ku lahen makinat është e ndaluar rreptësisht që lavazhet të përdorin ujin e rrjetit. Në rastet kur kjo ndodh është abuzim dhe në këtë rast merren masa. Sidomos në qytetet problematike ka task-forca që funksionojnë vetëm për këtë, për të prerë lidhjet e paligjshme, kryesisht lavazhet që janë konsumatorët më problematikë, sepse është absurd fakti që ti do të lash makinën me ujin e rrjetit të shpërndarjes, ndërkohë që nevoja është të sigurohet ujë për të pirë.
A ka pasur probleme me mosfurnizimin e qytetarëve me ujë? Cilat kanë qenë zonat problematike?
Probleme me mosfurnizimin e ujit nuk ka pasur. Patëm një problematikë me energjinë elektrike ditët e fundit. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë bllokoi për një ditë furnizimin me energji elektrike të disa qyteteve, të disa impianteve nga ku ne marrim ujë. U ndërhy me emergjencë dhe u kalua ky problem. Me vendim qeverie u eliminuan të gjitha borxhet që kanë ujësjellësit me energjinë elektrike. Sistemet funksionojnë me intensitet e kujdes maksimal, sepse është periudha më e rëndësishme për ne. Ndërmarrja e Ujësjellësit të Tiranës sivjet ka ndërhyrë fuqishëm për eliminimin e lidhjeve të paligjshme. Ka goxha ndryshim midis ankesës së qytetarit që deri dje e ka marrë ujin pa para dhe atij që e ka sahatin në shtëpi e paguan dhe nuk i vjen ujë. Duhet bërë goxha diferencë. Zakonisht revoltohen më shumë ata që janë abuzues. Kjo është e vërtetuar. Sivjet, Ndërmarrja Ujësjellësit të Tiranës ka bërë një punë të madhe në eliminimin e lidhjeve të paligjshme në rrjet. Ky ka qenë një fenomen shumë problematik në qytetin e Tiranës, vinte një sasi e vogël uji për shkak të dëmtimit të tubacionit gjatë rrugës. Në momentin që ka pasur probleme me furnizimin e ujit në disa zona, kanë qenë momentale, kanë zgjatur 3 ditë, një javë, derisa është kolauduar rrjeti.
Çfarë masash janë marrë për klorifikimin e ujit gjatë stinës së verës?
Masat për klorifikimin ujit janë klasike, nuk janë masa të veçanta. Bëhen analizat e ujit. Në momentin që identifikohet një problem, sado i vogël, ne marrim informacion të dyfishtë edhe nga ndërmarrja, edhe nga Instituti i Shëndetit Publik. Në rastet kur ka probleme, shtohet sasia e klorit dhe rregullohen parametrat e ujit. Ndoshta ju keni parasysh ndotjen e ujit, por ka disa faktorë që e ndotin atë. Në momentin që uji del nga ujësjellësi është brenda të gjitha parametrave, sepse atje, duke qenë ndërmarrje shtetërore, kujdesi është maksimal. Ndotja e ujit ndodh nga ndërhyrjet në rrjet. Veçanërisht për shkak të “depresionit”, momentit kur ndërpritet furnizimi me ujë nga lidhjet e paligjshme, në tubacion futen papastërti të ndryshme, gjë që ndikon në ndotjen e ujit të pijshëm.
Si do të zgjidhet problemi i furnizimit me ujë për qytetet e Tiranës dhe Durrësit?
Ndërmarrjet punojnë për të furnizuar me ujë të gjitha zonat, pasi uji është jetik. Gjithmonë duhet një kohë për t’u realizuar investimi në rrjet për të rregulluar presionet e nevojshme për të furnizuar këto zona. Janë shumë probleme teknike për të cilat punohet non-stop, veçanërisht në zonën Tiranë-Durrës, ku është edhe përqendrimi më i madh i popullsisë. Po punohet me investimet e reja qoftë nga qeveria shqiptare, qoftë nga donatorë të huaj. Sektori i Ujësjellësit ka shumë fonde. Për momentin ai është kthyer në një prioritet shumë të rëndësishëm të qeverisë shqiptare. Madje unë mund t’ju them se dhe vitin tjetër do të ketë bum investimesh të reja në sektorë, pasi ka shumë probleme teknike që duhet të zgjidhen. Diku presioni është i pamjaftueshëm, diku tubacioni që ka qenë në një zonë të caktuar me mbipopullim të asaj zone është joeficient dhe duhet zëvendësuar me një tubacion më të madh që të përballojë nevojat. Ka ndikuar shumë shtimi i popullsisë, në rrjet janë bërë shumë ndërhyrje, po bëhen shumë investime, por, mbi të gjitha, ka nevojë për një menaxhim të mirë të situatës. Ne kemi marrë disa masa për investime emergjente në ndihmë të Ndërmarrjes së qytetit të Durrësit. Ata vetë po punojnë shumë, mund të ketë pasur ndonjë ndërprerje pjesore të furnizimit me ujë. Por ajo që mund të them me siguri është se për qytetin e Durrësit është një projekt ku do të bëhet goxha investim. Projekti mendohet të përfundojë për rreth 2 vjet dhe do të sjellë dyfishimin e sasisë së ujit për qytetin e Durrësit.
A do të ketë rritje çmimi të ujit të pijshëm?
Unë mund t’ju them se në Tiranë është bërë një rritje çmimi për ujin. Por prapë çmimi i ujit mbetet tepër i ulët. Ju siguroj për këtë: mjafton të bësh një analizë të thjeshtë ekonomike në Tiranë; 1 metër kub ujë kushton rreth 33 lekë. Një depozitë 1 mijë litërshe është vetëm 33 lekë. Nuk është problem çmimi i ujit, problem mbetet faturimi dhe pagesa nga qytetarët. Uji është mall si gjithë të tjerat, blihet me para, nxirret me para, sistemet e pompimit janë shumë të fuqishme, harxhojnë shumë para, energji elektrike pa fund, ka njerëz që i mirëmbajnë.
Sa për qind e konsumatorëve nuk paguajnë faturat e ujit?
Në rang republike, faturat e konsumimit të ujit i paguajnë 60 për qind e popullsisë. Nga të dhënat që kemi në qytetin e Tiranës, 80 për qind e popullsisë paguan faturën e konsumimit të ujit të pijshëm. Ndërsa për qytetin e Durrësit arkëtohet rreth 57 për qind e faturave të energjisë elektrike. Unë mund t’ju them një qytet që është shembull për pagesën e faturave të ujit të pijshëm, dhe bëhet fjalë për Korçën. Qytetet e tjera kanë probleme sepse konceptimi i faturim-pagim-sahat ka një sërë problemesh. Tirana, si ndërmarrje, është funksionale, ka klientë të fuqishëm. Të gjitha qytetet e Shqipërisë kanë probleme me pagesën e faturave të ujit. Në momentin që themi paguajnë 60 për qind e popullsisë është problematike, edhe po të ishte në masën 90 për qind prapë do të ishte problematike. Është një mall, vjen një faturë, 100 për qind teorikisht duhet paguar, kështu që një rast i mirë është qyteti i Korçës.
10 Gusht 2010