E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen në Bari mijëra shqiptarë, italianët e hedhin fajin te shqiptarët



TIRANË - Skandal në Portin e Barit. Më shumë se 5 mijë shqiptarë janë bllokuar në port, në pritje të nisjes për në Shqipëri. Dhe kjo situatë nuk pritet që të ndryshojë para së martës (sot). Të gjithë janë shqiptarë që duan të vijnë për të kaluar pushimet pranë të afërmve. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta italiane “La Gazzetta del Mezzogiorno”, sipas së cilës, edhe pse pritej që tragetet të niseshin nga ora 22:00 deri në 24:00 të dy ditëve më parë. Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Tragetet janë nisur vetëm në orën 03:00 ose 04:00 të mëngjesit të ditës së djeshme, thanë burime nga Porti i Barit. Sipas të njëjtit burim, disa shoferë kamionësh kanë ditë që presin për t’u nisur në drejtim të Shqipërisë. Gazeta italiane bën të ditur se në orën 20:30 të dy ditëve më parë ishin më shumë se një mijë makina që prisnin për t’u ngarkuar në traget dhe të niseshin në drejtim të porteve shqiptare.
Shkaku
Dhe italianët e kanë gjetur shkakun e këtij skandali. Janë shqiptarët, thonë. “Për shkak të ngadalësimeve dhe vonesave në Shqipëri”, - shpjegon një burim nga Porti i Barit në Itali, për gazetën italiane. Situata më e rëndë është për disa kamionistë që duhet të vijnë në Durrës për të dorëzuar mallin. Disa prej tyre, siç kanë shpjeguar për “La Gazzetta del Mezzogiorno”, kanë ditë që rrinë aty dhe akuzojnë agjencitë e udhëtimit se preferojnë të kalojnë makinat e vogla dhe kamionët nuk i lejojnë që të nisen. Shoferët e kamionëve kanë deklaruar se nëse do të vonohen dhe maksimumi një ditë, atëherë malli që ata kanë ngarkuar dhe do ta sillnin në Shqipëri duhet të hidhet. “Është mall që prishet shpejt nëse rri në kamion”, - shpjegon një nga shoferët. Drejtues të Portit të Barit kanë deklaruar se situata pritet që të normalizohet ditën e martë, pasi një kompani ka siguruar se do të vendosë në lëvizje një traget vetëm për kamionët që duhet të ngarkojë në bord 120 kamionë.
Vonesat
Fillimi i sezonit veror ka shkaktuar prej disa ditësh vonesa në mbërritjen e trageteve në Portin e Durrësit. Çdo ditë nga portet italiane kanë mbërritur mijëra emigrantë, duke sjellë dhe probleme në Durrës. Por, siç duket, probleme dhe më të mëdha janë krijuar në Itali. Nisja e fluksit sezonal turistik ka sjellë mbërritjen me vonesë të trageteve. Me vonesë kanë mbërritur disa tragete gjatë ditës së djeshme. Të njëjtat arsye kanë sjellë mbarkimet me vonesë. Prej pak ditësh në Portin e Durrësit ka nisur fluksi i mbërritjes në atdhe i emigrantëve shqiptarë nga Italia. Si çdo vit bashkatdhetarët tanë zgjedhin t’i kalojnë pushimet pranë familjeve të tyre. Probleme ka pasur dhe në pikat e tjera kufitare të Shqipërisë, sidomos me Greqinë. Në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës janë krijuar radhë të gjata deri në 4 kilometra.

10 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›