E Diel, 1 Nëntor 2026

Kushëriri qëllon me armë në lokalin e vëllait të zv.ministrit të Kulturës



KAVAJË - Kushëriri i dehur shkatërron lokalin e vëllait të zv.ministrit të Kulturës, Dashnor Bajaziti, plagos djalin dhe mbesën e këtij të fundit. Ngjarja e rëndë mësohet se ka ndodhur tri ditë më parë në qytetin e Kavajës. Janë burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës që kanë bërë të ditur lajmin, pasi kanë vënë në pranga personin e dyshuar për këtë ngjarje. Sipas tyre, dy ditë më parë, efektivët e policisë të Komisariatit Nr. 2 në Tiranë kanë vënë në pranga Armand Dervishin, 32 vjeç, i kërkuar për ngjarjen e ndodhur në Kavajë. Burimet nga policia e këtij qyteti kanë bërë të ditur se i arrestuari kishte shkuar te lokali i vëllait të zv.ministrit dhe kishte kërkuar që të pinte. Por, pasi e kanë parë se ai ishte në gjendje të dehur, nuk kanë pranuar që t’i shërbejnë. Këtu ka nisur dhe historia që ka përfunduar me dy të plagosur lehtë dhe një të arrestuar.
Ngjarja
Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë në Kavajë dhe policia lokale ka bërë arrestimin e autorit të ngjarjes. Burime nga Policia e Kavajës kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur pas një sherri të ndodhur në ambientet e lokalit, ku autori nuk është lënë që të konsumonte më pije. Armand Dervishi kishte shkuar në lokal në gjendje të dehur. Pasi ishte ulur, kishte kërkuar që të pinte birrë, por nuk është lejuar nga dy personat që ndodheshin në lokal, djali i zv.ministrit dhe mbesa e tij 13 vjeçe. Pasi ka shkëmbyer fjalë në mes të lokalit, 35-vjeçari ka dalë jashtë. Por nuk është mjaftuar me kaq. I dehur dhe me nerva nga sjella e dy kushërinjve të tij ai ka shkuar në shtëpi. Aty ka marrë një armë të tipit kallashnikov dhe është kthyer sërish në lokal. Sapo është futur në ambientet e tij ka nxjerrë armën që e kishte poshtë një xhakete. E ka mbushur dhe e ka shkrehur disa herë duke thyer një xham të lokalit. Fatmirësisht asnjë nga plumbat nuk i ka prekur dy personat. Sipas policisë, ata janë plagosur nga ciflat e xhamit të thyer. “Për pasojë kanë mbetur të dëmtuar shtetasit Darlien Dashnor Bajaziti, 36 vjeç, si dhe e mitura M. B., 13 vjeçe, të cilët u dërguan në spital jashtë rrezikut për jetën”, - tha gjatë ditës së djeshme Policia e Tiranës.
Arrestimi
Pas kryerjes së këtij krimit, Armand Dervishi është larguar. Por një ditë më vonë është kapur në Tiranë. Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit thanë se dy ditë më parë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë bërë arrestimi në flagrancë të Armand Dervishit, 35 vjeç, banues në Kavajë. Është ky personi që ka qëlluar me armë në lokal dhe sipas policisë, të plagosur kanë ngelur Darlien Dashnor Bajaziti, 36 vjeç, dhe e mitura me inicialet M. B, 13 vjeç. “Në Kavajë, në ambientet e një lokali, pas një konflikti për motive të dobëta, duke qenë në gjendje të dehur, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit, duke e shkatërruar pjesërisht këtë lokal”, - tha Policia e Tiranës. Të njëjtat burime thanë se në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e përdorur, automatik model 56 me 8 copë fishekë, të papërdorura në krehrin e kësaj arme, si dhe 4 gëzhoja. Pas arrestimit të autori të dyshuar Armand Dervishi, policia tha se dosja me materialet hetimore në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë për konsumim të veprës penale të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”, dhe “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë”.

Xheloz për gruan, e masakron duke e rrahur me dru
ELBASAN - Xhelozia ka bërë që një 42-vjeçar të masakrojë gruan me sende të forta. Ngjarja e rëndë ka ndodhur sërish në rrethin e Elbasanit. Një ditë pasi një 48-vjeçar masakroi gruan dhe vajzën, një tjetër rast i rëndë i dhunës në familje ka ndodhur në Qukës të Librazhdit. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se, dy ditë më parë një telefonatë ka njoftuar se në fshatin Skroskë, komuna Qukës, Librazhd, Izet Belba, 42 vjeç, në banesën e tij, për motive xhelozie ka goditur me sende të forta (dru) bashkëshorten e tij me inicialet E. B., 33 vjeçe. Ajo kishte pësuar dëmtime të rënda në trup. Siç mësohet, 33-vjeçarja është dërguar në spital, ku ka marrë mjekimin e nevojshëm dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, Policia e Elbasanit ka bërë dhe arrestimin në flagrancë i shtetasit Majlind Janku, 37 vjeç, banues në lagjen "Shënkoll", Elbasan. Arrestimi i tij është bërë pasi në qendër të qytetit të Elbasanit, ky person ka fyer dhe ofenduar duke shkelur urdhrin e mbrojtjes së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, shtetasen me inicialet S. G., 31 vjeçe, banuese në lagjen “Beqir Dardha”, Elbasan. Policia e Elbasanit ka folur dhe për ngjarjen e rëndë të ndodhur tri ditë më parë në Shën Koll. Burimet zyrtare thanë se është bërë arrestimi në flagrance i Kostandin Skënderit, 43 vjeç, banues në lagjen “Shën Koll” Elbasan. “Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas, në banesën e tij në lagjen “Shën Koll”, ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij, Leontina Skënderasi, 18 vjeçe, duke e kërcënuar se do ta vriste; gjithashtu e ka goditur dhe me sende të forta në pjesë të trupit duke i shkaktuar dëmtime shumë të rënda”, - tha sot Policia e Elbasanit. Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë shkuar uniformat blu dhe kanë bërë arrestimit në flagrancë të Kostandin Skënderit. Gjatë ndalimit është ushtruar dhe një kontroll i imtësishëm në banesë, ku i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë, si dhe 100 copë fishekë që i mbante pa leje.

10 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›