E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virusi propagandistik i KGB-së

“Kriza e SIDËS nuk ka kaluar”: Që nga koha kur Sida në fillim të viteve të 80-ta u ngulit në kokat e njerëzve, frika nga kjo sëmundje vdekjeprurëse ishte tejet e madhe. Ideologët e shërbimit sovjetik KGB instrumentalizuan virusin HIV me një fushatë perfide që nga viti 1983, për të sulmuar imazhin e armikut të përbetuar, SHBA-së

A buron Sida nga laboratorët ushtarake të SHBA-së? Për katër vjet me radhë kjo teori qarkulloi nëpër të gjitha gazetat e botës. Edhe pse shkencëtarët e cilësuan si çmenduri këtë teori, dëmi që ju shkaktua imazhit të SHBA-së ishte i jashtëzakonshëm. Vetëm pas rënies së perdes së hekurt u zbuluan ata, që e nxiten këtë teori të konspiracionit.

“Merre, ose refuzoje”. Stefan Heym as që u përpoq të jetë diplomatik.

Porosia ishte e qartë: vendos tani. Arno Vidman, atëbotë redaktor i kulturës në gazetën “TAZ”, ngurroi shkurtë. Më pas ai e futi manuskriptin e shkrimtarit të dekoruar të Republikës Demokratike të Gjermanisë (DDR) në xhep. Tij nuk i interesoi aspak fakti se ky dokument më herët ishte refuzuar nga revistat “Die Zeit” dhe “Spiegel”.

Atë që ai e mori me vete në shtëpi, ishte, atë që “TAZ” disa dekada më vonë e përshkroi si “malli më i nxehtë histerik, që mund të ofrohej atëbotë: SIDA”.

Heym kishte xhiruar një bisedë me një profesor të njohur të biologjisë nga Berlini Lindor, i cili mbështeste tezen: virusi HIV nuk vjen nga Afrika, siç besohej, por buron nga një laborator ushtarak i SHBA-së, më saktësisht, nga laboratori ushtarak në Fort Detrick, Maryland. Sipas tij, inxhinierët gjenetik e kishin krijuar virusin në vitin 1979, me qëllim të udhëheqjes së luftës biologjike. Për shkak të një ngathtësie, virusi kishte filluar të qarkullojë. Pra një aksident, i shkaktuar nga shkenctarët ushtarak të SHBA-së.

Më 18 shkurt të vitit 1987, Vidman botoi intervistën të TAZ, me titullin “Aids-man made in USA”. “Artikulli ishte një bombë e vërtetë”, kujton Kuno Kruse, atëbotë përgjegjës për tema shkencore në gazetë. Para se gjithash skena e majtë në Gjermaninë Perëndimore e pranoi menjëherë këtë teori të egër për Sidën. Më në fund u gjet fajtori për këtë sëmundje, e cila e tmerroi njerëzimit në fillim të viteve të 80-ta. Dhe bëhej fjalë për armikun e përbetuar të së majtës, SHBA-në.

Brenda natës, për shkak të kësaj teorie për Sidën, i famshëm në perëndim u bë edhe profesori i biologjisë nga Berlini Lindor: Jakob Siegler, ish-drejtues i Institutit për Biologji të përgjithshme në Universitetin Humboldt.

As Vidman, e as skena e majtë në Gjermaninë Perëndimore nuk e dinin se kishin rënë pre e një fushate propagandistike të shërbimit të fshehtë rus. Ngase teoria për Sidën nuk ishte shpikje e Segalit. Kjo teori buronte nga fabrika e ideatorëve të shërbimit rus, KGB, siç zbuluan në vitet e 90-ta dy agjentët e këtij shërbimi, Vasili Nikitich dhe Oleg Gordijevski.

Emri i koduar i këtij aksioni për dezinformim: “Infektimi”. Që nga viti 1983 KGB kishte punuar që të shpërndajë në tërë botën këtë teori për Sidën, për të dëmtuar kështu imazhin e SHBA-së.

Një nga degët e rëndësishme për përhapjen e kësaj teorie ishte edhe “Dega X”, që vepronte në kuadër të shërbimit të fshehtë të jashtëm të DDR-it.

Fushata e ndyrë filloi me letrën e një lexuesi në gazetën indiane, Patriot, në vitin 1983, e shkruar kinse nga një antropolog amerikan, e i cili në të vërtetë ishte një agjent i KGB-së, i cili shkroi për tezën se virusi është krijuar në laboratorin në Fort Detrick. Askush nuk e vërejti këtë artikull, ngase atëbotë Sida ende nuk ishte temë në Indi.

Dy vjet më vonë, KGB bëri përpjekjen e radhës. Në gazetën ruse, Literaturnaja Gazeta u publikua një artikull, i cili për temë kishte Sidën dhe në të cilin u citua letra, e publikuar në gazetën indiane. Washingtoni menjëherë u alarmua, ngase zyrtarët ishin të mendimit se mund të ishte ky fillimi i një fushate globale të dezinformimit. He kishin të drejtë.

Ngase pak kohë më vonë në lojë hyri edhe Segal. Nuk dihet se a ka qenë Segal i ndikuar nga KGB, edhe pse ai e ka mohuar këtë gjatë gjithë kohës. Por shumë gjëra flasin për atë se ai ka qenë në kontakt dhe i ndikuar nga KGB. Që nga viti 1985, ai disa herë ka mbështetur tezën e KGB-së për virusin e Sidës.

“Sunday Express”, “Daily Telegraoph”, “Times” dhe shumë gazeta tjera britanike përhapën në vitin 1986 përrallën për shkencëtarët amerikanë, të cilët krijuan virusin HIV. Sa më shumë që shkruanin gazetat, aq më e besueshme bëhej kjo teori.

Në verën e vitit 1987, gënjeshtra për Sidën filloi të pengoi edhe presidentin e atëhershëm të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachov, ngase kjo fushatë po e pengonte politikën e tij të afrimit me perëndimin, kurs ky të cilin e kishte ndjekur që nga ngritja e tij në pushtet, në vitin 1985. Në verën e vitit 1987, ai ndërpreu të gjitha aktivitetet e KGB-së dhe në heshtje i kërkoi falje qeverisë amerikane.

Megjithatë, Jakob Segal, deri në momentin e vdekjes së tij, në vitin 1995, nuk hoqi dorë nga teoria e tij dhe shkroi disa libra për Sidën. E njëjta gjë vlen edhe për bashkëpunëtorët e tij. Njëri prej tyre quhet Cristoph Klug, i cili së fundi në tetor të vitit 2004 i dërgoi një letër gazetës gjermane, FAZ, në të cilën shkroi:”HIV është krijuar në Perëndim dhe nga aty është eksportuar në Afrikë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›