E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqatat antifashiste: Nderoni viktimat e 4 shkurtit

Me rastin e 65-vjetorit të masakrës së 4 shkurtit 1944, shoqatat antifashiste i kanë drejtuar një letër Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe opinionit publik, për kujtim dhe mirënjohje ndaj viktimave. Bashkëpunëtorë të pushtuesit fashist, të organizuar në një qeveri kuislige dhe nën dirigjimin e komandës naziste, në panik nga rritja e rezistencës antifashiste dhe luftës partizane për çlirimin e vendit, ndërmorën natën e 4 shkurtit 1944 një masakër mbi popullsinë civile të kryeqytetit, duke vrarë 84 qytetarë të pafajshëm (shumica njerëz të thjeshtë, por edhe pjesëtarë të familjeve antifashiste) dhe arrestuan e dhunuan rreth 500 qytetarë të tjerë. "Shoqata e Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e konsideron 4 shkurtin si një ditë reflektimi, kujtese dhe nderimi për ato viktima të pafajshme dhe për sakrificat e antifashistëve shqiptarë, duke bërë njëkohësisht apel ndaj opinionit publik dhe ndaj institucioneve të këtij vendit për të mos harruar dhe shkelur mbi historinë. Ne ftojmë posaçërisht Këshillin Bashkiak të Tiranës që të ndërmarrë një akt për të nderuar këto viktima dhe për të respektuar sakrificat e antifashistëve shqiptarë. Në Tiranë nuk ka një monument për këto viktima, përkundrazi, një prej përgjegjësve dhe ekzekutorëve të kësaj masakre, Osman Kazazi, ka një bust në qendër të kryeqytetit shqiptar. Shoqata e Dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e quan këtë një situatë të turpshme, ashtu siç e konsideron një atentat ndaj antifashizmit dhe vlerave evropiane heqjen e bustit të 5 Heronjve të Vigut nga qendra e Shkodrës", thuhet në letër.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›