E Shtunë, 31 Tetor 2026

Visha:Ina Rama nuk duhet të nëpërkëmbë vartësit e saj

Komisioni parlamentar i Ligjeve ka zhvilluar sot seancën dëgjimore me kandidatin Ardian Visha, i propozuar nga Partia Socialiste për vendin vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pasi ka paraqitur platformën e tij, Visha i është përgjigjur pyetjeve të deputetëve në komision.

I pyetur në lidhje me raportin e prokurorisë së përgjithshme, Visha ka lëshuar akuza të rënda për kryeprokuroren Ina Rama.
“Imoralitet i pretenduar nga Ina Rama, nuk duhet të nëpërkëmbë vartësit e saj. Ina Rama nuk ka kurajo të përballet me mua, si mund të përballet me krimin” ka theksuar Visha.
 

Gjithashtu më tej Visha ka kërkuar votat e deputetëve të të dyja palëve në komisionin e ligjeve. “Më mirë të humb me votat tuaja të përbashkëta, se të fitoj me votat e njërës palë politike” ka theksuar Visha.
 

Një javë më pare komisioni zhvilloi një seancë dëgjimore me kandidatin tjetër Elvis Cefa, i propozuar nga maxhoranca dhe që aktualisht mban postin e drejtorit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Pas mbetjes vakant të postit të nënkryetarit të KLD-së, me largimin e Kreshnik Spahiut, grupi parlamentar i PD-së propozoi Elvis Cefën si anëtar i ri në këtë institucion.

Kësaj kandidature iu bashkangjit nga PS-ja menjëherë emri i Ardian Vishës, dikur prokuror dhe që prej disa vitesh ushtron profesionin e avokatit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›