Vit i mbarë për bujqësinë në qarkun e Shkodrës/ Specialistët: Rendimente të larta dhe cilësore pavarësisht thatësirës

Pavarësisht temperaturave të larta të kësaj vere, pritshmëritë për prodhimin bujqësor në qarkun e Shkodrës janë pozitive. Specialistët e bujqësisë vlerësojnë se ky është një vit i mbarë për fermerët, me rendimente të larta dhe cilësore të prodhimit në pjesën më të madhe të kulturave bujqësore.
Po sipas tyre, ndikim të rëndësishëm kanë investimet e realizuara në sistemet e ujitjes, veçanërisht në zonën e Nënshkodrës, ku është përmirësuar furnizimi me ujë për sipërfaqet e mbjella.
Misri mbetet kultura më e përhapur në qarkun e Shkodrës, me rreth 5 mijë hektarë. Ndërkohë, evidentohet rritje e sipërfaqeve të mbjella me duhan, si dhe zgjerim të kultivimit të perimeve, të nxitur nga kërkesa e tregut dhe interesimi i fermerëve për kultura në përshtatje me specifikat e terrenit.
Gazetar: A. Hoti