Moti i keq shton ndërprerjet e energjisë
Ndërprerjet e energjisë elektrike janë shtuar këto ditë për shkak të përkeqësimit të motit. Erërat e forta dhe reshjet e shiut kanë ndikuar në dëmtimin e rrjetit elektrik dhe kjo është bërë shkak për ndërprerjet e energjisë elektrike në disa zona në periferi të kryeqytetit. Por menjëherë specialistët e OSSH-së kanë ndërhyrë për riparimin e këtyre defekteve dhe vënien e linjave elektrike në funksion të qytetarëve. Drejtuesit e OSSH-së nuk kanë pranuar se ata po aplikojnë orare të parashikuara kufizimesh. Sipas tyre, të gjitha ndërprerjet e energjisë vijnë si pasojë e defekteve në linjë apo remonteve dhe jo kufizimeve të parashikuara nga OSSH-ja. Drejtori i Njësisë së Tensionit të Lartë, Admirim Lakra, tha dje për median se vetëm në Tiranë dje ka pasur 10 linja të tensionit të mesëm që kanë pasur avari, të cilat kanë pasur nevojë për ndërhyrje urgjente, ku pjesa më e madhe janë riparuar vetëm për pak kohë dhe linjat e tjera kanë pasur nevojë të punohet disa orë deri në rikthimin e energjisë elektrike. Ulja e temperaturave është shoqëruar edhe me rritje të konsumit me energji elektrike. Aktualisht, në shkallë vendi konsumohen rreth 28 milionë kilovatë/orë, ku pjesën më të madhe të konsumit e ka Tirana me 7 milionë kilovat/orë.