Viti 2008 i Olimpik Marsejës, në sitën e kapitenit Lorik Cana
Ndërkohë që këtij viti po i afrohet fundit, Lorik Cana analizon elementët që karakterizuan 2008-n e Olimpik Marsejës. Duke filluar nga muaji mars, kur skuadra u eliminua në Kupën UEFA (nga Zenit St. Petersburg, që më pas fitoi trofeun) dhe në Kupën e Francës (ku marsejezët u eliminuan nga modestët e Karkuefo). "Ishin përballje të vështira në të dy aktivitetet. Në çdo sezon Marseja synon të fitojë Kupën e Francës, por futbolli është i paparashikueshëm dhe asnjëherë nuk ke siguri se fiton. Gjithsesi, mendoj se duhej të kualifikoheshim përballë asaj skuadre modeste, tha mesfushori shqiptar. Ndërsa, në UEFA luajtëm me një kundërshtar që në atë moment ishte më inferior se ne. Në fund u eliminuam, ndërsa ata fituan Kupën. Gjithsesi, reaguam me sukses dhe iu përkushtuam kampionatit. E mbyllëm sezonin të tretët dhe siguruam një vend në eliminatoret e Champions. Prej dy sezonesh arrijmë rezultate pozitive në gjysmën e dytë të kampionatit. Kjo tregon se skuadra di të reagojë në momentet e rëndësishme". Më tej ai foli për Ligën e Kampioneve dhe vendin e tretë, që i siguroi një vend në Kupën UEFA për këtë vit. "Grupi ishte i vështirë, me Liverpulin e Atletiko Madrid, por nëse do kishim fituar takimin e parë, klasifikimi mund të ishte i ndryshëm. Eksperienca në Champions na shërben që ta kthejmë Marsejën të madhe në Evropë", përfundoi Lorik Cana.