E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti 2010, ligjet që presin votën e opozitës

Reforma në drejtësisë varet nga opozita. Në sirtarët e Kuvendit të Shqipërisë presin të miratohen një grup projektligjesh që kanë të bëjnë me mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë, por në fakt kanë mbetur pezull për shkak se duhen më shumë se 84 vota që këto ligje të miratohen. Reforma në drejtësi duhet të jetë konsensuale, por pa praninë e deputetëve të opozitës, kjo reformë nuk mund të bëhet. Prania e opozitës në Kuvend tashmë shihet si një domosdoshmëri jetike. Ndërsa pritet që të miratohet ligji i ri për Konferencën Gjyqësore dhe për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, disa anëtarëve u ka mbaruar mandati. Por në sirtarët e Kuvendit presin edhe disa ligje me rëndësi që të miratohen, si për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7829, datë 01.06.1994 “Për noterinë”, i ndryshuar, si dhe një shtesë në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994, “Kodi civil i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Një tjetër projekt tepër i kërkuar veçanërisht nga bota e biznesit është Gjykata Administrative. Deputetët e opozitës, ndonëse e miratuar në komisione parlamentare me konsensus, në seancën e fundit të legjislaturës 2005-2009 nuk e miratuan projektin, ndonëse ai ishte i këshilluar nga organizmat ndërkombëtare. Projektligji për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative dhe organizimin e drejtësisë administrative kërkon shumicë prej 84 votash, por mungesa e opozitës e ka lënë këtë projekt ende pa jetë. Konferenca Gjyqësore, Gjykata Administrative, por dhe granti i Sfidës së Mijëvjeçarit, janë draftet e planifikuara që të shqyrtohen në janar, por që kërkojnë 84 vota për t’u miratuar. Gjykata Administrative është projektligji që është kërkuar me më shumë ngulm. Ky projekt shkurton kohën në maksimum në proceset gjyqësore, një nevojë jetike për biznesin. Biznesi ka kërkuar që opozita të hyjë në Parlament, pasi miratimi i një ligji shumë të rëndësishëm për komunitetin e biznesit, siç është ai për Gjykatat Administrative, kërkon të kalojë me shumicë të cilësuar votash, mbi 2/3 e votave. Për të disatën herë, biznesi i kërkon Parlamentit miratimin e ligjit të Gjykatave Administrative, si një mundësi për zgjidhjen e shumë penaliteteve të ngritura ndaj tyre. Koalicioni në Përkrahje të Gjykatave Administrative përbëhet nga 34 organizata të biznesit dhe shoqata të tjera të shoqërisë civile, kanë nisur lobim për miratimin e projektligjit duke kërkuar praninë e deputetëve të opozitës në seancë plenare. Mungesa e një hallke të veçantë në sistemin e drejtësisë, që zgjidh mosmarrëveshjet mes administratës shtetërore dhe biznesit, është konsideruar si shkak për krijimin e raporteve të vështira mes tyre. Organet e Tatim-Taksave, doganat etj., në mjaft raste kanë gjobitur kompani, firma a individë. Një pjesë e penalizimeve janë kontestuar e refuzuar, duke ndjekur më pas rrugën gjyqësore. Nga komuniteti i biznesit ka pasur iniciativa e propozime që ashtu si në vendet e BE-së, apo dhe ato fqinje, të ngrihet Gjykata Administrative, si institucion i specializuar për çështje të tilla.

Topalli: 2009-a, viti i progresit të madh

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në ambientet e kryesisë së Kuvendit gazetarë dhe përfaqësues të botës së medias dhe ndau me ta urimin për festat e fundvitit. Në atmosferën e ngrohtë festive të krijuar, kryetarja e Kuvendit u takua e bisedoi me ta, duke uruar mbarësi, suksese e sa më shumë lajme të mira në vitin që po vjen. Kryetarja e Kuvendit u ul me radhë në tryezat e miqve të ftuar, duke biseduar për politikën, gazetarinë, por edhe për punën, familjen dhe pritshmëritë për vitin 2010. Duke falënderuar të gjithë për punën dhe përkushtimin e tyre në këtë mision, sa të vështirë, aq edhe të rëndësishëm, Topalli tha se është e vërtetë se politika ushqen mediat çdo ditë me lajme, po aq sa është e vërtetë që edhe politika ushqehet me lajmet e medias çdo ditë. “Në fakt, - tha ajo, - politika dhe media janë si dy pllaka tektonike. Jo gjithmonë raportet i kanë shumë të ngrohta, por nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën. Unë e di se sa orë të zgjatura, sa punë të madhe, se më çfarë shpejtësie ju përcillni lajmin. Në një farë mënyre, unë jam e apasionuar pas medias. Kur kam pak kohë të lirë, kaloj me radhë të gjitha stacionet për të ndjekur çdo lajm, çdo koment, çdo gjë të re që përcillet”, - tha Topalli në këtë takim. Ajo tha më tej se 2009 ishte një vit me bilanc pozitiv për vendin, veçanërisht në fushën e integrimit. Topalli u shpreh e bindur se viti 2010 do i gjejë qytetarët shqiptarë pa viza. “Ne po mbyllim një vit të mbarë. Në jetën time politike nuk di një vit më të mbarë në termat politikë, të integrimit ekonomik për vendin tonë sesa ky vit. Kam parasysh anëtarësimin në NATO, mbylljen e ratifikimit të MSA-së, dorëzimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat, përgjigjen pozitive të 27 vendeve të BE-së në miratim të kërkesës sonë, rezolutën e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave. Në një kohë kaq të shkurtër, ngjarje kaq të mëdha në procesin integrues Shqipëria nuk ka pasur, ndaj dhe e konsiderojmë një vit të suksesshëm dhe të mbarë”, - deklaroi Topalli. Në fund të fjalës së saj, Topalli uroi gazetarët, por edhe qytetarët shqiptarë një vit më të mbarë në 2010. “Për këtë dua t’ju falënderoj edhe ju dhe jam e sigurt se viti tjetër do të jetë një vit edhe më i veçantë. Gëzuar Vitin e Ri! Shumë suksese në punën tuaj dhe çfarë t’ju dojë zemra, lumturi, mbarësi, shëndet në familjet tuaja”, - uroi kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli.

Pushimet, Kuvendi rinis punën më 18 janar

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë pritet t’i rikthehen punës së tyre në komisionet parlamentare ditën e hënë, datë 18 janar. Në bazë të rregullores së Kuvendit, neni 42 i saj, thuhet se të hënën e tretë të janarit nis punimet Kuvendi. “Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të janarit, ndërsa sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit. Data e mbarimit të sesionit dhe ora e fillimit të sesionit të ri të punimeve të Kuvendit njoftohen nga kryetari i Kuvendit”, - thuhet në pikën 1 të nenit 42 të rregullores së Kuvendit. Punimet mund të fillojnë edhe më herët nëse Kryeministri, Presidenti apo një e pesta e deputetëve e kërkojnë që të rimblidhet. “Kuvendi thirret në sesion të jashtëzakonshëm me kërkesë të motivuar me shkrim të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit ose të paktën një të pestës së të gjithë deputetëve. Kryetari thërret mbledhjen e Kuvendit jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e kërkesës, mbi bazën e një rendi dite të mbledhjeve të komisioneve dhe të seancës plenare të përcaktuar prej tij”, - thuhet në pikën 2 të nenit 42 të rregullores së Kuvendit të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›