Berisha: 100 ditët që përcaktuan të ardhmen e Shqipërisë
Në një ambient të zbukuruar si për festë, Kryeministri Sali Berisha foli mbrëmë para shqiptarëve për 100 ditët që përcaktuan të ardhmen e Shqipërisë. Gjatë takimit të organizuar me gazetarët në selinë e qeverisë, Kryeministri bëri bilancin e 100 ditëve të para të qeverisjes 2009-2013, duke veçuar momentet më kyçe, të cilat nisën me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, vijuan me zgjedhjet e lira të 28 qershorit që u bënë shtysë për shqyrtimin e statusit të Shqipërisë për në BE, si dhe hapat e përshpejtuar të qeverisë për heqjen e vizave. Z. Berisha përmendi zhvillimet kryesore gjatë 100 ditëve, duke informuar se gjatë kësaj periudhe u miratuan 300 ligje, vendime dhe dekrete. Sipas tij, “të gjitha, me synimin për zhvillimin e vendit”. Për Kryeministrin, këto 100 ditë ishin përcaktuese për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Berisha tha edhe se 100 ditët që lamë pas, është periudha më e rëndësishme sa i përket vendimeve që Bashkimi Evropian ka marrë për vendin tonë. Ndërsa i quajti 100 ditët e para të qeverisjes si ditët e vendimeve të mëdha historike për vendin, Kryeministri Berisha theksoi se përmasat e reformave në këto 100 ditë kanë qenë mbi 300. “Përmasat e reformave kanë qenë mbi 300 dhe unë nuk e mas këtë vetëm me faktin se janë mbi 360 vendime, ligje, dekrete të miratuara me synimin absolut të ndryshimit të vendit, por unë e mas këtë me zhvillimet madhore historike të këtyre 100 ditëve, zhvillimet e përcaktuese për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, - theksoi Kryeministri.
Duke përmendur ligjet kryesore të miratuara gjatë 3-mujorit të parë të qeverisjes së koalicionit PD-LSI, Berisha nënvizoi përballimin e suksesshëm të vendit kundrejt krizës ekonomike globale. Ai vuri në dukje se buxheti i këtij viti u shtua me 400 miliardë dollarë dhe se ekonomia shqiptare i bëri ballë më së miri krizës globale. “Në kushtet e krizës më të madhe që Evropa ka njohur që nga vitet ‘30 deri më sot, qeveria shqiptare është e vetmja që parashikon një rritje të ndjeshme të të ardhurave personale në 800 mijë familje me rritjen e pagave dhe pensioneve”, - u shpreh Berisha. Z. Berisha foli dhe për ligjin e pronave, ndryshimet e bëra së fundi, ndërsa siguroi ish-pronarët se do të bëhen pronarë të pronës së tyre. Kreu i qeverisë e vuri theksin në luftën kundër korrupsionit, ndërsa tha se “darët e ligjit do të çmontojnë çdo pasuri të mafias”. “Këto 100 ditë kanë shënuar reforma të mëdha në luftën kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit kërkon dhe penalizimet e autorëve të krimit. Në këto 100 ditë janë të arrestuar me vendim gjykate 28 zyrtarë qendrorë dhe lokalë, ndër ta edhe gjykatës e prokurorë, çka do të thotë se lufta kundër korrupsionit po bëhet me zero tolerancë. U vu para drejtësisë shqiptare famëkeqi Aldo Bare, u miratua ligji antimafia, moratoriumi kundër industrisë së mafias që janë skafet”, - theksoi Kryeministri Sali Berisha. I pyetur se cilat janë dështimet e qeverisë që ai drejton në këto 100 ditë, ai pohoi se ka në plan që në periudhën e mbetur të qeverisë së tij, të realizohen dhe një sërë objektivash, duke mos dhënë detaje për këtë argument. Gjithsesi, Berisha vuri në dukje se i kanë mbetur edhe 1324 ditë deri në përfundim të mandatit të qeverisë që ai po drejton, e dyta që nga viti 2005, kur ai u rikthye në pushtet. Berisha lëshoi premtimin se viti 2010 do të jetë vit i përparimeve të mëdha e po ashtu edhe ai pasrendës, duke shtuar se për vitin 2013 shpreson që me punën që qeveria e tij do të bëjë, të jetë vit i afrimit më shumë se kurrë me Evropën.