Viti 2011, vit premtues dhe vit ndryshimesh të rëndësishme për pushtetin lokal
Deputetë demokratë e cilësojnë vitin që lamë pas si të suksesshëm, duke kujtuar se “u shemb muri i izolimit dhe u hap drita jeshile për integrimin”
Mesila Doda - “Viti 2010 ishte i suksesshëm, sepse Partia Demokratike arriti të shembë një mur shekullor izolimi. Jo vetëm kaq, por ka qenë një vit i krizës së thellë të euros dhe një pasqyrim pozitiv të ekonomisë shqiptare”.
Ndërsa Shqipëria europiane, integrimi europian janë dhe mbeten projekti më madhor për vitin 2011, deputetja e PD, Mesila Doda solli në vëmendje rrugën pozitive në të cilën po ecën PD dhe efektet pozitive të cilat janë reflektuar.
“Kemi rritje të të ardhurave dhe të eksporteve, me rreth 58 për qind dhe dimension të fortë e cila është reflektuar gjatë këtij viti, ku gjatë muajit korrik u rritën rrogat dhe pensionet”, tha ajo.
Ndërkaq, kur PS ka hapur një strategji për antikorrupsion, Doda veçoi faktin se gjatë periudhës 2005-2010, Partia Demokratike ka nisur qeverisjen me një moto të caktuar, e cila ka të bëjë me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Për këtë, deputetja e PD-së, foli me shifra duke bërë një rezyme të përgjithshme, ndërsa 140 zyrtarë janë proceduar. Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi djegien e fletëve të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, Mesila Doda, vlerësoi se KQZ-ja duhet ta kishte marrë këtë vendim në muajin korrik kur e parashikonte ligji.
Deputeti demokrat Gerti Bogdani e përcakton Bashkinë e Tiranës si sfidën e këtij viti/Viti 2011 premton shumë, zgjedhjet lokale do të zgjidhin kulmin e konfliktit politik të radhës. Ndonëse të vetmet gjëra që nuk ndryshuan as në fillim dhe as në fund të vitit 2010 ishin retorika e ashpër politike midis liderit të mazhorancës dhe opozitës.
Deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, theksoi dje gjatë një komunikimi me mediat se zgjedhjet lokale tashmë do të vijnë me një sërë ndryshimesh të cilat kanë të bëjnë me regjistrin elektronik, me karta identiteti dhe pasaporta biometrike. Për këtë, ai u shpreh i sigurt në fitore, pasi PD ka arritur të tregojë se synimin që ka për të fituar, arrin ta fitojë. “Në Bashkitë kryesore të vendit ka nevojë për ndryshim, pasi pushteti lokal ka çaluar në plotësimin e nevojave të qytetarëve”, u shpreh deputeti demokrat, Gerti Bogdani.
Duke i vënë në një baraspeshë arritjet e vitit 2010, me shkronja të mëdha e cilësoi si vitin e arritjeve të mëdha.
“Është për liberalizmin e vizave pas viteve të izoluara nga regjimi komunist. Shqiptarët që shikonin vizat si molla e ndaluar e Migjenit, tashmë përbën një ndër liritë dhe të drejtat e njeriut. Kjo është ëndrra që bëhet realitet për shqiptarët”, deklaroi ligjvënësi i PD-së.
Tashmë viti 2010, është një vit i rëndësishëm si për procesin e integrimit në BE, dhe kjo sipas tij, sepse jemi shumë pranë procesit te negociatave, dhe i vetmi kriter ka të bëjë me krizën politike.
Për deputetin e PD-së, i vetmi kriter i cili ka mbetur pas, ka të bëjë me krizën politike. Duke iu referuar forumit rinor të PD, Bogdani theksoi se ky forum është brenda limiteve kohore, dhe për këtë PD funksionon më së miri dhe se duhet të harxhojë energjitë duke qeverisur.