Të gjithë thonë “Po”!
Me përjashtim të “Vetvendosjes”, të gjithë thonë “PO!” : të nisin bisedimet Prishtinë - Beograd. Po, thotë Kosova; po, thotë Shqipëria; po, thotë Uashingtoni; po, thotë Bashkimi Europian; madje, Serbia sillet më e zellshme, duke u ankuar disi, se Kosova po vonon. Ky kor i plotë, me zëra të ndryshëm, a do të mund të interpretojë “Këngën e Pajtimit?”.
Kjo është kryepyetja, të cilës, të gjithë i përgjigjen me notën më të ulët: e rëndësishme është që të dy palët, agresori dhe i sulmuari, do të shtrëngojnë duart, do të ulen në të njëjtën tavolinë, do të rrinë kaq pranë e përballë, do të shprehin pikëpamjet e veta, ndoshta, as në kryeqytetin e Kosovës, as në kryeqytetin e Serbisë, veç diku në Europën Perëndimore, me një ndryshim jo aq pa domethënie, sepse përveç BE si ndërmjetësues, Prishtina kërkon të jenë aty dhe SHBA, ndërsa Beogradi bën çmos të përjashtojë Uashingtonin, me arsyetimin se kjo është çështje vetëm europiane. Ky argument bie. e duhet të rrëzohet: përderisa çlirimi nuk ishte vetëm çështje europiane (madje më shumë amerikane), përderisa pavarësimi nuk ishte vetëm çështje europiane (madje më shumë amerikane), edhe nisja e bisedimeve, le të themi si fillim i një pajtimi të largët, nuk mund të mos bëhet edhe çështje amerikane.
Nisja e dialogut, për Kosovën do të jetë si në tregimet e shkurtra të O’Henrit: zbërthimi i një dyzine paragrafesh vjen beftas, dhe vetëm me një rresht a gjysmë radhe, krejt në fund, dhe pikë: Kosova është e pavarur. Kjo e bën keq palën biseduese, e shtrënguar të ulet përballë shtetit që nuk e njeh, vetëm për të prekur interesa të shpejta, sepse i duhet të dorëzojë pyetësorin e të përshpejtojë procesin e integrimit në BE. Kosova nuk është problemi, qoftë për bisedime, qoftë për fqinjësi, qoftë për bashkëpunim. Por besohet se ajo futet në bisedime pa vullnet, nga që Serbia as nuk ka kërkuar ndjesë e as nuk e njeh pavarësi. Në këtë ngushticë politike përjeton siguri sepse si mburojë nxjerr pavarësinë me njohje domethënëse anembanë globit dhe sovraniteti si fakt i kryer i është garantuar nga aleatët e mëdhenj.
Nisja e dialogut, për Serbinë do të jetë si roman i mërzitshëm i realizmit sovjetik “Çimentoja” - Beogradi nuk do të thotë asgjë të veçantë, përveçse ngrirjen politike do t’ia hedhë mbi tavolinë palës së Kosovës, po njësoj, siç gjithçka kanë thënë kundër çlirimit qysh njëmbëdhjetë vjet e, gjithçka kanë bërë qysh prej tre vitesh plot kundër pavarësisë, që nga Beogradi deri në OKB, që nga Brukseli deri në Hagë, që nga Moska deri në Uashington, që nga Johanesburgu deri në Pekin, që nga Egjipti deri në Venezuelë. Serbia jo vetëm që nuk do të ndjehet asfare agresore, por gjatë bisedimeve do të bëjë ca nga Jugosllavia megalomane e shumë nga Serbia nacionaliste, do të bëjë shtetin e Mbibarabartë përballë të panjohurës të Nënbarabartë. Kjo do të jetë shprehje e mungesës së vullnetit ngaqë Serbia as nuk ka kërkuar falje dhe vjen në bisedime duke paradeklaruar se pranimi i dialogut nuk do të thotë njohje e pavarësisë.
Beogradi nuk e do kurrsesi Uashingtonin të jetë ndërmjetësues gjatë bisedimeve. Por SHBA, vendi i parë perëndimor drejtues i çlirimit të Kosovës, njohësi i parë i pavarësisë së Kosovës, shteti i parë i sigurisë së Kosovës me një Bonstill aty. edhe nëse nuk do të marrë pjesë në bisedime, është shprehur fare pa lëvozhgë mbi dialogun, duke thënë: e rëndësishme është që palët të ulen të bisedojnë, duke këshilluar edhe temën e parë të karakterit teknik, mundet për çështjen e të zhdukurve.
Fabulat e mëdha mbijetojnë kohërave: “Ujku dhe qingji”, vjen si e krijuar enkas për këtë dyshe fqinjësh. Serbia vërtitet penguese e keqdashëse nëpër kryeqytetet e Botës e brenda Kosovës nëpër pakicën serbe, dhe vikat se pavarësia ia turbullon ujin! Kur lexon raporte nxirosëse kundër shtetit të vogël, që bashkëshoqërohen me ngazëllim serb, ndërsa mizoritë serbe, as shenjuar as ndëshkuar, nuk të vjen habi (më kot bëjnë të çuditurin ca të huaj), pse shqiptarët ndjehen borxh dhe miq të mëdhenj të SHBA. Vetëm ta çosh nëpër mendje që, sikur pas këtij populli të martirizuar, të mos ishin mbrojtësit e përtej Atlantikut, vështirë njeriu edhe të hamendësonte deri ku do ishin ndalur punët e prapësisë serbe.
Është një proverb rumun që thotë se, “Kur dy vetë bisedojnë, ata nuk mund të zihen”. Kjo fjalë e urtë parathënëse për çdo dialog, nuk vlen për Beogradin, sepse Serbisë nuk i duhen thëniet e mençura të askujt, por mbështetja politike fort e zellshme e Rumanisë dhe katër vendeve të tjera të BE kundër pavarësisë së Kosovës. Sigurisht, bisedimit do të fillojnë kur të gjithë thonë “Po!”, e sidomos kur të dy palët kundërshtare, të shtrënguara shqiptojnë “Po!”. Dhe “bisedimet nisën” do të bëhet lajm botëror. Serbia ka për t’ia marrë frytin atypëraty, si i arrirë në serë, ndërsa Kosova, BE dhe SHBA do të presin sa të mbijë fara, sa të rritet bima, sa të lidhen kokrra e deri sa të piqen. Ky fryt, të cilit po i shërbehet me durim, synohet të ketë këtë shije: Serbi, hiqju qafe Kosovës! Më e mira është - bashkëpuno! Më e mira fare - njih shtetin e ri! Ky mendohet si fundi, po që askush nuk ia di fundin. Por, edhe ai pritet të jetë si në tregimet e shkurtra të O’Henrit: Serbia dhe Kosova askund tjetër, askund ndryshe, secili në BE, veç në kohë të ndryshme, Serbia shpejt, Kosova vonë. Kësisoj do të krijohet edhe një rrezik i ri, për të cilin bëhen paralajmërime, por nuk jepen shpjegime.