E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti 2012, miratohet kalendari për shpenzimet e buxhetit

Duke nisur nga janari 2012, fondet buxhetore do të alokohen sipas një kalendari të caktuar, që është hartuar nga Ministria e Financave në bashkëpunim me institucionet buxhetore

Për herë të parë vitin që vjen, fondet e shpenzimeve publike do të jepen sipas një kalendari paraprak që ka përcaktuar Ministria e Financave, dhe jo kur institucionet buxhetore të jenë të disponueshme për t’i shpenzuar këto para. Vendimi që hyn në fuqi duke nisur nga janari do të alokojë fondet në mënyrë periodike, në bashkëpunimin e Ministrisë së Financave me të gjitha njësitë shpenzuese. Për shkak të krizës në të cilën ndodhen ekonomia globale dhe ajo e brendshme, qeveria po mundohet të racionalizojë në maksimum shpenzimet buxhetore. Shumica e tyre tashmë janë bërë me listë-pagesë, mirëpo edhe këto do të bëhen sipas një radhe kalendarike për të mos e vënë edhe thesarin në krizë likuiditetesh. Bazuar në nivelin e të ardhurave buxhetore dhe nivelin e burimeve të financimit të deficitit, shpenzimet totale buxhetore për vitin 2012 parashikohen në masën 396.9 miliardë lekë ose 28.5% e PBB. Shpenzimet e personelit për vitin 2012, sipas Ministrisë së Financave parashikohen të ulen në terma reale nga 5.2% e PBB në 2011, në 5.1% e PBB në 2012-ën. Më konkretisht, kjo ulje ka ardhur si pasojë i shkurtimit të numrit të punonjësve që parashikohen të kryhen në disa sektorë si: reduktimi i numrit të efektivëve ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët ulin në këtë mënyrë numrin e përgjithshëm të punonjësve buxhetorë për vitin 2012 në 88.640 punonjës, nga 89.560 punonjës në vitin 2011. Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për vitin 2012 parashikohen të kapin nivelin 28.9 miliardë lekë. Ky fond në vijimësi edhe të viteve të kaluara do të vazhdojë të orientohet kryesisht në rritjen e shpenzimeve të funksionimit dhe mirëmbajtjes së sektorëve prioritarë të infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë, duke aplikuar një normë të diferencuar rritjeje në favor të këtyre sektorëve prioritarë. Për herë të parë në buxhetin e vitit që vjen, nga shuma totale 69.7 miliardë lekë që i dedikohet investimeve, 27 miliardë lekë janë parashikuar të jenë financime të brendshme dhe 43 miliardë lekë financime të jashtme. Raporti përmbyset për herë të parë në 2012-ën, pasi historikisht fondet e huaja kanë qenë në minorancë në krahasim me ato që ka akorduar buxheti gjatë viteve të shkuara. Ndërsa shërbimi i borxhit për vitin 2012 do kryesojë listën e shpenzimeve buxhetore për vitin 2012. Sipas buxhetit 2012, pagesa e interesave të borxhit do të jetë 400 mln euro.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›