Miratohet me 29 vota buxheti i Tiranës për 2012
Pas 5 orë debatesh, Këshilli bashkiak i Tiranës ka miratuar mbrëmjen e djeshme vetëm me votat e këshilltarëve të djathtë buxhetin e ri për kryeqytetin. Opozita kundër: Është një buxhet bosh, nuk ka projeksione se si do të realizohen të ardhurat që parashikohen
Pas 5 orë debatesh, Këshilli bashkiak i Tiranës ka miratuar vetëm me 29 votat e këshilltarëve të djathtë buxhetin e Tiranës për vitin 2012. Në orën 23:00 të mbrëmjes së djeshme ka nisur edhe procesi i votimit të projektbuxhetit prej 70 milionë dollarësh, për të cilin 25 këshilltarët e majtë të pranishëm në mbledhje kanë votuar kundër, pasi sipas tyre, ai është një buxhet bosh, sepse nuk ka projeksione se si do të realizohen të ardhurat që parashikohen. Por sipas kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ai është një buxhet optimist dhe konservator, dhe se brenda vitit të ardhshëm në kryeqytet do të zgjidhet një pjesë e mirë e problemeve të infrastrukturës. Tri shtyllat kryesore të buxhetit të vitit 2012 janë: punësimi dhe zhvillimi ekonomik, përmirësimi i cilësisë së jetës për qytetarët dhe infrastruktura rrugore.
Mbledhja
Mbledhja e fundit e Këshillit bashkiak të Tiranës ka nisur me gjysmë ore vonesë për shkak të analizës vjetore të kryeministrit Berisha, që po transmetohej live nga disa media televizive. Por, megjithëse ishin njoftuar paraprakisht për shtyrjen e saj, përtej orës së planifikuar 17:00, këshilltarët e majtë e kanë cilësuar si mungesë serioziteti nisjen e mbledhjes në orën 17:35 minuta, aq më tepër që në të do diskutohej dhe miratohej buxheti i Tiranës për vitin 2012. Që në fillim të mbledhjes, kreu i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi ka deklaruar se çështja e buxhetit ka një veprim antiligjor, pasi sipas tij, në bazë të ligjit të buxhetit, ai duhet t’u ishte dorëzuar anëtarëve të Këshillit bashkiak që në datën 25 nëntor. “Për herë të parë e kemi marrë 3 ditë e gjysmë përpara buxhetin. Kryetarët e katër njësive bashkiake na kanë thënë se nuk e kanë pasur në dorë këtë material. Ne kemi një propozim. Jemi të gatshëm që të diskutojmë për buxhetin për të gjithë hapësirën e duhur dhe transparencën, pasi Këshilli bashkiak u anashkalua. Të bëjmë një seancë të gjerë publike të Këshillit bashkiak për buxhetin”, - deklaroi Dalipi. Propozimit të socialistëve, kreu i Këshillit bashkiak, Njazi Kosovrasti i është përgjigjur se kjo është një praktikë që nuk është zbatuar prej 11 vitesh dhe se nuk ka një akt ligjor, sikurse nuk është caktuar as edhe një rregull se si mund të bëhet, për konsultimin e buxhetit në emër të këshillit. Lidhur me afatin e dorëzimit të materialeve, Kosovrasti ka pohuar se 5 ditë është detyrimi ligjor për këtë procedurë. Pas këtij diskutimi procedural, mbledhja ka vijuar me votimin e rendit të ditës, ku 24 këshilltarët e majtë të pranishëm në të kanë votuar kundër, ndërsa 29 të djathtët pro.
Çështja e parë e rendit të ditës ishte diskutimi i buxhetit të vitit 2012, detajet e të cilit janë bërë të ditura nga kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Në orën 17:52 minuta, kryebashkiaku ka qenë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit bashkiak, ndërsa e ka nisur fjalën e tij me një urim për Krishtlindjet për të gjithë besimtarët e krishterë. Në këtë moment, kreu i grupit të këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi, së bashku me 6 anëtarë të tjerë socialistë kanë braktisur mbledhjen. Por, ndërsa Dalipi ka qëndruar në hollin e Bashkisë, këshilltarët e tjerë të majtë i janë drejtuar një lokali afër institucionit, për t’u kthyer në sallë rreth orës 19:00.
Gjatë kohës që kryebashkiaku ka shpjeguar zërat e buxhetit, rreth orës 18:15 minuta, këshilltarja e majtë,Viola Sterio ka kaluar një gjendje të shkurtër dobësie duke u rrëzuar në shkallët e sallës së mbledhjeve, çka krijoi një situatë të pakëndshme, ndërkohë që Basha ka ndërprerë fjalën për disa minuta, derisa gjendja e saj shëndetësore është përmirësuar dhe ajo ka dalë jashtë. Më pas, kreu i Bashkisë duke shprehur keqardhje për këtë incident të pakëndshëm, ka vijuar me sqarimet për buxhetin, duke detajuar investimet që parashikohen në të për çdo njësi bashkiake. Ndërkaq, ai ka bërë të ditur se gjatë vitit të ardhshëm do të nisë edhe zbatimi i tri projekteve të rëndësishme infrastrukturore për Tiranën, që janë zgjatimi i bulevardit deri te Stacioni i Trenit, dy linjat e tramit, si dhe segmenti i dytë i Unazës së Madhe, nga Shkolla Teknologjike deri te ‘Qendra Kristal’. Në orën 18:33 minuta, Basha ka përfunduar fjalën e tij për buxhetin, ndërsa është duartrokitur nga këshilltarët demokratë.
Saliani: Asnjë terren i ri sportiv, Basha: Keqkuptim tragjik
Këshilltari i PS-së, Eridian Saliani, gjatë diskutimeve në mbledhjen e Këshillit bashkiak e pyeti kryebashkiakun Basha se përse nuk parashikohej asnjë terren i ri sportiv për vitin 2012, në një kohë që kryeqyteti ka shumë nevojë për to. “Ky është një keqkuptim tragjik. Dua t’ju them se në buxhet ka fonde të përcaktuara edhe për terrenet sportive, por janë qytetarët ata që do propozojnë se ku ka nevojë të investohet fillimisht. Unë ju garantoj se jo vetëm që do të investohet, por në fund të dhjetorit do të faktoj se kemi investuar më shumë se çdo herë tjetër në terrene sportive. Bëhet fjalë për një keqkuptim tragjik, siç ishte puna e golit, që portieri ishte aty, por ju nuk e patë”, - komentoi Basha.
Vendimet e miratuara
Projektbuxheti i vitit 2012 për kryeqytetin
Reduktimi i taksave për bizneset që hapin vende të reja pune
Disa ndryshime në vendimin për taksat dhe tarifat vendore
Kontrata koncesionare për parkimin nëntokësor në sheshin “Italia”
Pagat e reja për punonjësit e institucioneve të varësisë
Struktura e re të Komisionit të Strehimit
Bursat e nxënësve dhe studentëve për vitin 2011-2012
Emërtimin “Ibrahim Rugova” të një prej rrugëve kryesore
Basha: Në vitin 2012 do të marrë fund edhe procesi i legalizimit
Kreu i Bashkisë së Tiranës iu është përgjigjur pyetjeve të këshilltarëve për buxhetin e ri. Aldrin Dalipi, i rikthyer në mbledhje në fund të fjalës së Bashës për prezantimin e buxhetit, ka bërë të ditur se këshilltarët socialistë kishin pyetje dhe diskutime. Por mazhoranca ka vendosur që të bëheshin 10-20 minuta pushim, më pas të vazhdohej me pyetjet, që sipas përfaqësuesit të këshilltarëve të djathtë duhet të ishin të shkruara në letër. Pikërisht me këtë diskutim ka rinisur në orën 19:35 minuta pas një orë ndërprerjeje të pajustifikuar mbledhja e Këshillit Bashkiak, ku Dalipi, Poni dhe Kosovrasti kanë shkëmbyer replika midis tyre edhe për formën e pyetjeve. Kështu, ndërsa këshilltarët e majtë kërkonin që t’ia bënin pyetjet në mënyrë të drejtpërdrejtë kreut të Bashkisë, duke i lënë edhe kohë që ai të përgatitej për përgjigjet, sipas përfaqësuesve të mazhorancës, pyetjet duhet të ishin me shkrim. Mbërritja e kryebashkiakut në këtë moment ka shërbyer për t’i dhënë fund këtij debati që mbi të gjitha po shpenzonte kohë në mënyrë të pavlerë. Në orën 19:43 minuta, Basha është rikthyer në mbledhje, duke u kërkuar këshilltarëve socialistë që, pavarësisht procedurës që pyetjet duhet të bëhen me shkrim, ata t’i drejtoheshin atij që t’u përgjigjej. Këshilltarët e majtë i kanë drejtuar disa pyetje kreut të Bashkisë, që kishin të bënin më së shumti me mbledhjen e të ardhurave, investimet publike dhe ndarjen e fondeve sipas njësive bashkiake. Lidhur me mbledhjen e të ardhurave nga biznesi i vogël, që parashikohen të arrijnë në shifrën 1.5 miliardë lekë, kryebashkiaku deklaroi se kjo do të bëhet e mundur duke luftuar informalitetin, pasi në kryeqytet ka shumë biznese të paregjistruara. Ai është shprehur se të ardhurat për 2012-ën janë jo vetëm optimale, por edhe konservatore, megjithëse janë 50-100% më shumë se më parë. Po kështu, ai ka bërë të ditur se në Tiranë janë 6 mijë prona publike që nuk janë futur në përdorim, por që do të kenë vlera të veçanta në buxhet. Më tej, Basha ka deklaruar se në vitin 2012 do të marrë fund edhe procesi i legalizimit, ndërkohë që nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, Bashkia e Tiranës parashikon të mbledhë 15-20 milionë euro, shifër kjo që nuk është parashikuar në buxhet, por që do të relatohet më vonë. Për shpenzimet e administratës së tij, Basha ka deklaruar se ato kanë zbritur në 15%, nga 21% që kanë qenë në vitin 2010. Ndërkaq, Basha ka folur edhe për çështjen e varrezave në kryeqytet, duke bërë të ditur se Bashkia e Tiranës sapo ka përfunduar marrëveshjen me Ministrinë e Brendshme për shpronësimet, nga të cilat “Sharra” dhe “Tufina” do të zgjerohen me një hapësirë që do t’i japë zgjidhje problemit të varreve për 3 vitet e ardhshme. Për ndarjen e fondeve sipas minibashkive, Basha ka deklaruar se ato janë dhënë në mënyrë proporcionale dhe sipas projekteve që zonat kanë. Por, me gjithë akuzat e këshilltarëve të majtë se buxheti për arsimin është më i ulëti për Njësinë Bashkiake Nr.5, Basha ka theksuar se kjo minibashki që drejtohet nga e majta, ka marrë fondin më të madh të investimeve nga buxheti. Më tej, këshilltarët socialistë me pyetjet e tyre kanë akuzuar kreun e Bashkisë për fondet e ulëta për investimet publike, që sipas tyre, pjesa më e madhe nisin në vitin e ardhshëm, por përfundojnë në vitin 2013 apo 2014.
Buxheti 2012
Plani i të ardhurave
Plani i të ardhurave të Bashkisë së Tiranës për vitin 2012 është në shumën 7.049.346.000 lekë, detajuar si më poshtë:
Të ardhura nga taksat dhe tarifat vendore 6.157.168.000 lekë
Të ardhura tatimore 4.593.600.000 lekë
Të ardhura jotatimore 1.563.568.000 lekë
Të ardhura nga transferta e pakushtëzuar 892.178.000 lekë
Totali 7.049.346.000 lekë
Plani i shpenzimeve
Plani i shpenzimeve të Bashkisë së Tiranës për vitin 2012 është në shumën 7.049.346.000 lekë, detajuar si më poshtë:
Shpenzime korente 4.717.331.000 lekë
Shpenzime kapitale 2.332.015.000 lekë
Totali 7.049.346.000 lekë
Transferta e pakushtëzuar nga buxheti i shtetit 892.178 000 lekë
Transferta për njësitë bashkiake 400.000.000 lekë
Programet buxhetore
Totali i shpenzimeve të Bashkisë së Tiranës (korente dhe kapitale) në lekë për çdo program mbështetur në të ardhurat e veta është si më poshtë:
Programi në mijë lekë
1. Shërbimet publike vendore 2,245,663
2. Menaxhimi i rrugëve dhe transportit publik 1,149,157
3. Arsimi parauniversitar dhe edukimi 1,138,269
4. Kujdesi social 165,372
5. Strehimi dhe planifikimi i territorit 613,398
6. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi 142,760
7. Kultura dhe turizmi 139,578
8. Zhvillimi i rinisë dhe sportit 158,431
9. Planifikim-menaxhimi dhe administrimi 1,079,418
10. Rendi dhe mbrojta civile 217,300
Total 7,049,346
Huatë e Bashkisë, projektet që do financohen me kredi
Kreditë e përfituara nga Bashkia e Tiranës përbëjnë një detyrim prej 26.9 milionë eurosh. Bashkia është përfituese e tri kredive të rëndësishme, të cilat prekin infrastrukturën rrugore, arsimore dhe atë sociale. Këto kredi janë përfituar nga dy institucione të rëndësishme financiare ndërkombëtare, përkatësisht Banka e Këshillit të Europës dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Në buxhetin e Bashkisë parashikohen çdo vit detyrimet nga marrëveshjet e kredive të mëposhtme. Për vitin 2012, këto detyrime janë parashikuar në shumën 569.364.829 lekë.
Të përmbledhura, projektet e financuara me kredi janë:
Programi i menaxhimit të rrugëve dhe transportit rrugor, 8.200.000
Zhvillimi i rrugëve, tri segmente të Unazës ekzistuese 5.200.000 BERZH
Ndërtimi i urës te Shkolla Teknologjike 1.100.000 BERZH
Ngritja e Qendrës së Kontrollit të Trafikut 1.900.000 BERZH dhe Bashkia
Programi i arsimit parauniversitar 12.400.000
Rehabilitimi i shkollave 12.400.000 CEB
Programi i strehimit dhe urbanistikës vendore 6.347.000
Ndërtimi i banesave sociale 6.347.000 CEB dhe Bashkia
Totali 26.947.000
Donacione
Mbështetur në programin e ngritjes së fondeve dhe në procesin e bashkëpunimit dhe koordinimit të partnerëve ndërkombëtarë e vendas që operojnë në Tiranë, Bashkia e Tiranës në përputhje me prioritetet e vendosura për vitin 2012 dhe të projekteve që janë në vijimësi parashikon të realizojë nëpërmjet projekteve me donatorë shumat si më poshtë: 10,145,000 lekë; 1,677,600 USD; 77,429,98 euro; 969,006,98 aplikime në pritje. Donacioni më i rëndësishëm për Bashkinë e Tiranës është ai për projektin e rigjallërimit të sheshit “Skënderbej”, faza e dytë, në vlerën 5,500,000 euro, kontribut nga Amiri Diwan të shtetit të Kuvajtit