E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, shkurtohen 1137 buxhetorë me kontratë

SHKRUAN: Blerina Hoxha 29-12-2011 12:56

Qeveria ka parashikuar të paguajë me kontratë të pjesshme vetëm 415 nga 1552 persona që u paguan gjatë këtij viti. Ja institucionet që favorizohen

Qeveria rrudhi numrin e punonjësve me kontratë të përkohshme në qeverisjen qendrore. Vendimin e ka marrë dje Këshilli i Ministrave, i cili ka parashikuar të paguajë me kontratë të pjesshme vetëm 415 nga 1552 persona që u paguan gjatë këtij viti. Kjo masë e qeverisë vjen në kuadër të racionalizimit të fondeve për shpenzimet e personelit, të cilat për vitin që vjen janë 5 për qind më të ulëta se këtë vit. Pasi ka përcaktuar numrin e punonjësve me kontratë të përkohshme, qeveria ka bërë disa përjashtime të veçanta për disa institucione. Kështu, posaçërisht për Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave Ndërtimeve Informale, për 10 punonjësit arkivistë, në aparatin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për 5 punonjësit në sektorin e pagesave dhe dëmshpërblimeve, në Ministrinë e Financave, nuk zbatohet vendimi i mëparshëm i qeverisë “për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe aktiviteteve sezonale/të përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore”. Ndërsa për punonjësit e INSTAT, të cilët do të merren me anketime, miratimi i numrit të tyre, afatet kohore dhe specifikime të tjera përcaktohen nëpërmjet një udhëzimi të përbashkët ndërmjet INSTAT-it dhe Ministrisë së Financave. Qeveria vendosi gjithashtu që posaçërisht për qendrat e transferimit të teknologjisë, në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për shkak të veçorisë së punës, pagesa e punonjësve të kontraktuar përllogaritet sipas volumit të punës së kryer dhe paguhet sipas preventivit përkatës. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga shpenzimet korente, të miratuara në buxhetin përkatës të vitit 2012, për njësitë e qeverisjes qendrore. Posaçërisht për ALUIZNI-n, QTTB-të dhe 20 punonjësit e SHISH-it, efektet financiare të përballohen vetëm nga të ardhurat e vetë institucionit. Efektet financiare për pozicionet e kontraktuara për periudhën kohore vjetore fillojnë më 1janar 2012. Qeveria nëpërmjet vendimit të djeshëm ka ngarkuar ministritë dhe institucionet buxhetore që të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit të punonjësve në përputhje me kriteret e përcaktuara në vendimin për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe aktiviteteve sezonale të përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore”. Me një vendim të një jave më parë, qeveria ka pezulluar me ligj të gjitha emërimet e reja në administratë, duke përfshirë të gjitha institucionet buxhetore. Në nenin 11 të buxhetit të shtetit të 2012-ës përcaktohet se për vitin 2012 nuk do të miratohet asnjë ndryshim në strukturat organike të njësive të qeverisjes qendrore me efekte financiare shtesë në koston e personelit, të përllogaritur sipas strukturës së miratuar, me përjashtim të institucioneve të reja të krijuara me ligj”. Numri i përgjithshëm i punonjësve në organikë është 88 640 veta nga 89 560 punonjës që janë aktualisht në administratë. Në bazë të këtij neni, Këshilli i Ministrave mund të rialokojë numrin e punonjësve ndërmjet institucioneve, në rastin e ristrukturimit të tyre apo krijimit të institucioneve të reja, por pa shtuar numrin e tyre.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›