Miqtë e Francit: Prej pesë vitesh bënte jetë të rregullt
Miqtë e Franc Konomit nuk dinë t’i japin një emër autorit të vrasjes së tij. “Prej pesë vitesh ai jetonte në mënyrë të rregullt dhe nuk ka pasur ndonjë problem, si dhe nuk ka shkaktuar ndonjë të tillë”. Kështu shprehen miqtë e tij, duke shpjeguar se kishte filluar të jetonte si familjar dhe që nuk kishte treguar ndonjëherë për ndonjë kërcënim. Mes tyre është edhe miku i vjetër, Ylli Kelmendi, i cili shpjegon se e njihte Francin qëkur ishte 16 vjeç. “Unë isha më i madh në atë kohë, por trupi i tij binte në sy edhe për shkak të formave të mira sportive që ruante. Më pas u miqësuam shumë dhe për ne ishte një shok ideal”, shprehet Kelmendi. Për ditën e vrasjes, ai shprehet se në drekë e kishte lënë të takohej me të, në vendin ku rrinin gjithmonë, por ai takim nuk u realizua kurrë. Ndërsa për ndonjë kërcënim të mundshëm, Kelmendi shprehet se ai fliste shumë me Francin, por nuk i kishte thënë asgjë për kërcënime. “Ishte më i qetë se kurrë. Vishej me pantallona të shkurtra dhe nuk mbante as armë me vete. Ndihej shumë i qetë dhe pa probleme. Nuk e di se kujt mund t’i vihet gishti për këtë vrasje. Ne kemi qenë shokët më të afërt të tij dhe asnjëherë nuk ka përmendur që të ketë pasur problem me njeri”, shprehet Kelmendi. Edhe miqtë e tjerë e mbështesin, duke e mbrojtur edhe për vrasjen e Gaz Muçës. Ata shprehen të bindur se Konomi nuk ka pasur gisht në atë ngjarje.
#