E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viti i errët i drejtësisë

Balzaku, dikur, shkruante me admirim për fuqinë e pushtetit gjyqësor, duke thënë se: "Asnjë autoritet njerëzor nuk mund të cenojë pushtetin e një gjyqtari; asnjë nuk mund ta ndalojë atë; asnjë nuk mund të kontrollojë atë". Kjo thënie e Balzakut për fat të keq kontraston me realitetin e zymtë që na ofron sistemi i drejtësisë në Shqipëri, afro dy dekada nga rënia e regjimit monist. Vendimet e fundit të Gjykatës së Lartë në çështjet që në opinionin publik njihen si çështjet "Basha" dhe "Mediu" po konsolidojnë gjithnjë e më tepër pikëpamjen fataliste se sistemi i drejtësisë e kryesisht maja e tij piramidale, mbetet hallka më e kalbur e krizës së thellë që kalon shoqëria shqiptare.

Në një demokraci kushtetuese, parlamentarizmi garanton deri në një farë mase kufizimin e qeverisë, duke disiplinuar procesin ligjvënës. Kurse procesi gjyqësor i drejtë dhe ligjor garanton shoqërinë në të gjithë aktivitetin e vetë. Marrëdhëniet shoqërore nuk mund të jenë stabël, nëse nuk është e garantuar drejtësia dhe mbisundimi i ligjit. Jo më kot, Kushtetuta shqiptare dhe jurisprudenca kushtetuese e shtrijnë procesin e rregullt ligjor pothuajse në të gjitha qelizat e shoqërisë.

Sipas Nenit 141 të Kushtetutës, Gjykata e Lartë ka juridiksion fillestar kur gjykon akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Në të njëjtën kohë, Gjykata e Lartë është i vetmi autoritet i ngarkuar nga Kushtetuta me njësimin apo ndryshimin e praktikës gjyqësore.

Mirëpo në të dyja rastet e mësipërme, Gjykata e Lartë rezulton se ka refuzuar të ushtrojë kompetencat e saja kushtetuese, duke mosgjykuar akuzat penale të ngritura nga institucioni i akuzës, në kundërshtim me interesin e taksapaguesve dhe shoqërisë shqiptare. Thënë ndryshe, Gjykata e Lartë nuk i ka dhënë përgjigje dy prej proceseve më të rëndësishme të tranzicionit shqiptar, duke instaluar sistemin e pandëshkueshmërisë.

Në rastin "Basha", dy kolegje të Gjykatës së Lartë dhanë vendime të ndryshme dhe çështja u mbyll me shpejtësi, anipse Gjykata e Lartë duhet të tërhiqte për shqyrtim në kolegjet e bashkuara këtë çështje gjyqësore, në rast se do të ndiqte kërkesat e Kushtetutës dhe një prej misioneve të saja themelore: atë të unifikimit të praktikës gjyqësore. Vendimi i dytë i njërit prej kolegjeve të kësaj gjykate duhet të shërbente si shkëndijë për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, për të filluar një inspektim për gjyqtarët e Gjykatës së Faktit dhe Apelit që në mënyrë ultra vires e jashtë çdo juridiksioni kushtetues vendosën pushimin e çështjes ndaj të pandehurit. Por as kjo nuk ndodhi. Për këtë arsye, dua të besoj se thirrjet e përsëritura të Presidentit Topi për të rritur profesionalizmin dhe integritetin në pushtetin gjyqësor në mënyrë që të fitohet beteja me krimin e organizuar dhe korrupsionin, në radhë të parë duhet të aktualizohen në Gjykatën e Lartë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Në rastin "Mediu", mosgjykimi i çështjes vjen si pasojë e një sage procesesh në Gjykatën e Lartë, të cilat si me magji përkonin me fushatën zgjedhore, për të mbërritur te stacioni fundor, ku me një qetësi qesëndisëse, trupi gjykues në përbërje të të cilit kishte gjyqtarë të akuzuar publikisht për konflikt interesi, gjyqtarë me të kaluar profesionale të errët apo me lidhje okulte me të pandehurit kryesorë të tragjedisë së Gërdecit jo vetëm nuk dhanë dorëheqjen nga gjykimi, por vendosën pushimin e çështjes për shkak të kinse rifitimit të imunitetit nga ana e të pandehurit Mediu.

Si jurist, jam edukuar që të mos vë në pikëpyetje zbatueshmërinë e vendimeve gjyqësore, por vetëm drejtësinë e tyre. Por në të dyja rastet e mësipërme, fatkeqësisht, drejtësia është bërë njësh me padrejtësinë, pasi ka refuzuar të verifikojë akuzat e Prokurorisë. Nuk e di se si janë ndjerë gjyqtarët e trupit gjykues kur kanë ndjekur lajmet këto ditë në media se ish- kryeministri francez, Dominique de Villepin, po gjykohet nga kolegët e tyre francezë për një sabotazh të pretenduar ndaj Presidentit Sarkozy. Nuk e di a kanë ndopak pikë referimi në punën e tyre të përditshme Di Pietron e duarve të pastra në Itali, apo Monica Macovein, e cila ia zbardhi faqen Rumanisë së mbërthyer nga korrupsioni në periudhën e anëtarësimit në BE. Nuk e di a kanë ndërgjegjen e qetë kur udhëtojnë mbi asfaltin e segmentit Rrëshen-Kalimash, mbi shpinën e të cilit rëndojnë 300 milionë euro abuzime të pretenduara, apo teksa shohin në themelet e vilave të rindërtuara të Gërdecit imazhet e 26 jetëve të humbura nga kjo tragjedi.

Moralisht dhe politikisht vazhdoj të mendoj se mënyra se si iu shmangën drejtësisë dy nga ministrat e kabinetit "Berisha" është e dënueshme dhe e papranueshme në një shoqëri demokratike. Në një vend me pak më shumë traditë demokratike, ky veprim nëse do të guxohej të ndërmerrej, do të konsiderohej edhe si fundi i karrierës së tyre politike. Imagjinoni se ç‘na pret në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, kur vetë ministri i Brendshëm, për shkak të mosbashkëpunimit me drejtësinë do të vazhdojë të injorojë ekzekutimin e urdhrave të organit të akuzës. Imagjinoni se si do të përkthehet kjo situatë për procesin e liberalizimit të vizave, ku kërkohet një bashkëpunim i ngushtë nga të gjitha agjencitë e zbatimit të ligjit për të përballuar me sukses luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Imagjinoni se ç‘na pret sikur Komisioni Europian në progres-raportin e tetorit apo Departamenti i Shtetit të kërkojnë sërish vënien para drejtësisë të të gjithë të akuzuarve për tragjedinë e Gërdecit. Imagjinoni se ç‘na pret sikur prokuroria të guxojë të çojë para drejtësisë të gjithë ata zyrtarë që shpërfillën ligjin dhe liruan të burgosur në këmbim të ca votave diku apo ushtrimit të një trysnie të tipit mafioz diku tjetër për të votuar në favor të PD-së.

Bazuar në sa më sipër, mendoj se sjellja e Gjykatës së Lartë është edhe më e dënueshme se e vetë politikës, pasi kushtetutshmërisht gjyqi është konceptuar si moment solemn që duhet të frenojë arbitraritetin e ekzekutivit, duke u kthyer në epiqendrën e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor. Për këtë arsye, mund të them pa mëdyshje se 2008-2009 do të mbahet mend si viti i errët i drejtësisë shqiptare.

Në mënyrë që të ndahemi nga errësira na duhen magjistratë me integritet dhe autoritet të pacenuar dhe në të njëjtën kohë të garantuar nga Kushtetuta. Ndërkohë që Kushtetuta garanton pavarësinë e trupës gjyqësore, madje parashikon një procedurë mjaft të komplikuar për shkarkimin e tyre, duket se integriteti, edukimi dhe profesionalizmi janë beteja afatgjatë, të cilat mund të fitohen gradualisht përmes një qasjeje strategjike që përfshin të gjitha palët e interesuara në procesin përzgjedhës të trupave gjyqësorë në të gjitha nivelet, duke reduktuar shantazhin dhe ndikimin politik ndaj sistemit të drejtësisë. Gjithashtu, na nevojitet një politikë që stimulon kontrollin e publikut mbi magjistratët që ndotin nocionin e së drejtës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›