Viti i krizës, shqiptarët shmangin udhëtimet jashtë
Këtë vit shqiptarët preferojnë të kalojnë festat e fundvitit brenda vendit. Ndërsa në dhjetorin e vitit 2010, fill pas liberalizimit të vizave shqiptarët udhëtonin në masë drejt vendeve të BE-së, gjatë dhjetorit të këtij viti ky fluks ka një rënie të ndjeshme.
Amanda Iljazi nga kompania e udhëtimeve “Yldon”, bën me dije se kërkesat e shqiptarëve për të udhëtuar jashtë vendit në muajin dhjetor kanë një rënie të konsiderueshme krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa sipas saj duke bërë një përmbledhje vjetore gjatë vitit që po lëmë pas është rritur ndjeshëm lëvizja e shqiptarëve jashtë vendit.
Ndërsa gjatë vitit 2011 ka patur lëvizje të balancuara midis muajve ajo që mbetet e njëjtë janë vendet të cilat u drejtohen qytetarët shqiptarë. Greqia, Turqia, Italia dhe Gjermania janë shtetet më të preferuar nga shqiptarët.