Viti i mikroterrorizmit, krizës ekonomike, Wikileaksit...

Ky vit është karakterizuar nga ekonomia, rikëndellja e ngathët, kriza në Evropë.
Gjatë vitit të kaluar, kemi parë daljen në sipërfaqe të një lloji të ri të luftës- mikroterrorizmit, i cili mund të definohet si terrorizëm i nivelit të ulët, praktikuesit e të cilit nuk zgjedhin operacione spektakolare, por më parë operacione, të cilat kanë gjasa që të jenë të suksesshme. Kjo praktikë është mbështetur nga Al Kaida, aleatët ideologjikë të kësaj organizate, edhe pse mbetet e paqartë se a mbesin Bin Ladeni dhe Ajman Al Zavahri ende ideatorë dhe iniciatorë të këtyre aksioneve.
Viti 2010 është karakterizuar edhe nga kriza e financave në Evropë, me gati falimentimin shtetëror të Greqisë dhe të Irlandës, me problemet financiare, me të cilat po përballen ndër të tjera edhe Spanja, Portugalia dhe Italia. BE-ja u përball me telashe të mëdha, për të mbajtur gjallë dhe për të rikëndellur financat e shteteve të veta anëtare, që janë në telashe. Katastrofat ishin një tjetër dukuri, të cilat tronditën botën gjatë këtij viti. Në qendër të vëmendjes në vitin 2010 ishte edhe themeluesi i Wikileaksit, Julian Assange.
Janar
1 janar- Sulmi vetëvrasës në Laki Marvat në Pakistan. Së paku 95 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur. Një sulmues vetëvrasës hodhi veten në ajër, gjatë një loje të volejbollit.
Spanja merr përsipër kryesimin e BE-së nga ana e Suedisë.
3 janar- Qeveria e Serbisë padit Kroacinë për gjenocid, para Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë.
10 janar- Ivo Josipoviq ngadhënjen në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Kroaci, duke u zgjedhur presidenti i tretë i Kroacisë, pas pavarësimit të vendit në vitin 1991.
12 janar- Një tërmet me fuqi 7.0 shkallë të Rihterit godet Haitin. Lëshohet alarmi për cunami. Mbi 200 mijë të vdekur. OKB-ja thekson se është kjo katastrofa më e madhe, me të cilën është përballur në historinë e saj.
18 janar- Lirohet Mehmet Ali Agça, njeriu që qëlloi Papa Gjon Palin II, në maj të vitit 1981, pas gati tri dekadave prapa grilave.
20 janar- Vdes gazetari rus, Konstantin Popov, pas rrahjeve nga ana e policisë në qytetin Tomsk.
Shkurt
1 shkurt- Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, kërkon nga Kina që të mbështet sanksionet kundër Iranit, për shkak të programit bërthamor të Teheranit.
5 shkurt- Koreja e Veriut kumton se do të lirojë shtetaset amerikane, të cilat hynë në territorin e këtij shteti komunist, më 25 dhjetor 2005.
7 shkurt- Laura Cinchilla zgjidhet presidente e Kosta Rikës, femra e parë që e siguroi këtë funksion në historinë e Kosta Rikës.
11 shkurt- Presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, deklaron se Irani tashmë është shtet bërthamor, pas pasurimit të suksesshëm të uraniumit prej 20 për qind.
11 shkurt- Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, i nënshtrohet një intervenimi në zemër.
14 janar- Viktor Janukoviq shpallet zyrtarisht fitues i zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë.
18 shkurt- Barack Obama takohet me Dalai Lamën, përkundër kundërshtimit të Kinës.
Mars
1 mars- Arrestohet në Londër ish-presidenti i Bosnjës, Ejup Ganiq, nën akuzat për krime të luftës.
7 mars- Votuesit në Irak marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale dhe në referendumin për statusin e marrëveshjes për forcat.
13 mars- Kanali televiziv gjeorgjian, Imedi, nxit panik në gjithë Gjeorgjinë, me lajmin për kinse fillimin e një invadimi të ri nga ana e forcave ruse dhe me lajmin për vrasjen e presidentit Mikhail Sakashvili.
18 mars- Autoritetet turke arrestojnë rreth 20 persona, nën dyshimin se kishin përgatitur puç.
21 mars- Partia e presidentit të Francës, Nicolas Sarkozy, pëson humbje të rëndë në zgjedhjet rajonale.
22 mars- Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA miraton ligjin për sigurimin shëndetësor.
26 mars- Një anije e flotës detare të Koresë së Jugut, me rreth 100 anëtarë të ekuipazhit, fundoset në kufirin perëndimor detar me Korenë e Veriut.
28 mars- Italianët testojnë kryeministrin Silvio Berlusconi në zgjedhjet rajonale.
29 mars- Sulmues vetëvrasës hedhin veten në ajër në dy stacionet e metrosë në Moskë, Lubyanka dhe Park Kultury, duke vrarë me këtë rast së paku 36 persona.
Prill
5 prill- Wikileaks publikon një video-xhirim nga viti 2007, në të cilin mund të shihet vrasja e civilëve, duke përfshirë këtu edhe atë të dy punëtorëve të agjencisë së lajmeve Reuters, nga ana e ushtrisë amerikane në Bagdad.
6 prill- Kryeministri i Britanisë, Gordon Brown, shpall zgjedhjet e përgjithshme më datën 6 maj.
7 prill- Protestuesit në kryeqytetin e Kirgizisë, Bishkek, pushtojnë ndërtesat qeveritare, Presidenti, Kurmanbek Bakijev, arratiset nga vendi.
8 prill- Presidenti i SHBA-së dhe ai i Rusisë, Barack Obama dhe Dimitri Medvedev, nënshkruajnë traktatin e ri për reduktimin e armatimit bërthamor.
10 prill- Presidenti i Polonisë, Lech Kaczynski, së bashku më bashkëshorten e tij dhe 94 persona tjerë humbin jetën, pas rrëzimit të aeroplanit me të cilin po fluturonin, në qytetin rus, Smolensk.
11 prill- Partia e djathtë, Fidesh, fiton shumicën e ulëseve në parlament, pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme në Hungari.
15 prill- Si pasojë e shpërthimit të vullkanit Eyjafjallajökull në Islandë mbyllen për qarkullim hapësirat ajrore të Belgjikës, Britanisë, Çekisë, Danimarkës, Holandës, Francës, Gjermanisë, Islandës, Irlandës, Norvegjisë, Polonisë, Rusisë dhe e Suedisë.
22 prill- Shpërthim në platformën për shpim, Deepwater Horizon në Gjirin e Meksikës. Me miliona barela naftë derdhrn në det, duke shkaktuar një katastrofë ambientale.
Maj
1 maj- Një pjesë e sheshit Times Square në New York evakuohet, pas zbulimit të një autobombe, e cila u deaktivizua para se të shpërthente.
2 maj- BE-ja dhe IMF-ja pajtohen për pakon për shpëtimin e Greqisë, me të cilën do të ofrohen 120 miliardë euro, për t’i dhënë fund krizës së borxheve në këtë shtet.
6 maj- Zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Britani. Gordon Brown dhe laburistët e tij humbin pushtetin pas 13 viteve në qeveri. Udhëheqësi i konservatorëve, David Cameron zgjidhet kryeministër i ri i Britanisë.
19 maj- Një komision i pavarur hetues konstaton se një torpedo e shkrepur nga një anije e Koresë së Veriut ka fundosur anijen jugkoreane në Cheonan, me ç’rast humbën jetën 46 marinarë jugkoreanë.
31 maj- Ushtria izraelite sulmon flotën me ndihma humanitare për territorin e bllokuar të Gazës, duke vrarë me këtë rast nëntë shtetas të Turqisë.
Qershor
2 qershor- Kryeministri i Britanisë, David Cameron, e quan si plotësisht të papranueshëm aksionin e ushtrisë izraelite kundër flotës me ndihma humanitare për Gazën.
2 qershor- Kryeministri i Japonisë, Yukio Hatoyama jep dorëheqje, pasi që nuk arriti të realizojë premtimin e tij për të larguar nga ishulli Okinava një bazë të ushtrisë amerikane.
4 qershor- Naoto Kan emërohet kryeministër i ri i Japonisë.
7 qershor- Këshilli i Sigurimit i OKB-së vendos rrethin e katërt të sanksioneve kundër Iranit.
15 qershor- Fillon procesi gjyqësor kundër 33 pjesëtarëve të dyshuar të grupit Ergenekon, të akuzuar për organizimin e komplotit për rrëzimin e qeverisë së Turqisë.
20 qershor- Zhvillohen zgjedhjet e parakohshme presidenciale në Poloni, të shpallura pas vdekjes tragjike të presidentit Lech Kaczynski. Fiton ushtruesi i detyrës së presidentit, Branislav Komorovski, pas rrethit të dytë, të zhvilluar dy javë më vonë.
30 qershor- Irlanda hyn edhe zyrtarisht në recesion.
Korrik
1korrik- Belgjika merr përsipër nga Spanja kryesimin e radhës të BE-së.
2 korrik- Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, kumton se Izraeli nuk do t’i kërkojë falje Turqisë, për sulmin kundër flotës me ndihma për Gazën dhe se nuk do t’u paguhet kompensim personave të lënduar.
5 korrik- Polonia she SHBA-ja nënshkruajnë marrëveshjen për stacionimin e një mburoje antiraketore amerikane në territorin polak, për të mbrojtur Evropën nga sulmet e mundshme raketore nga Irani dhe shtetet e tjera. Rusia e kundërshton marrëveshjen.
8 korrik- Në shkëmbimin më të madh që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, 10 agjentë rusë, të infiltruar në SHBA, depërtohen në shkëmbim për katër amerikanë.
15 korrik- Pas 85 ditëve, kompania e naftës BP arrin të ndalë rrjedhën e naftës në BP, me ç’rast u vlerësua se rreth 200 milionë barelë janë derdhur në det.
24 korrik- Si pasojë e një paniku, i cili shpërtheu gjatë festivalit “Love Parade” në Duisburg, në Gjermani, humbën jetën së paku 21 persona dhe u lënduan mbi 500 të tjerë.
25 korrik- Wikileaks publikon rreth 90 mijë dokumente të fshehta ushtarake për luftën në Afganistan.
31 korrik- Chelsea Clinton martohet me bankierin Marc Mezvinsky.
Gusht
5 gusht- Në Kil 33 minatorë raportohen si të zhdukur.
16 gusht- Gati 2 mijë njerëz humbin jetën dhe me miliona të tjera mbesin të pastrehë, pas vërshimeve në Pakistan.
19 gush- Brigada e fundit luftarake amerikane largohet nga Iraku, shtatë vjet dhe pesë muaj pas fillimit të invadimit amerikan në këtë vend.
22 gusht- Minatorët e ngujuar në Kil dërgojnë një letër, me të cilën njoftojnë se të gjithë janë gjallë, ndërsa ekspertët vlerësojnë se për nxjerrjen e tyre nga miniera nevojiten së paku katër muaj.
Shtator
11 shtator- Prifti nga Florida, Terry Jones, heq dorë nga qëllimi i tij për të djegur Kuranin më 11 shtator, në shenjë proteste për shkak të planit për ndërtimin e një xhamie në Ground Zero.
11 shtator- SHBA-ja kujton nëntëvjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001.
24 shtator- Themeluesi i rrjetit social, Mark Zuckerberg, ndan 100 milionë dollarë për një shkollë në Newark, New York.
Tetor
1 tetor- Shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, Rahm Manuel, largohet nga funksioni i tij, për t’ia lëshuar vendin Pete Rouse.
13 tetor- Që të 33 minatorët kilianë të ngujuar në minierë nxirren një nga një, pas 69 ditëve të kaluara nën tokë.
8 tetor- Aktivisti kinez për të drejta të njeriut, Liu Xiabo, nderohet me çmimin Nobel për Paqe.
22 tetor- Wikilieaks publikon 391 mijë dokumente të fshehta për luftën në Irak, në të cilat sugjerohet se që nga fillimi i konfliktit në mars të vitit 2003, kanë humbur jetën rreth 100 mijë civilë.
Nëntor
2 nëntor- Republikanët sigurojnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, duke fituar 63 ulëse në zgjedhjet e mesmandatit, ndërsa demokratët ruajnë shumicën në Senat.
9 nëntor- Ish-presidenti amerikan, George Bush, boton librin e tij të kujtimeve, “Decision Points”.
11 nëntor- Grindja mes SHBA-së dhe Kinës rreth vlerës së valutave lë nën hije takimin e shteteve anëtare të grupit G20 në Seul.
23 nëntor- Koreja e Veriut sulmon me artileri ishullin jugkorean, Yeongpyeong, duke vrarë me këtë rast katër persona.
28 nëntor- Wikilekas fillon publikimin e 250 mijë kabllove private, të shkruara nga diplomatët amerikanë.
Dhjetor
8 dhjetor- Policia britanike arreston themeluesin e Wikileaksit, Julian Assange, pas akuzave të ngritura kundër tij në Suedi për abuzim seksual.
9 dhjetor- Studentë të hidhëruar sulmojnë automjetin me të cilin po udhëtonin Princi Charles dhe bashkëshortja e tij, Camilla.
10 dhjetor- Me çmimin Nobel për Paqe dhe medaljen e vendosur në një karrige të zbrazët, disidenti kinez, Liu Xiabo duartrokitet me ovacione gjatë ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve në Oslo.
13 dhjetor- Shuhet gjiganti i diplomacisë amerikane, Richard Holbrooke.
15 dhjetor- Themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg, shpallet person i vitit nga revista amerikane, Time.
16 dhjetor- Autoritetet britanike lirojnë me kusht Julian Assangen.
22 dhjetor- Senati i SHBA-së miraton marrëveshjen START për reduktimin e armatimit bërthamor, të nënshkruar mes SHBA-së dhe Rusisë.
23 dhjetor- OKB-ja njofton se së paku 173 persona janë vrarë në Bregun e Fildishtë, si pasojë e dhunës që shpërtheu pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në këtë shtet afrikan.
23 dhjetor- Dy bomba shpërthejnë para ambasadave të Zvicrës dhe të Kilit në Romë.
24 dhjetor- Në porosinë e tij tradicionale për Kërshëndella, Papa Benedicti apelon për paqe në botë.
25 dhjetor- Së paku 45 persona u vranë, ndërsa mbi 50 të tjerë u lënduan në Bajaur, Pakistan, pas sulmit vetëvrasës të ndërmarrë nga një sulmuese vetëvrasëse.