E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembulli amerikan

Ulëset e Kuvendit të Kosovës pritet të kenë më shumë biznesmenë sesa profesorë. Kjo praktikë e njohur në Amerikë, ka filluar të zërë rrënjë edhe në Kosovë. Vetëm se te ne, biznesmenët politikanë thonë se hyrjen në politikë po e bëjnë më shumë për ta ndryshuar vendin, sesa për prestigj. Nga Agon Sinanaj më 01 janar 2011 në ora 12:36

Shembulli amerikan, që biznesmenët e suksesshëm t`i futen politikës, duket se po ndiqet edhe në Kosovë. Në ulëset e Kuvendit të Kosovës, pritet të këtë edhe afaristë të dëshmuar në biznes. Megjithatë, nëse në Amerikë hyrja në politikë e milionerëve kuptohet më shumë si prestigj, në Kosovë kjo bëhet për qëllime më madhore. Zhvillimi ekonomik dhe përfaqësimi i zërit të biznesit, janë arsyet kryesore. Së paku, kështu deklarojnë disa nga afaristët e njohur kosovarë, që synojnë poste politike.

Sipas tyre, Kuvendit i ka munguar një spektër i biznesit.

Kjo është arsyeja kryesore që e ka shtyrë pronarin e rrjeteve të marketeve “ETC”, Ramiz Kelmendi, t’i hyjë politikës.

“Kuvendit i ka munguar një spektër i biznesit”, thotë Kelmendi.

Por kjo nuk është e tëra. Kelmendi thotë se ka ide konkrete për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Niset nga legjislacioni, për të cilin mendon se nuk duhet të iniciohet vetëm nga Qeveria. Thotë se në vende të ndryshme, ligjin mund ta iniciojë edhe parlamentari. Në këtë aspekt, premton se që në ditën e parë, në ulësen e deputetit, do të kërkojë ndryshimin e Ligjit për TVSH-në.
“Me këtë dua t’i barazoj bujqit tanë me ata të shteteve të tjera”, thekson Kelmendi.

Ai beson se vetëm bujqësia e forcon ekonominë. Për këtë së pari duhet që bujqit kosovar të jenë të barabartë në treg me ata të huajt. Kjo, thotë Kelmendi pastaj e stimulon prodhimtarinë vendore dhe bën që të plotësohen kërkesat, e me këtë edhe ulet importi.

“Por këtu nuk duhet t’i harrojmë edhe prodhimet e huaja. Paralelisht ne duhet t’i favorizojmë ato”, thotë afaristi pejan.

Kelmendi beson së do të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës, ndonëse nuk ka rezultate përfundimtare. “Jam i votuar në të gjitha zonat e Kosovës”, pohon ai.
Për arsye gati të njëjta, aventurës politike i ka hyrë edhe biznesmeni dhe drejtuesi i kompanisë “Lesna”, Hashim Deshishku. Beson se është votuar mjaftueshëm dhe e ka të sigurt mandatin e deputetit. Premton se synimi i tij kryesor do të jetë mbrojtja e prodhuesve vendorë.

“Duhet të ndikojmë që t’i heqim doganat për lëndën e parë”, tha Deshishku.
Deri sot, përfaqësimi dhe mbrojtja e bizneseve, Deshishku thotë se i ka munguar Kuvendit. Këtë punë më së miri, sipas tij, do ta bënin biznesmenët.
“Ne do ta ngremë zërin për aprovimin e ligjeve të ndryshme. Por jo vetëm kaq. Nëse është nevoja, do t’i kundërshtoj ligjet nëpër komisione, sepse kur ligji shkon në Kuvend, ai edhe miratohet”, thekson ai. Në këtë mes, përmend mungesën e Ligjit për kompanitë e mëdha, siç janë konzorciumet.

Çështjet ekonomike dhe mbrojtja e bizneseve, sikur te dy të parët, do të jenë prioritet edhe për pronarin e kompanisë së karburanteve “Petrol Company”, Shkëlzen Jusaj.

Edhe Jusaj beson se do të jetë deputet dhe thotë se Kuvendit i kanë munguar afaristët. Avantazhet në këtë, ai i sheh tek orientimi më i madh për çështjet ekonomike dhe mbrojtja e interesave të bizneseve.

“Aktivizimi i njerëzve të ekonomisë ka munguar deri tash. Kjo është arsyeja pse jam futur në politikë”, thotë Jusaj.

Premton se do të kontribuojë në të gjitha ato çështje që lidhen me ekonominë, me theks të veçantë bujqësinë e sheh si promotor të zhvillimit ekonomik. Sipas tij, biznesi duhet të jenë të përfaqësuar fort në Kuvend, gjë që deri tash nuk ka qenë kështu.

Ndryshe, hyrja e afaristëve kosovarë në politikë, nuk është diçka që po shpiket në Kosovë. Ky fenomen është posaçërisht evident në Amerikë, ku një pjesë e madhe e senatorëve dhe kongresistëve, fillimisht janë të dëshmuar në fushën e biznesit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›