Llogaritë e kursimit, sa para ju japin bankat private në rast se hapni një depozitë
Ervin Koçi
Në të gjithë botën specialistët e ekonomisë këshillojnë që paratë në ekonominë e një vendi të qarkullojnë në rrugë bankare dhe jo kesh në dorën e qytetarëve. Po kështu ata këshillojnë që individët nuk duhet t’i mbajnë fitimet, të ardhurat dhe kursimet e tyre kesh stok në shtëpi, por t’i depozitojnë ato në llogari bankare me qëllim që paratë të jenë më të sigurta dhe të shtohen. Kjo është një gjë e mirë kur mendon që duke qenë të depozituara në banka, paratë e individëve i shërbejnë jo vetëm atyre, por edhe ekonomisë së vendit, e cila qarkullon një sasi më të madhe likuiditeti në rrugë bankare. Kështu, përfitimet nga kjo lloj skeme janë shumëpalëshe, sidomos kur qytetari vendos para në një llogari kursimi, banka i paguan atij interesa mbi shumën fillestare të kësaj llogarie ose depozite. Sa më gjatë që qytetarët t’i lënë paratë në llogaritë e kursimit, aq më shumë do të grumbullohet interes i përbërë, rekomandojnë ekspertët e bankave. Interesat dhe përfitimet nga çelja e një llogarie kursimi apo depozite në një bankë janë të shumëllojshëm. Ato variojnë jo vetëm nga shuma e parave që depozitohen në llogarinë fillestare (kur çelet depozita), por edhe në bazë të kohës mbi të cilën depozitohen (afatit të depozitës).
Interesat e depozitave
Interesi i përbërë për një depozitë kursimi varion nga 1-mujore, 3-mujore, 6-mujore dhe 1-vjeçare (12-mujore), si dhe ka disa elementë. Një prej tyre është interesi i thjeshtë apo norma e interesit vjetor, interesi i përbërë dhe afati i maturimit. Po kështu edhe përfitimet janë të ndryshme dhe variojnë sipas bankave, kur individi ka një depozitë me periudhë maturimi 1-mujore, 3-mujore dhe 6-mujore, si dhe llogaritet edhe interesi i përbërë që përfiton ai. Banka e Shqipërisë në kuadër të edukimit të publikut ka nxjerrë disa botime për të mësuar më shumë mbi instrumentet financiare më të përdorura, si dhe këshilla të thjeshta për miradministrimin e parave. Sipas ekspertëve të bankës, kursimi nuk duhet menduar kurrsesi si diçka e vështirë, mjafton të kuptosh dobinë e tij. Sa më shpejt të vendosësh për të kursyer, aq më i vlefshëm do të jetë ai për të ardhmen. Në këtë mënyrë krijohet edhe kultura e respektimit të parasë, e cila është tepër e dobishme sidomos në një sistem të ekonomisë së tregut, si dhe në një sistem të zhvilluar kapitalist.
Interes i përbërë
Interes i përbërë quhet ai interes bankar i fituar mbi interesat e fituar më parë dhe mbi shumën fillestare të vënë në një llogari kursimi. Interesi i përbërë vepron në rastet kur ju e riinvestoni shumën në depozitën e kursimit për të njëjtën periudhë maturimi (shtyni afatin e depozitës tuaj). Me anën e një shembulli konkret ekspertët e bankës sqarojnë se si funksionin interesi i përbërë dhe si ndikon në të ardhurat tuaja. Nëse ju keni një llogari kursimi dhe derdhni në të rreth 2.500 lekë për çdo muaj për një interes vjetor 3 për qind. Falë interesit të përbërë të llogarisë së kursimit, pas 15 vjetësh ju do të arrini të kurseni 450.000 lekë, por edhe të merrni nga banka 560.000 lekë, duke fituar kështu mbi 100.000 lekë.
Interesi në banka të ndryshme
Gara e bankave private për të reklamuar depozita me interes sa më të lartë, është një mënyrë e mirë për të “thithur” sa më shumë klientë. Në këtë mënyrë, në varësi të shumës që individët depozitojnë edhe fitimi nga banka është më i lartë. Individët ose klientët mund të sigurojnë shuma të mjaftueshme për të mbuluar shpenzime të ndryshme gjatë vitit, në varësi edhe të depozitës me të cilën vendosni marrëdhënien tuaj me bankën. Në këtë pikë klienti mund të zgjedhë edhe bankën që ofron interesin më të lartë, pasi të ketë bërë një vlerësim vetjak për normat e interesit që bankat përdorin për depozitat me afat. Gjatë viteve të fundit një pjesë e mirë e bankave e kanë parë këtë lloj shërbimi si mjaft fitimprurës për to, duke synuar që të afrojnë pas vetes sa më shumë klientë. Në këtë mënyrë bankat rrisin sasinë e parave që ato kanë në qarkullim dhe nëpërmjet investimit të këtyre parave rrisin edhe fitimet e tyre. Pa dyshim që bankat tregtare përfaqësojnë biznese, të cilat janë të interesuara të fitojnë para. Megjithatë, konkurrenca e tregut bankar i bën ato po aq të interesuara që edhe klientët individë të fitoni para dhe të mbeten të kënaqur nga shërbimet e tyre.
28 Gusht 2008