E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti i ri presidenti Topi uron shqiptaret

Sic e do tradita ndërrimi i viteve u është uruar nga presidenti Bamir Topi. Kreu i shtetit në mesazhin e tij përshëndetës nuk ka lënë jashtë vëmendjes kategoritë në nevojë dhe kryesisht familjet e përmbytura në Shkodër.

"Si President dhe qytetar i këtij vendi, kam kënaqësinë dhe privilegjin t’ju përcjell sonte, urimet e mia më të ngrohta për një Vit të Ri sa më të bukur! Gëzuar të gjithëve! Këtë natë, më shumë se kurrë, ndihem pranë atyre familjeve që u përballën me përmbytjet e këtij muaji. Gjej rastin t’i siguroj ata për vëmendjen dhe mbështetjen time. Sonte jam pranë të moshuarve dhe prindërve që e kanë të pamundur të jenë pranë të dashurve të zemrës duke ju uruar bashkim të shpejtë, jam pranë fëmijëve jetimë dhe të braktisur, jam pranë njerëzve me probleme shëndetësore e aftësi të kufizuara si dhe familjeve të tyre", shprehu Topi në urimin e tij.

Por 2011 duhet të jetë një vit ndërgjegjësimi politik sipas presidentit, vit i cili duhet të prodhojë zgjidhjen e shumëkërkuar për integrimin. "Duke i uruar vitin e ri, e ftoj klasën politike shqiptare, që të ndërgjegjësohet edhe më shumë për rolin historik që ka ndaj vendit dhe popullit të vet! Le të jetë ky vit që po troket një vit që do të konsolidojë edhe më tej arritjet tona më të mira dhe do të hapë perspektiva të reja bashkëpunimi dhe integrimi në familjen evropiane!", tha ai.

Një urim të vecantë kreu i shtetit i ka rezervuar dhe Forcave të Armatosura dhe kontigjenteve shqiptare që shërbejnë jashtë vendit në kuadër të misioneve të NATO-s.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›